Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Dialektet i dalloja edhe pse s’arrija të shquaja fytyrat.
“Kah Rr’sheni”!
“Për politikë t’kanë shti”?
“Jam ma zi, besa”!
Një rënkim i zgjatur shpoi terrin:
“Kuku, oj nan”!
“Ç’pate Fran”? – s’mu ndenj mua. Heshtje.
“S’ndihesh mirë, a”? – pyetjen pa vend e bëri Luigji.
“A mundet m’u ndje mir’ robi n’thes”?!
“T’kanë shti n’thes, a”?
“Po, asha Zotin”!
“Hajt ta qesim burra”! – shtrimë duart si i verbëri bastunin dhe u ngatërruam më shumë se ndihmuam. Dëshira për të çliruar një edhe më fatzi, na nxori mëndsh prangat. Me duart dhjetë-gishtore, kapëm një sargji të ashpër por, s’ia dolëm të gjenim grykën. Coha na shtillej nëpër gishta gjembuese, ndërsa më therën kyçet nga prangat, një gëzh-vëzhe metalike, gërvishti llamarinë dhe na çori veshët.
“Qyre, e paskan prangue ene thesin”! – shprehu habinë dikush.
“T’kan lidh, a”? – pyeti tjetri.
“Po besa, kamsh e dursh”!
“Ku a koka, Fran”? – zëri i Luigjit.
“Njitu, he burrë”!
“Ku, bre”?
“Njitu ku del zani, pra”!
“Zëri dëgjohet, po s’e sheh dot”! – ndërhyri Ladi, që s’qe ndier gjer atëkohë.
“S’dij ç’ka m’u thanë burra, kur s’e shihni ju me sytë çil, kah m’e pa veta, nga brenda thesit”?!
Kishte të drejtë, po në varr janë të gjithë Homerë, që s’dinë as nga vijnë as ku shkojnë.
“Lëne kët punë, e kanë sigurue mir boll, para se m’e shti njitu”! – tha një verior.
“Përse të kanë d’nue, Fran-a”?
“S’më kanë d’nu ala”!
“Sa ke mbren, or burrë”?
“Tash nji javë”!
“Ku janë tuj t’çue, bre”?
“N’Rrshen, ma do mendja”!
E mësuam destinacionin, do përfundonim në Spaç. Fundja, polici kish folur qartë: “Plaseni n’Degë e, bani ma tej”!
“Kanë me na çue n’Spaç”! – se kush foli.
“Jemi ende larg”? – pyeta unë.
“Dreqi e di! – ma ktheu dikush. – Ba me m’than ku jena, ta po t’them sa rrugë kena”?
“E di unë ku jemi”! – u hodh Ladi.
“Ku, bre”?
“Në auto-varr”!
Dikush kukurisi, por s’e kuptova sepse qeshja s’njeh dialekt.
“Djall o punë, si është jaratisur robi, qeshka edhe në varr”! filozofova, por vet emri Spaç, më shkartisi trurin dhe më kalli datën.
“Hajt shtyj pesë vite në minierë! Po Ladi, dhjetë? Po këta, që një zot e di, sa i kanë dënuar”?!
Luigjin e dija, e kishin dënuar katër vjet, por ai ishte garip, pa familje, pa shtëpi, pa punë, pa katandi dhe s’bëhej kiameti, të paktën do gjente një strehë dhe një pjatë supë, atje ku do ta shpinin.
“E hëngre Spaçin, biro”!
“Si the, or mik”?
“Jo, asgjë”! – në fakt shpreha pa dashur, ç’ka bluaja në tru. Kafshova gjuhën dhe heshta.
Ndërsa auto-varri vijonte troshitjet nëpër gropa…!
“Për ç’të kanë shti, bre Fran”! – vijoi serinë e pyetjeve dikush.
“Kam vra dy rob”!
“Përnjime, a”?
“Po, besa”!
“Mendojsha se të kishin shti për politikë, si na”?
“Ku m’e gjet me kën nji’ashtu, po kam vra! Oh nan, m’dul shpirti”! – rënkoi thesi apo njeriu në të.
“Ndihesh ligsht, a”?
“Ma zi, s’jam ndi kurr’iher”!
