Duke folur për pamjet nga Parlamenti, kur shiheshin qartazi deputetët e opozitës që “kacafyteshin” me gardën Tomor Alizoti në “Opinion” u shpreh se është ndërtuar një formë spektakli.
Ishte pikërisht kjo frazë e cila nevrikosi gazetarin Blendi Fevziu, i cili në debat e sipër tha: “Nuk ke ç’i bën gomarit dhe i bie samarit. Vini këtu dhe i bini medias.”
Blendi Fevziu: Alizoti çfarë po ndodh?
Tomor Alizoti: Me gjithë respektin, kam përshtypjen se e gjitha është ndërtuar në një formë spektakli.
Blendi Fevziu: Në një formë spektakli?! Pse ti do të më tregosh mua se si do ta ndërtoj emisionin.
Tomor Alizoti: Do më lesh të flas apo jo?
Blendi Fevziu: Jo s’të lë të flasësh. Ti fillon të flasësh për mua “është ndërtuar në formë spektakli”. Po pse mo unë e bëra spektaklin? Po çfarë duhet të jap?
Tomor Alizoti: A mund ta them përgjigjen time?
Blendi Fevziu: Jo more nuk mund ta thuash, për sa kohë e nise me mua.
Tomor Alizoti: Por, jo nuk e nisa me ju. Po e them në perceptimin publik, nuk ka të bëjë me ju.
Blendi Fevziu: Ti nuk je perceptimi publik. Ti je person që flet për veten tënde.
Tomor Alizoti: Siç e shoh unë perceptimin publik.
Blendi Fevziu: Po jo more zotëri se nuk mund të thuash si e sheh ti perceptimin publik për emisionin tim. Do të t’i heq këto pamjet, çfarë do të bëj?
Tomor Alizoti: Jo more mos i hiq.
Blendi Fevziu: Hajde këtu ti në vendin tim dhe mbaj fjalim.
Tomor Alizoti: Të lutem zoti Fevziu! Pse e more kaq emocionale?
Blendi Fevziu: E mora se ka një taktikë të vazhdueshme të politikanëve që vijnë dhe intimidojnë gazetarët, “pse jepni këtë dhe nuk jepni këtë”. Unë jap çfarë mendoj unë se pëlqen publiku dhe kam 28 vjet që e jap. Kështu që herës tjetër nise emisionin siç është për t’u nisur, mos e nis me mua.
Tomor Alizoti: Patjetër! Nisa një fjalim, unë nuk besoj se… Ne kemi bërë shumë emisione bashkë…
Blendi Fevziu: Ne jemi edhe miq bashkë, por unë nuk të lejoj që ti ta nisësh emisionin me mua. Jemi miq jashtë pimë kafe, këtu Zoti i kësaj studioje jam unë, jo ti po kushdo qoftë.
Tomor Alizoti: Mbase e ndjeve ti ashtu, por nuk ka lidhje me këtë punë. Unë kur them “perceptimi publik” nuk them në lidhje me ju. I gjithë perceptimi publik sot…Mendimi im, ky është mendimi im, ky është këndvështrimi im, siç e shoh unë mund të jetë edhe gabim. Gjithë perceptimi publik sot në Shqipëri dhe jo tek emisioni juaj e shikon çështjen e demokracisë në Shqipëri si një çështje estetike dhe kjo nuk ka të bëjë me emisionin tuaj, harroje këtë punë. Është një bisedë që po bëjmë, unë po e bëj me koncept, nuk po e bëj në lidhje me emisionin. Pse, sepse në momentin që në një vend nuk funksionon institucioni që është më i rëndësishëm që është Parlamenti, e gjithë media në Shqipëri, nuk po them me dashje, por po them që merret me estetikën e gjërave.
Blendi Fevziu: Kemi bërë emisione pa fund këtu, se çfarë po ndodh në Parlament.
Tomor Alizoti: Nuk është debat mes nesh ky.
Blendi Fevziu: Jo more edhe me median.
Tomor Alizoti: Ky është një debat pricipal që ndodh në shumë demokraci të reja, mos e keqkupto nuk ka lidhje me ne kjo punë.
Blendi Fevziu: Jo kjo mua më kujton një shprehje të popullit “nuk ke ç’i bën gomarit dhe i bie samarit”. Vini këtu dhe i bini medias, po çfarë bën media. Këto janë pamje që i keni publikuar ju në rrjetet sociale! Ne i kemi marrë nga deputetët e PD-së!