Një konflikt i papritur mes dy fqinjëve në Bllokun e Lezhës ka eskaluar deri në përdorimin e sëpatës.
Si pasojë e këtij incidenti, njëri prej tyre ka pësuar plagë. Policia raportoi se rreth orës 17:35, në Balldre, për shkak të një mosmarrëveshjeje të vogël, është dëmtuar me një mjet prerës, shtetasi L. M., 47 vjeç, i cili aktualisht po merr trajtim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se 47 vjeçari është goditur nga shtetasi S. B. dhe djali i tij, N. B., gjatë një konflikti fizik mes tyre.
Po ashtu, nga ngjarja ka pësuar lehtë edhe shtetasi N. B., i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore do të shoqërohet në komisariat për veprime të mëtejshme.
Nga hetimet është evidentuar se ata dyshohet se kanë thyer xhamin e parë të automjetit në pronësi të 47-vjeçarit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Ndërkohë, policia po kryen kontrolle për kapjen e shtetasit S. B.