Këshilli i punonjësve i Volkswagen-it thotë se grupi industrial do të shkurtojë mijëra vende pune. Hapi vjen në një kohë kur prodhuesit e automjeteve po përballen me kosto të larta prodhimi.
Gjigandi gjerman i automobilave Volkswagen (VW) planifikon të mbyllë të paktën tre fabrika në Gjermani, njoftoi të hënën këshilli i punonjësve i kompanisë.
“Bordi menaxhues e ka shumë seriozisht këtë. Nuk bëhet fjalë për tregim force para raundit të negociatave kolektive,” u tha Daniela Cavallo, kryetare e këshillit të punonjësve të Volkswagen-it, disa qindra punonjësve në Wolfsburg, cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.
“Ky është plani i grupit më të madh industrial gjerman për të filluar shitjen në vendin e vet të origjinës, Gjermani”, shtoi Cavallo, pa specifikuar se cilat fabrika do të preken ose sa nga pothuajse 300.000 punonjësit e kompanisë në Gjermani mund të pushohen nga puna.
“Të gjitha fabrikat gjermane të VW janë prekur nga këto plane. Asnjë prej tyre nuk është e sigurtë,” tha Cavallo, duke iu drejtuar punonjësve të VW në selinë e kompanisë në Wolfsburg.
Cavallo tha se VW po kërkon gjithashtu një ulje pagash prej 10% dhe jo rritje të mëtejshme të pagave gjatë dy viteve të ardhshme. Cavallo dhe drejtues të tjerë të sindikatave VW premtuan rezistencë të ashpër ndaj shkurtimeve.
Sindikata e punëtorëve shpreh indinjatë
Sindikata IG Metall, e cila përfaqëson një pjesë të madhe të fuqisë punëtore të kompanisë, ka shprehur pakënaqësinë e saj të thellë për lajmin.
“Është një ngulje thike thellë në zemrën e punëtorëve të VW,” tha drejtori i qarkut IG Metall Thorsten Gröger, sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA.
“Presim që Volkswagen-it dhe bordi i tij i drejtorëve të paraqesin koncepte të qëndrueshme për të ardhmen në tryezën e negociatave, në vend të fantazive të shkurtimeve, ku pala e punëdhënësve deri tani ka paraqitur pak më shumë se fraza boshe”.
Prodhuesit evropianë të automobilëve përballen me konkurrencë në rritje nga automjetet elektrike më të lira kineze.
VW shënoi një rënie prej 14% në fitimin neto në gjysmën e parë të vitit dhe u detyrua të ndërpresë një marrëveshje prej dekadash për garantimin e punës me sindikatat në Gjermani.
Objektivi është “ruajtja dhe sigurimi i vendeve të punës”- Qeveria Gjermane
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Wolfgang Büchner tha se Berlini ishte i vetëdijshëm për sfidat e VW dhe kishte qenë në komunikim të ngushtë me kompaninë dhe përfaqësuesit e punonjësve.
“Pozicioni i kancelarit për këtë çështje është i qartë, megjithatë, domethënë se vendimet e menaxhimit të dobët eventual të së kaluarës nuk duhet të shkojnë në dëm të punëtorëve. Qëllimi tani është ruajtja dhe sigurimi i vendeve të punës”, tha zëdhënësi në një konferencë të rregullt.
VW ka gjithsej 10 fabrika në Gjermani, gjashtë prej tyre janë të vendosura në landin e Saksonisë së Poshtme, tre në landin lindor të Saksonisë dhe një në Hessen, në perëndim.
aud (kb/Reuters, dpa AFP)