Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë i ftuar në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus, ku ka komentuar edhe grupimin e demokratëve euroatlantikë të udhëhequr nga Lulzim Basha, si dhe atë të sapo formuar nga Enkelejd Alibeaj.
Për këto parti demokrate të cilat janë kundër binomit Rama&Berisha, ai tha se po i bëjnë opozitë opozitës dhe meqenëse nuk i janë bashkuar atij, janë në shërbim të Edi Ramës.
Pyetje: Dy parti të reja janë krijuar nga figura të PD, partia e Lulzim Bashës dhe e Enkelejd Alibeajt; kjo përcarje a do ta dëmtojë PD dhe opozitën në zgjedhje?
Berisha: Kam një mendim. Çdo qytetar, çdo politikan në një vend ka të drejtë të krijojë partinë e tij politike, të ndjekë linjat politike që dëshiron. Krijesat antiopozitare janë fluska të destinuara, arikvohen në banesën e harresës së politikës. Kriter themelor është qëndrimi ndaj regjimit mafioz autokratik të Edi Ramës. Ata të cilët vendosin në epiqendër të përpjekjeve të tyre, programit të tyre këtë çështje, ata janë të mirëpritur të bashkëpunojnë me PD dhe opozitën reale. Të tjerë le të mbeten në orbitën e mjerë të opozitarëve të opozitës që recitojnë apo bëjnë papagallin e Edi Ramës nga studio në studio.