Bujar Leskaj: Në Drashovicë për promovimin e librit “Nëpër shkrepat e jetës sime” të Nazmi Kolës

0
291

Ishte kënaqësi të merrja pjesë në Drashovicë ,né promovimin e librit “Nëpër shkrepat e jetës sime” të veprimtarit shoqëror, studiuesit e autorit të këngëve të bukura labe, Nazmi Kola.

Nazmi Kola, burri i urtë, bartës, pasurues e transmetues i kulturës dhe traditave kulturore të Drashovicës, edhe sot në moshë të thyer, mbetet një njeri i nderuar, me kulturë të thellë e plot vlera për gjithë Labërinë dhe shembull për brezat e rinj.

I rritur jetim, (babanë, Shyqyri Kola e ka Dëshmor të Atdheut), vetëm me nënën, e cila ka një emër jashtëzakonisht kuptimplotë, Madhe, ai i çau dallgët e jetës me kurajo e vendosmëri, me punë të palodhur e përkushtim, në të gjitha detyrat që kreu gjatë jetës së tij, duke bërë që sot të gëzojë dashurinë e respektin e gjithë krahinës së Labërisë.

Koha është një nga konceptet më thelbësore dhe më intriguese të jetës sonë. Në këtë monografi, z. Nazmi Kola, të cilën e ndërton në rend kronologjik, shqyrton nëpërmjet ngjarjeve vetjake, por edhe ngjarjeve të gjithë krahinës; nëse ne e krijojmë kohën apo nëse koha na bën ne. Dhe koha i ka dhënë domethënie gjithë jetës së tij. Ai u formua nga vështirësitë, por edhe nga prejardhja fisnike dhe edukimi që mori nga familja, sidomos nga Nënë Madhja.

I ngrohtë e njerëzor, i urtë e plot mençuri në fjalë e në këngë, libri i Nazmi Kolës vjen si një vlerë e re dhe e veçantë për letërsinë dokumentare, jo vetëm për Vlorën e Labërinë, por edhe për gjithë letërsinë shqipe.

Faleminderit z.Nazmi Kola !

Faleminderit Drashovicë !