BallinaTe tjeraHistoria e panjohur e Revoltës së Spaçit: Të pajisemi me gurë, tulla...

Historia e panjohur e Revoltës së Spaçit: Të pajisemi me gurë, tulla e hunj! Të mësyjmë vendrojet, të armatosemi e të nisim kryengritjen

spot_img
spot_img

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

Ndërkaq m’u fanitën policët e trembur për vdekje, ndonëse ishin më korrektët dhe procedura e pamundur për ta anashkaluar te porta ndërlidhëse, atëbotë i dhashë të drejtë doktorit dhe poetit: Po, në lugun e Spaçit, në cepin ku: “Emisari i Perëndisë kish mbyllur sytë, kur kish kaluar aty pari dhe kish bërë sikur s’e kish vënë re duke e piketuar burg për TITANËT”, po luhej akti final i tragjedisë makabre, sipari i së cilës do binte vetëm mbasi “Hadi” të kish mbushur mbretërinë me kurme njerëzorë!

“Zoti mos e plotësoftë profecinë e doktorit dhe poetit”, u luta dhe prisja më të keqen paskëtaj.

Dita e dytë, 22 maj

Diku pas mesit të natës, me kapiti gjumi, kur më trandën do breshëri të zgjatura, pasuar nga britmat entuziaste: “Rroftë flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”! “Poshtë komunizmi”, etj.

Kënga patriotike “Eja, mblidhuni këtu-këtu, bashkë me ne”. “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri, o djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje ja liri”, u shoqërua me brohoritje pa fund. Ndërkohë u shtuan krismat, veç automatikëve ushtonte edhe “kola” e mitralozave të lehtë.

Një perde errësuese, nxinte në dritaren e Ali Trombës, teksa pëshpëriste nën zë me Fiqiri Muhën.

“Ç’po ndodh, or miq”? – i ndërpreva pa u drejtuar kujt.

“Mbulo kokën dhe fli”! – ma preu Fiqiriu.

“Hapni dritaren se na morët frymën”! – i luta sepse s’durohej duhma e peceve të shtrënguara.

“Ç’kaqol paske qenë ti or çun, mshil kaptinën se dhe dy muaj të kanë mbetur” – m’u shkreh Aliu. Më shprishën mendsh bataretë dhe trokëllimat e nallave mbi dyshemenë e katit sipër.

Dola jashtë. Mbi ballkon zbardhëllonte qielli, siç dukej, komunistët i trembeshin ndonjë agresioni jashtë gardhit, apo ndonjë invazioni të huaj, ndaj sollën me urgjencë forcat special, që e ndezën qiellin flake, me plumba gjurmëlënës.

Para shkallëve të apelit, brumbullonte një zjarr. Disa dhjetëra vetë, këndonin këngë patriotike, teksa poshtë flakëve zgërdhihej gjysma e surratit të Marksit, mjekra e Engelsit, tulla e Leninit dhe mustaqet e Stalinit, përqark përpëliteshin citatet e Maos dhe Enverit. Tre-katër vetë vijonin të shqyenin me kazma dhe leva, stendën e emulacionit, të tjerët ngjallnin zjarrin me pankarta, rregullore dhe me fashikujt e veprave marksiste. Më ç’pashë, kishin thyer bibliotekën e Robert Moravës, ku grabitnin librat, i grisnin në fashikuj dhe i kallnin në zjarr, duke i shoqëruar me fjalime patetike.

Nën dritën e flakëve, dy vetë bënin infermierin.

“Të paskan qëlluar, Qemal”? – po mjekonin Qemal Demirin.

“Jo, çava dorën me xhamat e stendës”, – ma ktheu.

“Je dëmtuar shumë”? – më ra në sy pllanga e përgjakur, mbi fashën e bardhë.

“S’e besoj”! – u hodh njëri nga ata që po bënte infermierin.

Ndërkohë mbi tarracë, vijonin fjalimet pindarike oratorët; Skënder Daja, Dervish Bejko, Bashkim Fishta, Elez Hoxha, Luan Burimi, etj., që zëvendësonin shoku-shokun dhe evokonin momentet pikante të historisë, lëvdonin heronjtë që ishin flijuar në mbrojtje të lirisë kombëtare, numëronin viktimat e regjimit komunist, flisnin mbi ekonominë e mjeruar që pllakosi mbarë popullin dhe e mbyllnin duke iu bërë thirrje ushtarëve e policëve, që t’i bashkoheshin kryqëzatës së shenjtë, kundër uzurpatorëve të lirisë.

