SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke dërguar për gjykim, ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina.
Dosja tashmë i ka kaluar Gjykatës së Posaçme, e cila do duhet të vendosë nëse kalon ose jo për gjykim.
Ndërkohë ditën e nesërme në orën 09:00, Gjykata e Posaçme do të hedhë shortin për të caktuar trupën gjykuese për dosjen ‘Partizani’.
“Nesër, me datë 16.10.2024, ora 09:00 do të hidhet në short dosja penale, seancë paraprake (kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq, procedimi penal nr. 278, i vitit 2020), me kërkues Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehur: Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andina Pustina, Studio Pustina sh.p.k, Shoqëria Homeplan sh.p.k dhe Shoqëria Kontakt sh.p.k”, thuhet në njoftimin e GJKKO.
Në listën e 10 gjyqtarëve nuk përfshihet emri i Irena Gjokës. Kjo e fundit ka qenë trupë gjykuese prej tetorit të vitit të kaluar ku ka miratuar edhe masat e sigurisë, ndërsa ligji përcakton se nuk duhet të jetë më pjesë e procesit.
Ish-kryeministri Berisha është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe per “pastrim parash”.
Biznesmeni Fatmir Bektashi është i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan janë në akuzë për pastrim parash.