“Mbahu, he burrë! – u rrek Luigji t’i jepte zemër të vdekurit – Na jena t’tanë për politikë”! – mbase shpresoi t’i lehtësonte dhimbjet të ndryrit në thes, duke theksuar këtë fakt.
“Lum ju! Politikën e bajnë të ditunit, budallët vrasin”! – i zhyturi në thes vijoi rënkimet. “Ç’na rrëfeve, të ditunit”?!
“Kush qenkan ‘të ditunit’, o njeriu i thesit? Luigji! Ku di politikë ai, or qyq! Jepi një tavë kocka lope dhe fluturon në qiellin e shtatë! Po ne të tjerët, ç’politikë zeza dimë? Hiç, hiç fare! Na futën se kështu ia desh puna Partisë! O njeri, jemi kot fare, ama s’kemi vrarë dhe s’i kemi njollosur duart, me gjak”!
Mendova se u shpreha me zë, por monologu shtjellohej në odëzat e shkartisura të trurit. Çudi si u dobësoka arsyeja, kur të pllakos terri, zia depërton në tru, të penetron në shpirt dhe të trallis gjykimin! Atëbotë e kuptova pse e përdornin terrin, si mjet torture. Zot, o Zot! Motori gulçoi. Auto-varri u tërhuz dhe u luhat, duke e tërhequr me zor peshën e vet, në të përpjetën e ndonjë qafe mali.
Aroma e benzinës së padjegur, më pështjelloi stomakun që shtërzoi si ta kishin mbushur me uthull. Nga goja më shpërtheu një gulfë lëngu. Orvata ta kapërdija, por një thartirë më përcëlloi fundin e ezofagut dhe një duhmë e rëndë më shpoi flegrat e hundës. Ndërkohë, ngjitur meje, shpoi terrin një lemzë e tej zgjatur dhe përgjatë parakrahut tim rrodhi një lëng viskoz gjer te majat e gishtave, ndërsa mbi surrat, m’u zbraz një gulfë me erë haleje. Grahmë e neveritshme më kujtoi një të ngjashmen e vet, që e kisha nuhatur diku, po se ku s’po më binte në hatër.
“O Zot, vdiqa”! – u ankua Ladi dhe nxori ç’kishte në bark.
“Ç’pate Ladi”?
“Plasa, me zor po e mbaja brenda”.
“Qite, eh burrë! Vet e kam qitë tash nji sahat dhe ndihem bajagi mir’”!
U ndërmenda papritmas: aroma e auto-burgun tonë, i përngjiste erës së plehut të stallës, përzier me amoniakun e urinës.
“Eureka, eureka! Si s’m’u kujtua më herët duhma e bajgave të karro-burgut të Xhikes”! Po ajo zhaurimë, po ajo djegësirë, po ajo shije athëtirë veçse më e pështirë.
Befas më gufoi ezofagu, një vrundull i ri shfreu me presion. Unë u rrudha ta mbaja, po çelësi i vullnetit nuk funksionoi dhe presioni, sa s’më plasi mushkëritë.
“Oh Zot”! – rënkova pa vetëdije.
“Qite, he burrë”! – më nxitën nga terri.
U tregova i leshtë që imponova veten të përmbaja të vjellat, të mposhtja shtërzimet dhe ngërçet e stomakut, kur të tjerët e kishin zbrazur me vakt! Sa hapa gojën, një fontanë grahmë rëndë shpërtheu sosh. Unë u shmanga për mos të spërkatur bashkudhëtarët dhe u ktheva nga mendoja se binte spondi, por rrodhën furishëm edhe dy tre gulfe të beftë, bash si shurra e kalit të Xhikes.
“U shofshë o Xhike me kalë dhe araba, s’m’u ndave, që s’m’u ndave”!
M’u squllën muskujt e barkut dhe m’u shpi fyti, ndërkohë frymënxjerrja e thellë u pasua nga një valë athëtie dhe u shkreha kokëvarur, sa gati më kaploi gjumi. Teksa auto-burgu vazhdonte luhatjet nëpër gropa, u shtuan rënkimet dhe përpëlitjet e thesit, duke më kujtuar ku gjendesha, shkrydha gjymtyrët dhe rifitova drejtpeshimin.
