Duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, çdo qytetar që ka punuar në ish-ndërmarrjet shtetërore a kooperativë nuk do të ketë më nevojë të endet për të mbledhur dokumentacionin që vërteton punën e kryer.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të njohë apriori çdo ditë pune, mjafton të vërtetojnë që kanë banuar në fshat asokohe dhe nuk kanë qenë të dënuar, për të njohur kontributet për punën e kryer përpara viteve 1991. Të gjitha këto detaje i ka dhënë në një intervistë televizive, kreu i ISSH, Astrit Hado.
“Përmes ligjit që shpresojmë të miratohet dhe të hyjë në fuqi nga janari i 2015-ës, mbase edhe më herët, do të njohim të gjithë periudhën e moshës nga 18 vjeç deri në shtator të ’91 kur kanë funksionuar kooperativat bujqësore dhe deri në fund të ’93 për ata që kanë punuar në ish-ndërmarrjet shtetërore. Do ua njohim vitet e punës “afrofe” pa u kërkuar asnjë lloj dokumentacioni, vetëm përmes një deklarate apo certifikate që ta vërtetojë që ka qenë në fshat në atë datë”, deklaroi Hado.
Kështu, në qoftë se një person del në pension 65 vjet, i bie që në vitin 1991 të ketë qenë 31 vjeç. Nëse ai ka jetuar në fshat nga mosha 18 vjeç deri në 1991, do t’i konsiderohet automatikisht vjetërsi pune, pa u verifikuar fare. Nisma ligjore është në fazë konsultimi publik dhe pasi të marrë komentet shtesë do të dorëzohet në Këshillin e Ministrave. Ligji zgjidh të gjitha anomalitë që kanë dokumentacionet si: shkurtim emrash, gabime regjistri, mungesë e dokumentacionit të paprovuar e shumë të tjera.
Nëse deri dje qytetarët shkonin në gjyqe për të zgjidhur çështjen e viteve të punës së kryer, por me mungesë në dokumentacion, tanimë nuk do të jetë më e nevojshme. Plotësimi i dosjes në këtë rast nuk do të kërkojë as kohë as kosto ekstra. Nuk janë pak, por tetë mijë qytetarë përfitues, të cilët deri dje adresonin problematikën e viteve të punës në komisionet administrative të ISSH e deri në gjykatë.
“Ne kemi 3 mijë gjyqe çdo vit, plus pesë mijë raste të tjera që i zgjidhim në mënyrë administrative në komisionet tona. Ne kemi një volum të jashtëzakonshëm pune. Qytetarët i marrin lekët, por me vonesë. Tanimë nuk do të kenë nevojë ta bëjnë një gjë të tillë”, shtoi më tej kreu i ISSH-së. Ky ligj, sikundër edhe të tjerët, nuk ka efekt prapaveprues, sqaron Hado.
“Do të ketë efekt vetëm për ata që janë në proces gjyqësor që automatikisht do u mbyllen gjyqet dhe atyre që janë në proces ankimimi administrativ. Por nuk ka fuqi prapavepruese. Ka ngelur rreth 15- 16 vjet nga periudha e komunizmit, për ata që dalin në pension. Ka një logjikë dhe kalkulimi financiar për momentin që është zgjedhur për ta bërë një gjë të tillë”.
SKEMA E PENSIONEVE
Shëndoshja e financave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore vijon të mbetet një gangrenë prej më shumë se tri dekadash. Të rinj në emigrim apo që paguhen në të zezë ose një pjesë të saj e marrin në dorë në rastin më të mirë ka prishur balancat duke bërë që qeveria të detyrohet të mbulojë gropën që krijohet për dhënien e pensioneve. për këtë arsye, në tetor qeveria ka nisur një aksion kundër informalitetit të pagave.
“Pesha specifike që zënë pensionistët është më e larta në Evropë, çka do të thotë se duhet adresuar sa më parë problemi financiar. Pra, kush do t’i paguajë ata?! Jemi koshientë që pensionet në Shqipëri janë të ulëta. Pensionet nuk janë detyrim i qeverive, kushdo që është në pushtet. Pensionet janë detyrim për t’u paguar ndaj atyre që kanë punuar dhe skemat e pensioneve nuk financohen nga taksat e përgjithshme, por nga puna e paguar. Ne që jemi në moshë pune dhe marrim paga, fillojmë heqim një pjesë të pagës tonë (përgjithësisht është ¼ e pagës bruto) e cila kursehet për t’u financuar në momentin kur plakemi. Qeveria hyn në lojë në momentin kur të ardhurat e mbledhura nga kontributet nuk mjaftojnë për mbulimin e skemës së pensioneve. Por, nëse do të kishim më shumë të ardhura ose kontribute nga ato që nevojiten për pensionet, qeveria nuk ka asnjë lloj të drejte të prekë lekët kontributivë. Sepse ato nuk janë të para publike si taksat dhe qeveria e ka të ndaluar me ligj t’i prekë”, bën me dije Astrit Hado.
Pra, nëse ISSH mbledh 2 miliardë lekë dhe shpenzon 1.5 miliardë, pjesën e mbetur qeveria nuk mund ta marrë dot për ta bërë as shkollë, as rritje rroge, asgjë. Aktualisht jemi në kushtet kur 450 milionë euro paguhen nga qeveria për pjesën deficitare të skemës së pensioneve, çka ka diktuar nevojën për një reformë të re pensionesh, pas asaj të fundit që daton në vitin 2015. Kjo, për faktin se deficiti rëndon vetë qeverinë.
“Nëse nuk rriten të ardhurat kontribuitive, së pari qeveria detyrohet të heqë para mënjanë nga taksat e përgjithshme që duhen për të bërë gjëra të tjera dhe nga krah tjetër nuk krijon hapësirë për skemën që të rriten pensionet, por vetëm të indeksohen. Indeksimi në vetvete është detyrim ligjor, jo dëshirë e qeverisë. Ajo që kërkojmë ne është që të na vijnë të ardhura kontribuitive për aq sa paga reale janë. Pastaj, në bazë të kësaj të bëjmë llogaritë, këto para të mbledhura për sa mjaftojnë? Dhe nëse grumbullohen si mund të shpërndahen te pensionistët”, thotë Hado duke shtuar më tej se problemi nuk është se çfarë do të bëjë qeveria sot, por çfarë do të ndodhë me skemën e pensioneve 20 apo 30 vitet e ardhshme.
Sipas tij, një rritje e pensioneve sot e pa llogaritur dhe studiuar mirë, do të çojë në harkun të dhjetë viteve gropa të mëdha financiare që s’do ketë mundësi as buxheti i shtetit t’i mundësojë.
“Nëse rriten sot pensionet me 10 për qind, efekt financiar është 180 milionë euro në buxhet për të vajtur në 2030-ën 400 milionë euro. Atëherë borxhi do thellohet më tej”.
Aksioni antiinformalitet sipas kreut të ISSH jo vetëm që e ndihmon skemën e sigurimeve, por mbi të gjitha vendos parimin e drejtësisë sociale ku të gjithë paguajnë njëlloj për ato që marrin. /Gazeta Panorama