Ish-pedagogu maqedonas boton librin ku cilëson UÇK-në si organizatë terroriste, reagon ashpër ASH: Provokim i rëndë ndaj shqiptarëve

0
222

Edhe pas 23 viteve nga konflikti i armatosur në Maqedoni, disa intelektualë maqedonas vazhdojnë ta quajnë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, organizatë terroriste.

Kjo është pasqyruar edhe në librin e botuar dhe promovuan ditët e fundit nga profesori në pension, Ivan Babanovski, i cili mban titullin: UÇK-ja organizatë terroriste paraushtarake në Maqedoni.

Ajo që ka shkaktuar edhe më tepër debat, është pjesëmarrja e kryetarit të Kumanovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Znam, Maksim Dimitrievski, i cili është partner i koalicionit qeverisës.

“Sot do të promovojmë librin, i cili do të jetë dëshmitarë, se jemi të informuar se kush ka qëlluar në Maqedoni, jemi të informuar se kush i ka dërguar në Maqedoni për të qëlluar mbi qytetarët, në të gjithë nacionalitetet dhe kush prej maleve me automatik kanë ardhur dhe e kanë zaptuar kuvendin dhe qeverinë e Maqedonisë. Megjithatë, me ndihmë të intelektualeve të rinj të etnitetit shqiptar, ne kemi arritur t’ju tregojmë bartësve të terroristëve kriminel, në veprimtari korruptive në Maqedoni, mjaft dhe asnjëherë më, mos të përsëritet 2001-shi, kur vriteshin qytetarët tonë, edhe nga njeri, por edhe nga tjetri entitet”, u shpreh autori i librit.

Në lidhje me këtë botim ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, dhe pas pjesëmarrjes së kryetarit të ZNAM Maksim Dimitrievskit dhe nënkryetares së Kuvendit, Vesna Bendevska.

Sipas ASH-ja ky është një provokim i rëndë për shqiptarët.

“Pjesëmarrja e partnerit të koalicionit qeveritar, Maksim Dimitrievski dhe Nënkryetares së Kuvendit, Vesna Bendevska, në promovimin e librit që ofendon rëndë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, është një provokim i rëndë për shqiptarët dhe rikthim në plagët e vjetra të cilat është punuar ndër vite për t’i mbyllur.

Ky gjest është vetëm vazhdimësi e zhvillimeve të njëpasnjëshme kundër shqiptarëve dhe për forcimin e nacionalizmit maqedonas kundrejt të gjitha bashkësive etnike më vend.

Kjo Qeveri monoetnike dhe jolegjitime, punon çdo ditë për devalvimin e vlerave dhe arritjeve të deritanishme. Ndërkohë partitë e VLEN në gjithë këtë situatë shërbejnë vetëm si lule dekori në saksitë e Mickoskit.

Tanimë është më se e qartë se kush dëshiron të nxisë destabilizim, duke prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në plagët e luftës”, thotë ASH e Ziadin e Selës.