“Ban me t’pvet diça”? – dëgjova Luigjin, që s’donte t’ia dinte për trandjet e auto-varrit. Çudi, ky rob i rritur për ibret, kishte organizëm kameleoni, përshtatej në çdo ambient!
“Mu don me p’vet, a”? – shpoi sargjinë tingulli.
“Po, he burrë”! – dhe shtoi pa pritur miratimin e tjetrit: – “Kë ke vra, o shoq”?
“T’fejuemen, me të dashmin e vet”?
“Keq boll paske ba”! – një dialekt malësori. – “I paske ba hakun”! – prapë dialekt i njëjtë. “Sa vite, kishe i fejuem”?
“Tash tetëmbëdhjetë”!
“Shumë, besa:!
“Sa vjeç ishte”? – pyeti Ladi.
“Kush, bre”?
“E fejuara, pra”?
“Ah-ah! Tetëmbëdhjetë”!
“Sa the”?!
“Nji aq, pra”!
“Si kështu, u paskan fejuar pa lindur”?!
“Po, he burrë”!
“Sa vjeç je ti”?
“Njëzet e pesë”!
“Të njihte e fejuara”?
“Jo. Por e dinte kah moti”!
“Gjynah”! – Ladi heshti. Heshtën edhe të tjerët.
Mes territ s’isha në gjendje të ajgëtoja se ç’bluanin bashkudhëtarët. Por s’po gjeja ndonjë motiv ta përligjja, atë krim monstruoz.
“Si u vraka robi kaq lehtë? Sepse dashka një djalë dhe s’pranon ta shtyj jetën me një të panjohur! Vër dorë o Zot! Si mund t’u marrësh jetën e dy njerëzve, si me shtyp dy buburrecë patatesh”!
“Ama motiv”! – më shpëtoi pa dashje.
“S asht motiv, po zakon, kanun”! O Zot, ç’injorancë!
“Zakon! Kanun”!
“S’a zakon’ as kanun. Por krim, o rob Zoti! Krim i pashembullt dhe Lek Dukagjini, s’do ta kish vrarë të bijën, pse s’do pranonte të merrte një të panjohur! Madje jam i prirë të besoj se Leka, s’do t’ia jepte kurrë t’huaji”!
Më buisën në tru ato pak rreshta, që kisha fiksuar nga ‘Kanuni i Lek’…”!
“Khjellohuni, asnjë kanun nuk i përmend këto krime…”- të fundit e shpreha me zë, të tjerat sa i ëndërrova.
“T’pat tradhtue, a”?
“Jo”!
“Si, bre”?
“Në hekurudhë”!
“Kur ka ba vaki”?
“Tash do kohë”!
“Me kë, bre”?
“Me komandantin e çetës”!
“Mos, he burrë! T’dy i ke mbyt, a”?
“Po, besa”!
“T’lumt pushka, hej trim i dheit”!
Në çast do të doja të isha zog, milingonë, zvarranik, të dilja nga sënduku i ndotur me krimba dhe të merrja nga sytë këmbët, jo t’i shpëtoja burgut, por mos të dëgjoja atë gjëmë.
“Përpimë o dhe! Të më kishe shurdhuar o Zot, para se të dëgjoja këto hynere! Shyqyr që jam në terr, ku s’mund ta shoh mburravecin”!
Mes duhmës së rëndë të atij auto-varri të flamosur, iu zilepsa Homerit:
“Ma mirë që qe i verbër, sepse po të kish qenë me sy dhe t’i kish parë heronjtë e tij’ mbase s’do t’iu kish veshur superlativa perëndish dhe do na mungonin Ilida e Odisea”!
Përfytyrova Bethovenin shurdh dhe fatin e partiturave mahnitëse:
Po të kish pasur veshë, do na kish lënë vallë atë harmoni notash, që i sajoi me imagjinatë? Ku të shpie miopia, t’i marrësh jetën të ngjashmit dhe të mburresh si të mbytësh një gjarpër! Dhe përse?
Besa, kanuni, thënka!
Oo burracak, je peng i një premtimi të pa mbajtur, që fundja s’ke ndonjë demint, sepse s’e ke dhënë ndonjëherë! Kur jepej “besa”, ti s’kishe ardhur ne jetë, madje edhe ata që u betuan në emrin tënd, tetëmbëdhjetë vite më parë, me siguri janë bërë pishman!
