Kreu i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se kryeministri Edi Rama, sillet si “turist” në krye të një prej vendeve më të varfra dhe më të korruptuara të Europës.
Sipas Bashës, Rama po përpiqet të mashtrojë qytetarët me sukseset imagjinare të qeverisë së tij, ndërkohë që realiteti tregon një situatë të përkeqësuar.
Në postimin e tij, Basha thotë se kryeministri është rikthyer tek vendi i krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal, agjentin e kundërzbulimit të partnerëve tanë strategjikë, duke dëshmuar se nuk respekton vlerat e vendit që bujarisht na ka ndihmuar dhe mbështetur.
Basha thotë se imazhi i suksesit të Ramës janë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, zv/kryeministri Arben Ahmetaj, si dhe figura të tjera të cilat, sipas tij, janë përgjegjëse për keqpërdorimin e fondeve publike dhe kriminalizimin e institucioneve.
Ai më tej thotë se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një udhëheqje të re që të punojë për të përmirësuar jetën e tyre dhe për t’i dhënë fund korrupsionit që ka përkeqësuar varfërinë dhe ka nxitur shpopullimin masiv të vendit.
Postimi i plotë i Bashës:
Kryeministri turist i vendit më të varfër dhe me të korruptuar në Europë, mund të gënjejë veten, por jo qytetarët.
Sot është kthyer në vendin e krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal, agjentin e kundërzbulimit të partnerëve tanë strategjikë, duke dëshmuar se nuk respekton vlerat e vendit që bujarisht na ka ndihmuar dhe mbështetur, por ato të autokratëve lindorë.
Sukseset imagjinare të qeverisë së tij kanë imazhin e Saimir Tahirit si ministër të Brendshëm i kriminalizimit të institucioneve, e Arben Ahmetaj si zv. kryeminsitër i korrupsionit masiv, e Beqaj të Shëndetësisë së vjedhur, e Kokës së bandës së inceneratorëve, e Krifcës së fondeve të zhvatura të BE-së, e Çyrbes si ura e Ramës me botën e krimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve, e Veliaj të 5D-së, e Xhaçkës për të cilën grisi Kushtetutën, dhe dhjetra emra e zullume që Rama i ka mbrojtur dhe inkurajuar, ndërsa bashkëqytetarët tanë anembanë botës nuk kanë për t’i harruar.
Rama që flet për drejtësinë si drejtuesi i qeverisë më të korruptuar në Europë, në fakt, është arkitekti i vonesave të saj, të cilat u dekonspiruan dhe bllokuan nga partnerët strategjikë kur kërkoi të fuste duart e tij të pista në garën për drejtuesin e SPAK dhe në hetimet për inceneratorët.
Teksa vendi i afrohet zgjedhjeve dhe Rama ka më shumë bashkëpunëtorë në burg sesa në krah, duhet të kujtojmë se për 12 vjet ai kishte të gjithë pushtetin për të bërë mirë, por zgjodhi të punojë për interesat e tij, jo të familjeve shqiptare, që gjatë qeverisjes së tij janë varfëruar e përgjysmuar nga shpopullimi masiv.
Shqipëria meriton më shumë!