Ish-presidenti i vendit Ilir Meta është vënë në pranga një ditë më parë nga policia, me urdhër të SPAK, ndërsa ndaj deputetes Monika Kryemadhi është dhënë masa detyrim paraqitje, arrest shtëpie për Piro Xhixhon dhe detyrim paraqitje edhe për Ema Çokun.
Një prej akuzave që rëndon ndaj Ilir Metës është dhe ajo e pastrimit të parave, duke evidentuar rastin e lobimit në SHBA.
Në dosjen e SPAK, të siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, theksohet ndër të tjera se nga hetimi rezulton se ekziston një lidhje interesash ekonomike dhe transaksione bankare midis kompanisë B.SK. shpk, kompanisë Unifi Communications Inc me president Adrian Shatkun, Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Metaj e Monika Kryemadhi.
Sipas dosjes, bazuar në faktin se: Partia LSI për vitin 2016-2017 ka kryer pagesa të padeklaruara në shumën 369.785 USD për të kryer pagesat për shërbimet e ofruara nga kompania lobuese GSIS LLC.
Partia LSI për vitin 2017 ka kryer pagesa të padeklaruara në shumën 100.000 USD për të kryer pagesat për shërbimet e ofruara nga kompania Dorelita Limited si ndërmjetëse e LSI-së me kompaninë lobuese McKEON Group.
Burimi i fondeve që kanë financuar kontratat e lobimit dhe konsulencës të partisë LSI, nuk është deklaruar sipas ligjit.
Adrian Shatku dhe kompania Unifi Communication Inc kanë kryer pagesa në shumën 253.285 lekë për llogari të partisë LSI me qëllim mbulimin e shpenzimeve që lidhen me ekzekutimin e kontratës së këshillimit që Lëvizja Socialiste për Integrim ka lidhur me kompaninë Global Security & Innovative Strategies LLC.
Ema Çoku i ka transferuar Adrian Shatkut dhe Unifi Communication Inc shumën 220,000 dollarë nga të cilat 100,000 USD janë derdhje cash të copëzuara brenda një dite në të njëjtën llogari nga persona pa të ardhura (punonjëse të B.S.K shpk).
Kompania B.S.K dhe vetë Ema Çoku, kanë paguar shuma nga 3,000 Euro; 4,465 Euro; 10,000 Euro; 867,000 lekë; 1,142,000 lekë deri në 4,100,000 lekë, për aktivitete të LSI-së dhe të përfaqësuesve të kompanisë JPM Strategic Solutions LLC që kanë kryer aktivitet në Shqipëri për llogari të LSI-së.
Sipas organit të akuzës arrihet në konkluzionin se Ilir Meta me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Me këtë cilësi, personi nën hetim Ilir Meta (Metaj), ka ndërmarrë veprime aktive kriminale, me qëllim fshehjen e natyrës së vërtetë, origjinës dhe burimit të fondeve të cilat janë përdorur për të financuar kontratat e lobimit, duke ditur që këto para janë produkt i veprës penale ose veprimtarisë kriminale.