Pas më shumë se pesë orë seancë, GJKKO caktoi sot masën ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
GJKKO rikonfirmoi masën arrest me burg për Metën, ndërsa ajo që dihet është se pas dyerve të mbyllura të Gjykatës ka patur debate dhe përplasje të forta mes Metës dhe prokurorëve.
Gazetarja e News24 Klodiana Lala raportoi më herët se në nisje të seancës ka pasur akuza nga ana e Metës kundrejt trupës së prokurorëve të përbërë nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja e Sotir Kllapi.
Debati nisi kur Kraja deklaroi se arrestimi i Metës është kryer sipas procedurave ligjore.
Në këtë moment Meta ka përdorur tone intimiduese duke u thënë prokurorëve se “do ta shohin çfarë do u ndodhë “ dhe nuk do e harrojë atë që i kanë bërë”.
Ai ka folur edhe kundër Altin Dumanit, duke iu referuar si “dumduman” dhe ushtar i kryeministrit Rama. Ish-Presidenti i ka cilësuar akuzat që rëndojnë ndaj tij si të motivuara politikisht.
Seanca gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi përfundoi rreth orës 18:00, pas disa orësh përplasje mes Metës dhe gjyqtarëve.
GJKKO rikonfirmoi masën arrest me burg për Ilir Metën dhe masën detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin.
Gjithashtu mësohet se GJKKO rikonfirmoi masën detyrim paraqitje për Ema Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Pirro Xhixhon, për të cilin është vendosur masa “detyrim paraqitje” nga arrest shtëpie që ishte.
Ish-presidenti ka kaluar dy netë në bllokun e sigurisë tek Mine Peza dhe pas seancës së sotme në GJKKO, ku ndodhet për konfirmimin e masës së sigurisë, do të dërgohet në qelitë e paraburgimit.
Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua ditën e hënë për akuzat korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat vepra penale akuzohet dhe Kryemadhi. Sot para Gjykatës dolën Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.