Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar (PBK) dhe ish-deputeti, Artur Roshi, u mor sot në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Roshi, pas 3 orësh marrje në pyetje, ka deklaruar për mediat se u thirr për një pretendim për ndërtim në Sarandë, ndërsa shprehu se nuk beson që është nën hetim.
“Nuk është se kam ndonjë interes për t’u shprehur para mediave, por meqë ju këmbëngulni, unë them se ishte një gjë rutinë që kishte të bënte me një problem të hershëm me një pretendim të jashtëligjshëm nga ana ime në qytetin e Sarandës. Në lidhje me disa blloqe betoni që ishin hedhur në pronën time që kishin të bënim me trotuarin e rrugës, i cili u ndërtua me një leje ndërtimi sipas lejes së Bashkisë së Sarandës dhe me një togë rëre i cili edhe ai sipas deklaratës së punimeve ishte po me lejen e bashkisë së Sarandës. Thjesht dhashë përgjigje për këto. Nuk besoj që jam nën hetim”, deklaroi ai.
Kujtojmë se Roshi është dënuar nga Apeli GJKKO me një gjobë totale prej 800 mijë lekësh, për shpifje dhe fyerje, në vitin 2022.
Paratë Roshi duhej t’ia jepte Ardit Cikulit, pasi kishte shpifur në drejtim të këtij të fundit.
Konflikti mes Roshit dhe Cikulit nisi pasi ky i fundit e denoncoi se po tenton të përvetësojë një tokë shtet, ditën për diell e në sy të zyrtarëve të institucioneve.