QËNDRESË
Në jetë ka rënie, ka të përpjeta
Burri nuk mbytet me lotët e veta.
Trimi kalon jetën gëzuar,
Mjelma vdes duke kënduar.
ZËRI I MOTRËS
Më duket ka diçka të ngjashme
Me melodinë e fyellit
I ëmbli zëri i motrës
në momentin e trishtimit.
NJË SHEKULL
Na dhunoi varfëria
Një shekull në këtë vend
Kultura dhe lumturia
Nuk dhurohen si një send.
NË MALET TONA KA UJQËR
Në malet tona ka ujqër,
Ruaju, bir, në çdo shteg…
Jeta vetë është e pa drejtë,
Nuk mjafton të jesh sheleg.
Gurët e vegjël, i merr lumi.
Rrokullisen të mëdhenjtë tatëpjetë.
Sa e bukur dhe e këndshme,
Është dhe e vështirë… kjo jetë.
PLEPI
Në agorenë e Shumbatit
Te plepi 300 vjeçarë,
Nën hijen e tij, burrat e fshatit
Vinë karar.
Pa protokoll, karari i vjetër,
Shkruhej në zemra
E jo në letër.
THJESHTË
Me moshë i zgjerojmë kufijtë e njerëzores,
Në mënyra të ndryshme dashurojmë.
Njeriu gërmon në tokën e tij
dhe nuk kërkon lavdi.
NË FUSHËN E BETEJËS
M’u turbullu’ mendja në kokë
Më ra plumbi m’u në ballë
Vrik në mujshi more shokë
M’çoni, t’më shoh baba gjallë.
Trimi i çartur për vatan
As jetën s’e ka pishman.
KRUSHQIT U NGRINË
Nga dhembja për bijtë e saj
Noibe u shndërrua në gur.
Në rrugën e ngushtë të Korabit
Krushqit u gurëzuan.
Veleshica gërget me rrokopujë
Radha e gurëve me nusen në kalë
Bëjnë roje në Ujemujë.
NË FSHAT
U dogjën nga malli lulet në lëndinë
Në lagjen e fshatit tim Jakovinë.
Kumbullat në degë u bënë stafidhe
U thanë në degë qershitë.
Fshati im i begatë,
Me pleq si kërcunj të thatë,
Me lisat e dushkut ngjajnë…
LULKUQJA DHE MANUSHAQJA
Lulkuqja e bukur,
Pa erë.
Manushaqja e bukur,
Me erë,
Dyfish e vlerë.
RRËZË KORABIT
Kur udhëtoj rrëzë Korabit
Më shfaqet fush’ e Shumbatit
Si një vajzë e bukur, trend
Të del befas dhe të çmend…
Fryn aromë lulesh
Në cep të pranverës,
Vendlindja.
KOHË BALOZËSH
Jetojmë kohën e balozëve
kemi mbetur të shashtisur
Hiqemi ngadalë mënjanë
Për të parë rrugën e nisur.
U ÇMEND NATA
U çmend nata duke menduar
Të nesërmen e panjohur.
Ikën të rinjtë
Kanë mbetur pleqtë
Që nuk ngopen as me oksigjen.
Shoqe u bëhet një mace,
Shok u bëhet një qen.
PËR FREDERIK RRESHPJEN
Ti ende ec, troket trotuareve
Me bastunin e kapelen e vjetër
Njërin nga librat lirikë lexoj
Tjetri zë radhë për natën tjetër.
Jeta s’të pati vlerë personale
Ajo qe jeta, e madhe, e jona
Poezia, ende shkumëzon e bardhë
Si dallgët që sjell Drini e Valbona.
Në qiellin shqiptar me diell e me re
Ti rritesh e rritesh e varri s’të nxe.
Kështu ndodh kur gjërat maten me malet
Besa, trimëria, edhe fjalët…
FËMIJËRIA
Më i tërhequr se të tjerët
Unë kam qenë në fëmijëri
Veçse jetën e mendoja
Si një çështje me rëndësi.
Dhe me vete mërmërisja
Shprehjen që më rri ndër mend
“Jeta do jetë e vështirë,
Jeta s’përkëdhel askënd!”
PENSIONISTËT
Masin ditët me qindarka
Ditët u dalin më shumë
Pensionistët me kohën mbi shpinë
Mbi dallgë e furtunë.
LUFTËTARI DIBRAN
Ndalu pak Drini i Zi,
Kadalë, mos bën valë,
Në luftë jam nis me mësy
Matanë du me dalë.
Deri sa të heshtojë lufta,
Jetën kam me dhanë
Për kët’ plis që ia kthej arës
Për kët’ Dibrën-nanë.
TASH DITËVERET VIJNË PA TY.
E L E G J I
(Elegji kushtuar vëllait Jasin Mandri)
Mesnatë, 13 mars ’20
na ngriu loti në sy,
u ndave, Jasin, nga kjo jetë,
tash ditëveret vijnë pa ty.
U këput një yll nga toka
dhe iu shtua qiellit,
Për një çast shtangu bota
dhe zemra e Jasinit.
Të dashur ke rreth e qark
shushatur, të mpirë,
hapi sytë, Jasin dhe pak,
na thuaj: lamtumirë!
po jeta sërish vazhdon
brezat venë e vinë
kush e njohu, s’e harron
mësuesin, Jasin!