Sa interesante Liria! Të pajiska me flatra dhe të bëka orator! Duhej të ndodhte kjo, që të bëja zbulimin madhor: miqtë e mi prej pesë vjetësh, paskëshin qenë të paparë, në artin e retorikës! Bash nën hijen e mijëra gryka armësh, që na kërcënonin me vdekje të sigurt, ata u bënë Demosten dhe Ciceron, tejkaluan ku e ku çapaçulët e sotëm, që llomotisin kodra mbas bregut, ndër davetet partiake! I kujtoj me nostalgji dhe ndihem krenar, që i pata bashkëvuajtës, njëherësh mallkoj fatin e mbrapshtë dhe regjimin mizor, madje edhe Zotin, që s’i ruajti ata burra kreshnikë, me ëndrra të qashtra si pika e lotit!

“Po ti këtu”? – toni i lartë më riktheu në realitetin e zymtë.

Ballë më qëndronin Sami Dangëllia dhe Zef Ashta, që ndoshta ktheheshin nga ndonjë inspektim, ose nga banjat.

“Bre, bre, s’marrka pyka ky, mo! Ik mbulo kokën dhe mos të të shoh jashtë, more vesh apo jo”! – m’u hakërrye Samiu.

“Ruhu i dashtun, se edhe pak të ka mbetur”, – qortoi Zefi më butë.

S’iu ktheva llaf, po iu drejtova pallatit. Në sheshpushimin e katit të dytë, më grishi një brohoritje e zgjatur: “Rroftë flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”! “Poshtë komunizmi”! “Rroftë Liria”!

U ngjita sipër. Në këndin lindor të tarracës, valëvitej një flamur i kuq me shkabën dykrenore, teksa Shuaip Ibrahimi me Ndrec Çokun, bënin roje nderi.

“O Flamur gjak, o Flamur shkabë! O vend e vatër, o nën’e babë!

Lagur me lot, djegur me flakë, Flamur’ i kuq, Flamur’i zi…”!

Gjëmonte Bedri Çoku, kurse të tjerët e ndiqnin solemnisht dhe kur mbaroi, shpërthyen në; “Urra! urra”, dhe “Rroftë flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”! “Poshtë komunizmi”! “Rroftë Liria”, etj.

Emocioni më ngjethi mishtë, ngriva gatitu mes burrave që ngashërenin me sytë mbi simbolin e kombit! Sakaq Gëzim Medolli, zuri vendin e Bedriut dhe këndoi ‘Himnin e Flamurit’, në versionin asdrenian: “Rreth Flamurit të përbashkuar,/ Me një dëshirë e një qëllim./ Të gjithë atij duke u betuar,/ Të lidhim besën për shpëtim./ Trim, burrë quhet dhe nderohet,/ Atdheut kush iu bë theror,/ Përjetë ai do të kujtohet Mbi dhé,/ nën dhé si një shenjtor”.

Të pranishmit e ndoqën gjer në fund, pastaj shpërthyen në “Urra! urra”! dhe “Rroftë flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”! “Poshtë komunizmi”! “Rroftë Liria”! teksa gryka e Gurth-Spaçit, përcillte jehonat e shtatëqind zërave, terma Munellës e Kalimashit dhe teposhtë luginës së Fanit, gjer në Mat. Kur turma ra në heshtje, u shkëput profesori im, Hodo Sokoli, nipi adash i Hodo Begut të famshëm. U pozicionua nën kindat e flamurit mes Shuaipit dhe Ndrecës dhe deklamoi himnin fishtian:

“Porsi fleta e Ejllit Zotit/ Po rreh Flamuri i Shqypnis/ E thrret t’bijt e Kastrijotit/ M’u mbledh tok, ndër çetë t’ushtris/ Bini, Toskë, ju, bini Gegë!/ Si dy rrfe, qi shkojnë tue djegë!/ A ngadhnjyesë a t’gjithë dëshmorë, / Trima, mbrenda! Me dorë! Me dorë!/ Urra djelm, eh’u u dhashtë e mbara!/ Sot a kurr’ me dek për Atdhë!/ Flamri ynë, që, u nis përpara: Ndihmo, Zot,/ për Atmë e Fë!/ Bini, Toskë, ju, bini Gegë!/ Si dj rrfë, qi shkojnë tue djegë!/ A ngadhnjyesë a t’gjithë dëshmorë,/ Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë”!

“Urra! Urra”, “Rroftë flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”! “Poshtë komunizmi! Rroftë Liria”! Ovacionet dilnin nga gryka e “Varrit të armiqve” dhe i bënin apel popullit, të ngrihej e të bashkohej kundër murtajës komuniste, që po i brente ashtin prej tridhjetë vitesh. Imazhi përballë, më riktheu pesë vite pas, në barakat e Repsit.

