Për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme ish zv drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj ka dhënë sqarime për dosjen e 21 janarit.
Në një deklaratë për mediat pasi doli nga SPAK, Kuliçaj deklaroi se prokurorëve i shpjegoi të gjitha veprimet e policisë në atë kohë, por tha se nuk mund të japë më shumë informacion për shkak të sekretit hetimor.
“Dhashë shpjegimet e mia në lidhje me 21 janarin. Shpjegova të gjitha veprimet e policisë në ditën e ngjarjes. Nuk mund të flas më tepër për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor” tha Kuliçaj pasi doli nga SPAK.
Ndërkohë ditën e djeshme (23 Tetor) u paraqit në Prokurorinë e Posaçme edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
“Dhashë sqarime si person qe ka dijeni për ngjarjet e 21 janarit. Plani i masave është 50 faqe, nuk mund ti komentoj. Policia ka bërë një plan të detajuar masash për 21 janarin dhe ka zbatuar ligjin. Kam zbatuar ligjin. Nuk kemi pasur asnje urdher per te reaguar. Policia ka duruar dhune ekstrem dhe nuk ka perdorur as arme dhe as dhune ndaj protestuesve. Urdherarrestet jane ekzekutuar ”, tha Burgaj për gazetarët pasi doli nga SPAK.
Kujtojmë qe ne korrik, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar procedimin penal për dosjen e 21 janarit, ku gjatë protestës së asaj kohe u vranë 4 qytetarë të pafajshëm.