Pas çeljes së kapitujve të parë negociues me Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama nga Luksemburgu ka folur lidhur me planet e qeverisë për etapat e radhës.
I pyetur për planin që ka dhe se parashikohet çelja e kapitujve të tjera Rama tha se kanë ambicie brenda mandatit të katërt puna të jetë përmbyllur dhe Shqipëria të konsiderohet një vend me detyra të kryera.
-Kryeministër kemi gati dy vite që diskutojmë për negociatat, çelje negociatash kjo u zyrtarizua sot le themi, çfarë do të thotë për Shqipërinë?
Kryeministri Edi Rama: Jo faktikisht ne i kemi çelur negociatat, kemi çelur fazën e parë të procesit të screening, të gjithë organizimin po themi institucional të Shqipërisë, diagnozës dhe tani kemi çelur negocimin, pra jemi në momentin kur kemi hapur kapitullin e “Themeloreve”, grup kapitullin e “themeloreve” me 5 kapituj dhe tri kritere që do të thotë, futja tani në thellësinë e negocimit.
-Ju thatë që keni një plan për këtë rrugëtim, kur parashikohet të përmbyllet ky dhe kur do të jetë etapa tjetër, çelja e grup kapitujve të tjerë, kur do të parashikohet të paktën?
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi një plan shumë ambicioz sepse ne duam që Shqipëria të jetë gati dhe të ketë përmbushur të gjitha objektivat dhe të ketë goditur të gjitha shënjestrat që ka procesi përpara vitit 2030 dhe në vitin 2030 maksimumi po themi, ne të jemi gati për Bashkimin Europian. Plani nuk është një plan se kemi ne dëshirë të kemi një plan. Është një plan i përpunuar dhe i dakordësuar me komisionin duke menduar që brenda mandatit të katërt puna të jetë përmbyllur dhe Shqipëria të konsiderohet një vend me detyra të kryera.
-Ne këtë rrugëtim e nisëm së bashku me Maqedoninë e Veriut, si ishte, çfarë fryme përcollën miqtë tanë të Maqedonisë së Veriut gjatë punimeve të sotme dhe ka ndonjë qejfmbetje nga ana e tyre?
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria në këtë rrugë ka hyrë vetë dhe pastaj është gjendur mbrapa, pak më përpara pastaj shumë mbrapa, pastaj është gjendur në shoqëri të dikujt, pastaj në shoqëri të dikujt tjetër. Ndërkohë që Maqedonia e atëhershme dhe kjo e Veriut që është e njëjta gjë, po ka një emër tjetër ka qenë shumë përpara nesh edhe tani neve jemi, konsiderohemi përpara gjithë të tjerëve, ndërkohë që deri dje konsideroheshim, kur ne e nisëm ishim prapa të gjithëve, pastaj filluam t’i afroheshim, por të tjerët ishin përpara. Kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askënd përgjithmonë sepse ka vetëm një lidhje në çift që shqiptarët kanë vendosur vetë që ta bëjnë dhe është lidhja me Bashkimin Europian, ndërkohë që të gjitha lidhjet e tjera në çift që kemi jetuar në shekuj kanë qenë lidhje të imponuara.