Kam vu nderin n’vend, mund të mbrohesh, kam zbatue kanunin e malësisë pik për pikë!
Jo o thes, s’ta preku kush nderin! As kanuni s’thotë kund të sakrifikosh pa motiv, të vrasësh pa motiv, të mburresh pa motiv!
Po ku gjen motiv që përligj vrasjen, o tutkun!
Vdekja është anti motiv i jetës, sfidë ndaj njerëzimit, sakrilegj ndaj Krijuesit. Motivet janë streha e burracakëve! Kush ka lepurin në bark, kërkon të vejë në vend burrërinë e zhburrëruar, me gjoja gjeste heroike.
“Ruana Zot nga kokat e nxehta, që nxitin hakmarrjen primitive”!
Trutë më përcëllonin, si të m’i kishin gjakosur me driza, më therën sa më shprishën mendsh!
“Bota e qytetëruar tenton të eliminojë luftërat, të zbusë gjakrat, të paqtojë zemrat, të afrojë racat, të demokratizojë idetë, të eksplorojë kozmosin e më tej, ndërsa ne strukemi pas perdeve të vetizolimit dhe rrekemi të fshihemi pas doktrinave që s’i përfillin as atje ku kanë lindur, përkundrazi i urrejnë. I ngremë pusi të sotmes dhe nxisim urrejtjen në zgripet më të errëta të shpirtit!”
Komunizmi nxiti dasitë dhe stimuloi ndarjen klasore; ushqeu urrejtjen, për të afërmin, përktheu përkatësinë sociale, në të kundërtën e “besës”:
“Partia punon me shpirt të edukojë brezin e ri, njeriun e klasës, instrumentin që do shpjerë përpara idealet e ndritura të kohës, komunistin e devotshëm, burrin e “sh-besës apo (homo denonciatorus)”, do deklaronte me mburrje diktatori Enver Hoxha, nga çdo tribunë kongresi.
“S’do lejojmë kënd t’i molepsë mendjen rinisë, me izmat dekadente të Perëndimit të kalbur në vese. Do ta qërojmë me fshesën e hekurt, çdo bartës të besëtytnive dhe zakoneve prapanike, do t’i degdisim në ferr gjithë rrufjanët politikë dhe kriminelët ordinerë, do t’iu japim ndëshkimin e merituar horrave dhe do i hedhim në koshin e plehrave të historisë! Rinia jonë heroike, do ecë e sigurt në rrugën e ndritur, që i ka skicuar Partia syshqiponjë…”, vazhdonte predikimin dhe kërcënimet i Madhi.
Dhe ç’është e vërteta, i dënuan ashpërsisht krimet, por të ndëshkuarit sakrifikuan në dy kategori antagoniste: në ordinerë që, “gjithsesi mbeten esuikët tanë” dhe kundërshtarë politikë, “armiq të rrezikshëm për rendin dhe për shoqërinë socialiste”! Pra, në një farë mënyre i stimuluan. Në vend t’i kthenin burgjet në ferr ndëshkimor për kriminelët e banditët, i shndërruan në skëterrë, për kundërshtarët politikë.
Aq e vërtetë është kjo, sa kriminelët ordinerë, na anatemonin ne politikanëve:
“Ngordhshi në litar, armiq të poshtër, që donit me përmbys Partinë dhe shokun Enver”! Teksa veten dhe krimet e tyre, i justifikonin me parullat partiake:
“Vërtet kemi bërë faje, po s’kemi tradhtuar! Partia dhe shoku Enver, e kanë barkun të madh dhe zemrën të gjerë! Të rrojë Partia dhe shoku Enver Hoxha! Urra-a”!
Teksa krimi përligjej dhe kriminelët shtoheshin, Partia i duartrokiste. Fatkeqësisht kjo palo politikë penale, “bombardoi” opinionin nga mëngjesi në mbrëmje, sa i kandisi trushpërlarët mëndje mykur, t’i dilnin mbrojë krimit.
Vajmedet, një syresh kish qëlluar edhe mes nesh. “T’lumt pushka, ej trim i dheit”! inkurajoi vrasësin.
