Kryeministri Edi Rama ka folur shkurt për mediat para nisjes së konferencës së Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
“Kemi ambicie të përfundojmë para kohës që na është lënë. Do ta bëjmë gati Shqipërinë për integrimin në BE brenda vitit 2030”, tha Rama.
Takimi do të nisë në orën 08:00 dhe do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së. Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.
Shqipëria do të përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Edi Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.
Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin 1, që përfshin fushat dhe kapitujt e negociatave si:
Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
Kriteret ekonomike
Kapitulli 5 – Prokurimi publik
Kapitulli 18 – Statistikat
Kapitulli 32 – Kontrolli financiar