Dhoma Amerikane e Tregtisë sugjeron qeverinë shqiptare të bëjë ndryshime në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar bazuar në direktivat evropianë. Në komentet e dhëna mbi strategjinë afatmesëm të të ardhurave 2024-2027, Dhoma Amerikane e Tregtisë, propozon që të shikohet mundësia për të aplikuar një normë më të ulët të TVSH-së, për produktet e shportës. Aktualisht në Shqipëri TVSH për produktet ushqimore është 20%, ndërsa shumë vende të Evropës aplikojnë norma të reduktuara nën 10 për qind.
Po ashtu, Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon nga qeveria shqiptare që të rishikohet sërish skema e tatimit mbi pagat, ku sugjerohet që ndryshimi të bëhet brenda fundit të vitit 2024, duke u fokusuar në rritjen e pragut të patatueshëm dhe rritjen e kufirit për të cilin aplikohet norma 13% dhe 23%. Aktualisht sipas ligjit të në fuqi, pagat deri në 50 mijë lekë nuk paguajnë tatim, ndërsa pagat deri në 200 mijë lekë paguajnë një normë tatimore 13 %, dhe mbi këtë nivel aplikohet norma prej 23 %. Gjatë këtij viti qeveria synoi të ndërmerrte një iniciativë për të rritur kufirin e sipërm të tatimit me 13 %, por që ende nuk është finalizuar.
Dhoma Amerikane e Tregtisë gjykon gjithashtu, se qeveria nuk duhet të rrisë normat tatimore, por të zgjerojë bazën e tatimpaguesve, duke kundërshtuar në këtë pikë rritjen e tatimit mbi pasuritë.
“ Anëtarët e Dhomës janë të shqetësuar për kostot e larta që rëndojnë mbi bizneset dhe qytetaret sidomos për tatimin mbi pasurinë, sigurimin nga tërmeti dhe përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit. Duhet bërë një analizë e përgjithshme se si këto ndikojnë bashkërisht në barrën fiskale” thuhet në rekomandimet e bëra.
Duke qenë se qeveria ka nisur dhe një fushatë antiinformalitet, Dhoma Amerikane e Tregtisë sugjeron hartimi e një politike për luftën kundër informalitetit dhe ndjekjen dhe implementimin e saj gjatë gjithë kohës. Sipas bizneseve amerikane, eksperienca ka treguar se fushatat kundër informalitetit (psh fushatat në bregdet në kohën e sezonit turistik) nuk kanë funksionuar.