BallinaAktualitetVendimi/GJKKO lë në burg Ilir Metën, ja çfarë u caktua për Kryemadhin,...

Vendimi/GJKKO lë në burg Ilir Metën, ja çfarë u caktua për Kryemadhin, Xhixhon dhe Çokun

spot_img
spot_img

Ka përfunduar në GJKKO seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj ish-presidentit Ilir Meta, deputetes Monika Kryemadhi, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.

Seanca gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi ka përfunduar pas disa orësh përplasje mes Metës dhe gjyqtarëve.

GJKKO rikonfirmoi masën arrest me burg për Ilir Metën dhe masën detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin.

Gjithashtu mësohet se GJKKO rikonfirmoi masën detyrim paraqitje për  Ema  Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Pirro Xhixhon, për të cilin është vendosur masa “detyrim paraqitje” nga arrest shtëpie që ishte.

Seanca maratonë ka nisur prej orës 09.30, por u ndërpre në 10:30 për të rinisur më pas në 13:30.

Ish-presidenti ka kaluar dy netë në bllokun e sigurisë tek Mine Peza dhe pas seancës së sotme në GJKKO, ku ndodhet për konfirmimin e masës së sigurisë, do të dërgohet në qelitë e paraburgimit.

Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua ditën e hënë për akuzat korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat vepra penale akuzohet dhe Kryemadhi. Sot para Gjykatës dolën Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

 Vendimi i GJKKO:

Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 22.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, e caktuar me vendimin nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personave nën hetim Ilir Metaj, Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku”.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

  1. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 237 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 130, datë 23.10.2024, vendosi: 1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Ilir Metaj, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të K.Penal.
  2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Monika Kryemadhi, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 (dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të K.Penal.

Personi nën hetim Monika Kryemadhi detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 12.00.

  1. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj personit nën hetim Piro Xhixho me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
  2. Personi nën hetim Piro Xhixho detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:30.
  3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Ema Çoku, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 287/2 i K.Penal.
  4. Personi nën hetim Ema Çoku detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:00.
  5. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi.
  6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brënda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës.

Sipas SPAK, akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci.

Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsionit pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje para oficerëve të policisë gjyqësore për akuzën e pastrimit të parave.

Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular