Reperi i njohur Noizy, pak muaj më parë u përfshi në një incident të dhunshëm ndaj Medi Isenit. Ai u arrestua dhe u lirua me kusht kundrejt një shume të madhe parash.
Mirëpo kjo ngjarje ka sjellë disa pasoja për reperin shqiptar, ai nuk lejohet të hyjë në SHBA për shkak të çështjes së hapur penale.
Këtë e ka bërë vetë të ditur Noizy me anë të një postimi në Instagram teksa njofton me keqardhje se nuk do të jetë pjesë e turnut të Amerikës.
“Me keqardhje ju njoftoj se nuk do jem prezent në turneun e Amerikës këtë rradhë, problemi ishte tek vizat. Gjithsesi uroj që shumë shpejt të jem pranë jush”, ka shkruar Noizy.
Ngjarja
Kujtojmë se Noizy u lirua nga qelia pak ditë më parë me vendim të Gjykatës së Durrësit, ndërsa Kosova e ka shpallur në kërkim, pasi e akuzon se bashkë me grupin e tij ka dhunuar personazhin e “TikTok”, Medi Iseni.
Seanca gjyqësore për Rigels Rajkun u zhvillua më 16 gusht, ndërsa për t’u liruar reperi ofron garanci pasurore 50 mln lekë të vjetra.
Vendimi është marrë nga gjykata dhe sipas parashikimeve ligjore, garancia pasurore duhet të depozitohet brenda një afati 5 (pesë) ditor.
“Shtetasi Rigels Rajku do të qëndrojë me masë sigurimi “arrest në burg”, deri në depozitimin e garancisë pasurore. Pas depozitimit të shumës përkatëse, duhet të njoftohet menjëherë prokurori, i cili në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, duhet të verifikojë dokumentacionin përkatës dhe të urdhërojë, sipas rastit, lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim ose konfirmimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.”
Pas pothuaj 10 ditësh në paraburgim, Noizy la qelinë pas vendosjes së garancisë pasurore. Kujtojmë që pas arrestimit të tij në Lezhë, gjykata e la në burg artistin e njohur.Por pas gati 10 ditësh, çështja ka kaluar në Gjykatën e Durrësit, ku edhe Noizy ia ka dalë që të fitojë lirinë.
Në kërkim për të njëjtën ngjarje është edhe reperi tjetër Arkimed Lushaj, njohur me emrin e tij të artit, Stresi. Noizy u arrestua në Shëngjin më 7 gusht, pasi akuzohet për plagosje të rëndë në një klub nate në Pejë. Në pranga bashkë me Rigels Rajkun ra edhe miku i tij Bahtjar Bajraktari i njohur si DJ Crax.
Sherri mes pjesëtarëve të grupit OTR dhe personazhit të njohur të “Tik-Tok” Muhamet Iseni, i njohur si Medi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 2 gushtit në klubin e natës “Sancy” në Pejë. Shkak i përleshjes dyshohen videot të “Tik-Tok” të Medit, i cili prej kohësh ofendon reperat Noizy dhe Stresi.
Vetë Stresi dhe Noizy kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me sherrin dhe nuk kanë ndërhyrë për të rrahur Medin Isenin, me të cilin kishin zënka në rrjetet sociale. Medi Iseni nga ana tjetër akuzon se “u pre në besë” nga Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij.
Pas këtij vendimi, reperi tjetër, i cili ndodhet në arrati i përfshirë në të njëjtën ngjarje, Arkimed Lushaj (Stresi), ka reaguar me anë të një insta-story në “Instagram”.
“Happy for u Zin” shkruan Stresi, në një foto ku shihen të dy përqafuar.