“Më thuaj o të kam rixha, ç’trimëri ka bërë?” më erdhi të ulërija. “Bëri ndonjë heroizëm ndërplanetar, që s’e ditkemi? Shpëtoi rruzullin nga apokalipsi?! I preu shtatë kokat kuçedrës, që kish lënë fshatin pa ujë? Mposhti djallin, që po i çoroditka mendjen rinisë? Ngarkoi mbi shpinë kryqin dhe vuri mbi krye kurorën gjembaçe të Jezu Krishtit, duke predikuar paqen mes njerëzve?
Apo veshi zhgunin, ngjeshi në brez litarin e Shën Françeskut dhe bredh botën zbathur, pa bukë e pa ujë, që të mbjellë dashurinë e munguar? Jo, ai ka bërë krim! Krim me të madhe! Ka hyrë në pjesën e Zotit! Ka ndarë dy qengja nga grigja e Tij! Ka marrë dy jetë të pafajshme! Ka shuar dy shkëndija, që donin të ndiznin një flakadan! Ka këputur dy lule në kopshtin e Edenit! Dhe përse? Sepse na paska mbetur pezull, diku në një gremç të ndryshkur, premtimi i pa-dhënë kurrë”!
“Turp, turp, turp”! – pasthirrmat dolën klithma.
“Si the”?
Heshta. Po tashmë heshti edhe motori.
Pas derës kuisi shuli, ca duar zhvatën thesin dhe dera u mbyll.
Auto-varri gulçoi, turfulloi, u trand dhe bëri para i lehtësuar, tashmë s’peshonte më duhma kutërbuese e krimit…!
“U nis”!
“Për ku”?
“Në firifistun, në mbretërinë e djallit me brirë”!
“Mbase na degdis në ndonjë hon të zi, më beter se barku i përbindëshit, ku na kanë ndryrë”!
“Qoftë lëvduar i Madhi Zot që na ndau nga krimi…”!
“Amin”!
Sofizma auto-burgu
Dita kur auto-burgu kapërcente telat gjembaçë dhe futej në kamp, ishte ngjarje me vlerë, jo vetëm për të shkarkuarin e radhës, i cili niste numërimin mbrapsht të ditëve, javëve, muajve, viteve, e dekadave gjer në përfundim të dënimit, në e kish kësmet të mos i ri dënonin së dyti, apo së treti, apo t’ia kish taksur Zoti të mbërrinte orën, por edhe për të tjerët që e kishin filluar llogarinë prej kohësh dhe s’arritën ta mbyllnin ndonjëherë.
Historia fillonte qysh se ndalte auto-burgu, i hiqnin shulet, hapnin derën dhe ndiheshin britmat: “Hajt, zdryp poshtë or tëj?
Kur askush s’tundej, shtonin: “Apo doni m’u çue n’varr”? dhe vërtet, shumë fatzinj i çuan nga auto-varri në varr e, pastaj, në analet e harresës.
“Tunduni bre, ja paskeni shtrue si me ken mjedis pjacës n’Kafe t’Madhe!” – na u shkreh polici, kur auto-burgu ndali në Reps.
Po ne ishim mpirë dhe s’reaguam dot. Atëherë u ngjitën sipër dhe na flakën si bagëtitë në derën e kasapit, pa konsideruar lodhjen nga rruga, mbi pesë-gjashtë orë, shtërzimet dhe pështjellimet e stomakut, as gjakun që pikonte kyçeve nga gjermankat dhe të ftohtin e grykës së Fanit. Na plasën kapicë mbi njëri-tjetrin, na shqelmuan me kundra e me shkop pas shpine, na truan, na mallkuan, përpiluan me ngut proces-verbalin e dorëzimit dhe krisën e ikën.
Ky ishte rituali i auto-burgut që vinte shukte të parët, merrte ngarkesën e re dhe e rraste mbi të vjellat e të sapo flakurve, që të rikthehej me vakt. Data e ardhjes apo e ikjes së auto-burgut, mbetej referencë për fatzinjtë që linte apo të tjerët që merrte, bash si grepç, ku varen rrobat e shtrënguara. Fati i aksh personi, apo data e aksh ndodhie, lidhej me mbërritjen apo kthimin e auto-burgut: E mban mend iksin që transferuan, liruan, apo vdiq mbi telat me gjemba? Memorie.al