Me urtësinë tënde ishe mençuria,
Me fjalën e ëmbël ishe kënaqësia,
Me modelin tënd, vetëpërsosmëria.
Kush të pati mësues e s’u mençurua,
Kush të pati mik e s’u miqësua,
Kush të pati shok e nuk u gëzua,
Kush të pati vëlla e s’u mrekullua,
Kush të pati prind e nuk u krenua,
Kush t’pat bashkëshort e s’u lumturua?
I memorizuar te nipër e mbesa,
Gjysh e dajë i dashur, s’hiqesh nga kujtesa…
Po, Ti… ike…ike nga kjo botë kaq shpejt
Sapo të festuam vitin ‘70
S’u ngopën fëmijët me ty, as të mëdhenjtë.
Ike duke lënë familjen në pikëllim
I ke lënë vëllezërit përherë në zemërim.
Katër vëllezër ishim si gishtat e dorës.
Tash ka mbetur prerë gishti i unazës
Si dorë e cunguar, rralluar n’shëmti,
Harmonia jonë qe një mrekulli.
Me lot në sy po hedhim këto vargje
Jasin, mjeshtri i madh, si shqipe në valle
Kudo zbukuroje me shtatin si yll
Nuk di a do lindë një njeri i tillë ?!
Për ty qajmë pa zë, zemra na pikon,
Ende s’e besojmë se Ti na mungon.
Mësues e sportist, model i skalitur,
Të kishim si ëndërr, veç për t’u arritur.
Po kjo botë qenka me dhembje e derte
Gëzimin, harenë i more me vete,
Gjithmonë e kujtoj Jasinin e mirë
Me mendjen e ndritur, me shpirtin e lirë!
Kush të ka njohur, përjetë s’të harron
Te mall i pashuar: rron, rron, rron…!
SI TA NIS PËR TY POEMËN
(Vëllait tim Abdurrahim Mandri)
Si ta nis për ty poemën
Si ta nis, vëllai im
Loti për ty qëndron pezull
Nga mbrëmja gjer në agim.
Çfarë të them për ty më parë
Ti të gjitha na i the
Si me punë dhe me fjalë
Me betim “Pasha kët’ dhe!”
Si ta nis për ty poemën
Ç’të të them, o im vëlla
Kur Ti veç me një vështrim
Thoje gjëra të mëdha.
Si ta nis për ty poemën
Më ndihmo, vëllai im
Nuk gjej fjalë në fjalor
Që ta shpreh kët’ mallëngjim.
Hapen vargjet e poemës
Në plantacinet me blerim
Për ty, malli nuk shterron
O vëlla Abdurrahim!
Dita e parë fillim i motit
Re e zezë i ra Shumbatit
Adrrahimi ka ndërue jetë
Dridhen pemët degë e fletë.
Sapo erdh’ demokracia
Lulëzoi fusha me qershia
Këto vargje sot për ty
Po i shkruaj me lot ndër sy.
Në kantiere me brigada
Ngrite ura, diga të larta
Mjeshtër stani ishe n’bjeshkë
Begatinë sillje në vjeshtë…
Kush si ti qe mjeshtër pune
Shkëmb përballë çdo furtune,
Kudo shkoje, i pari i fisit
Fjalëëmbëli i mexhelisit.
Shtatë fëmijë si shtatë yje
Të rrinë pranë, qëndrojnë mbi krye
Zemrën kush ta ka coptuar,
Vëlla Jasini… i larguar?
Motër Dija jetë ka ndërruar
Nanë e babë pa i harruar.
Me Nailen nën kurorë
O bashkëshorti shembullor
O baba e o vëlla,
Në Shumbat, si Ti, më s’ka!
SEDRA
Marr lek borxh nga goja ia jap fytyrës.
Me gjumë dhe rroba ngopet gjithkush.
Miku më duhet për këshillë e për miell,
Për të qenë dikush.
INTRO
Nëse në çdo gjë dyshon, çmendesh.
Besimi është shëndet,
Bindja të bën të ndeshesh,
Frika të step në çdo prag,
E mora jetën lehtë
Si një aventurë,
Për të vuajtur më pak.
GARDHE
Njerëz të zymtë
Me kostume elegante
I shoh në trotuare.
As paraja s’u jep buzëqeshje
Në kopshtin e dashurisë
Për tjetrin thurin gardhe.
LYERJA
Ministritë lyhen vit për vit
Se dalin boje shpejt.
Gratë për t’u zbukuruar
Burrat, për të ulur vjetë.
PEMA
Dua të mbjell një pemë të madhe
Që të kem hije gjithmonë.
Nuk e duroj tokën djerrë
Ku dielli të përvëlon.
PËRHERË MË E ÇMUAR
Grua, o vepër Perëndie
Të mora të të bëj më t’bukur.
Me dy fëmijë lule prilli
Si dy vathë prej floriri.
Tani nuk jam vetëm unë,
Tani nuk je vetëm ti,
Tani jemi katër njerëz
Katër zëra-polifoni.
Kopshti me lule ndër vite
Nipër-mbesa zbukuruar,
Grua, o vepër Perëndie
Përherë e më e çmuar!