EMRAT/Problemet me korrupsionin, Veliaj ndryshon 12 drejtorë të bashkisë

0
67
Kryetari i ri i Bashkise se Tiranes, Erion Veliaj, duke folur gjate ceremonise se prezantimit te 24 administratoreve te rinj te Bashkise se Tiranes./r/n/r/nMayor of Tirana, Erion Veliaj, speaks during presentation of 24 new administrators of the Municipality of Tirana.

Ndryshimet prekin drejtoritë që menaxhojnë sektorë me rëndësi për kryeqytetin dhe vijnë në një moment kur shumë ish-drejtues apo drejtorë aktualë të kësaj bashkie po përballen me akuza për korrupsion.

Akuzat kryesore për korrupsion lidhen me të ashtuquajturën “Dosja 5D,” e cila çoi në arrestimin e Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, dy drejtues jetëgjatë të bashkisë Tiranë gjatë qeverisjes së kryetarit Erion Veliaj. Ata akuzohen për manipulim tenderësh, korrupsion dhe pastrim parash.

Gjykata e Posaçme vendosi masa sigurie në prill të këtij viti edhe për disa drejtorë të tjerë të bashkisë, të akuzuar për manipulim tenderësh.

Me ndryshimet e reja, duket se kryebashkiaku Veliaj ka riformatuar pothuajse të gjithë ekipin e tij duke ndryshuar drejtimin e 12 drejtorive, pa dhënë një argumentim publik për këtë vendim.

Në krye të Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve do të shkojë Elda Muçi, e cila zëvendëson Elton Kacidhen, i cili po përballet gjithashtu me hetime nga Prokuroria e Posaçme për përfshirjen në dosjen 5D. Në krye të Policisë Bashkiake do të jetë Toni Beni, në Ndërmarrjen e Rrugëve dhe Ndriçimit – Piro Sinjari, në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit – Blerta Dardha, Tirana Parking – Flavio Barçi, në menaxhimin e Qytetit Studenti – Renato Pashollari, ndërsa Kopshti Zoologjik do të drejtohet nga Ervis Rrahmani.

Veliaj ka ndryshuar gjithashtu drejtorët e dy qendrave sociale dhe drejtimin e Shtëpisë Studio “Kadare-Agolli.”

As zyra e shtypit e Bashkisë dhe as kryebashkiaku Veliaj nuk iu përgjigjën pyetjes së BIRN-it për arsyet e këtyre ndryshimeve deri në publikimin e këtij shkrimi.

Duke marrë shkas nga akuzat e ngritura nga prokuroria për korrupsion ndaj ish-drejtuesve të bashkisë, opozita ka nisur një valë protestash të përjavshme para godinës së bashkisë Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj dhe duke e bërë atë përgjegjës direkt për aferën korruptive “5D.”

/BIRN/