Kreu i PL-së, Ilir Meta u arrestua pak minuta para se të mbërrinte në selinë e PL-së, ku kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp me gazetarët.
Ilir Meta po udhëtonte me makinën personale, kur agjentë të BKH-së të veshur civilë, në bashkëpunim me forcat e policisë, e kanë ndaluar në afërsi të një qendre tregtare pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë.
Presidenti i PL-së është arrestuar me urdhër të SPAK dhe mësohet se ka qenë duke udhëtuar drejt selisë së Partisë së Lirisë me makinën personale, e cila dyshohet se drejtohej nga shoferi i tij. Pritet që Ilir Meta të mbërrijë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Ndërkohë, Ilir Meta kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp mesditën e sotme, në orën 13:40, ku ishin ftuar të merrnin pjesë gazetarët.
“Në ora 13:40, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta do të ketë një konferencë për shtyp. Ftohen të gjithë gazetarët të marrin pjesë”, thuhej në njoftimin e zyrës së shtypit të bërë në orën 12:09.
Ende nuk ka një njoftim zyrtarë nga Prokuroria e Posaçme për këtë urdhër-arrest, por kujtojmë që Ilir Meta është thirrur në SPAK për të dhënë shpjegime për një sërë çështjes.
Kreu i PL-së është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje për çështjen CEZ-DIA.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi gjithashtu janë në hetim pasuror, si edhe në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.