Të njëjtën drejtësi që e e ka vënë nën akuzë për korrupsion Sali Berisha kërkoi të zhbëhet.
Ndonëse ishte një nga 140 votat konsensuale në miratimin e reformës 8 vite më parë, rrethanat e sotme e kanë bërë të behet pishman.
“PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian, vendeve partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të kriminalizuar, të kontrolluar në çdo qelizë të saj nga kreu i narkoshtetit Edi Rama dhe regjimi i tij. Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë“-u shpreh Berisha.
Në rrjetën e drejtësisë se re e cila ka besimin e ndërkombëtarëve po bien politikanë të të dyja krahëve. Ilir Meta nuk pati fatin e aleatit të qëndrojë në shtëpi por u dërgua menjëherë ne qeli. I rreshtuar krah metës publikisht, Berisha habiti jo pak kur i bëri thirrje Monika Kryemadhit të flasë për 460 mijë euro që i ka dhënë Edi Ramës.
A po i kërkoni Monika Kryemadhit të kthehet në një të penduar të drejtësisë, apo pranoni që deklarata juaj, ishte një lapsus.
“A e kuptoni ju se Altin Dumani është ndoshta më kriminel se Nuredini? Çka nënkuptoja se për mua ishte njëlloj si të më thoshin se a duhet të bëhet e penduar Monika Kryemadhi tek Nuredin Dumani”-u përgjigj Berisha.
Sali Berisha ka vendosur të sulmojë Altin Dumanin dhe Edi Ramën vetëm nga banesa e kthyer në zyrë partie. Ai do mungojë në protestën me bllokim rrugësh që mbahet të martën në orën 17:00 ku parashikohen qe te bllokohet qarkullimi në 6 akse rrugore, rrethrrotullimi tek sheshi shqiponja, Milot, Rrogozhinë, Shkozet, Levan dhe rrethrrotullimi i Bradahsheshit.
“Diktatura të ardhme nuk ka. Me datën 29, shqiptarët të gjithë në protestë.”