Ishte 28 nëntor 1968, festa e Pavarësisë. M’u shfaqën të moshuarit që përuleshin dhe binin në gjunjë para Flamurit në miniaturë, (një korçar kish pikturuar mbi një beze të kuqe me përmasa minimale shkabën pa yll dhe e kish ngulur ballë shtratit tim), përkëdhelnin shqiponjën, i puthnin kindat dhe përloteshin, mandej uronin: “Gëzuar festën e Flamurit në Shqipërinë e lire, pa komunistë”! dhe dënesnin.

Natyrisht atë-mot isha i ri në moshë dhe në burg se perceptoja fenomenin Flamur, në tërë kompleksitetin e vet, si dhe të gjykoja veneracionin e pleqve, për simbolin e Kombit, madje e pranoj se më lindi një fije dyshimi, në sinqeritetin i tyre. Pesë vite “temperim”, në kudhrën e mengenesë socialiste dhe “trajnim” nëpër rrathët e ferrit komunist, më mjaftuan ta përligjja plotësisht krenarinë e atyre dhe të këtyre burrave, që po sakrifikonin me vetëdashje jetën, nën hijen e simbolit.

Zakonisht, ngjarjet pikante lënë mbresa të thella, por rrallë ndodh që të shkrihen të gjitha ndjenjat në një, ku të pleksen urrejtja, vullneti, guximi, frika, dhembshuria, gjer te dëshira. Revoltën e Spaçit e ngjizi urrejtja për komunizmin, vullneti i idealistëve e shndërroi në Kryengritje, kulmin e arriti me guximin e burrave, që ndonëse i frikonte fundi dhe dhuna që do pasonte pas kësaj, iu dhimbej më shumë jeta e bashkëvuajtësve, se e tyrja, por i yshte shpresa se me vetëflijim, do të mbanin gjallë kandilin e së ardhmes.

Mbase me bëmat e tyre, s’i eklipsuan dot heronjtë e legjendave, por pasuruan historinë, me një fakt unik dhe shtuan një faqe të ndritur ne ditarin e Kombit, në panteonin e të cilit shkruan emrat me germa ari! Sa me shumë rrjedh koha, aq më madhështore ngjet epopeja, si mali që duket më i lartë nga distanca!

Dëshmori i parë

Po cilët ishin ideatorët dhe protagonistët e Flamurit dhe ç’ngjau pas aktit madhor? Në morinë e viteve dhe dhjetëvjeçarëve, janë thënë të vërteta dhe sajesa nga personat që kanë qenë prezent dhe të tjerët që i kanë dëgjuar, pa i hequr tagrin askujt, për t’i gjykuar faktet nga këndvështrimi që dëshiron, i ftoj t’i referohen së vërtetës si kriter i paprekshëm.

Prej vitit 1969, në morgun e Repsit, në ëndrra dhe në zhgjëndrra më faniten sytë pa jetë, të Jorgji Kotes, plakut minoritar, që lusnin: “Fol bir, tregoji botës andrallat që po të shohin sytë!” dhe përgjigja ime e heshtur: “Po, do flasë Barba Jorgji, veç në mos dalsha gjallë”! Tani, pas pesë dekadash, zëri i mekur buçet si ulërimë imperative dhe më prish gjumin paqësor: “Ç’pret që s’flet, apo do t’i marrësh në varr”?!

“Po flasë Barba Jorgji, po e përcjell amanetit, ndonëse me vonesë”! i përgjigjem me zemër në dorë.

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët, që regjimi u mbylli gojën dhe i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast, s’marr përsipër të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… se edhe dy muaj e pak, të kanë mbetur”, merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë s’do doja t’i merrja në varr gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë.

E vërteta për Flamurin

Në ballkonin e epërm, ndesha miqtë e mi; Murat Martën, Neim Pashain, Feti Kumarakun, Mersin Vlashin, Rexhep Lazrin, Nrec Çokun, Gëzim Medollin, Gjet Kadelin, Paulin Vatën, Muharrem Dylin, Marash Gjokën, etj., që s’më kujtohen, prej të cilëve dëgjova këto që po shtroj më poshtë:

Një grup tresh i përbërë nga Feti Kumaraku, Murat Marta, Neim Pashaj, (qenë të parët, ndonëse kjo ide mund të ketë ngacmuar edhe mjaftë të tjerë, më pas iu shtuan Rexhep Lazri, Mersin Vlashi, Ndrec Çoku, Gjet Kadeli, Bedri Çoku, etj., këtë e përforcon fakti, që grupin pesësh i arrestuan katër ditë prapa, (sigurisht pasi “punoi” spiuni!) diskutonin se si t’i jepnin ngjyra politike revoltës, për ta shndërruar në kryengritje mbarëpopullore.  Gjatë debateve, lindi ideja për Flamurin.

“Duhet të pajisemi me gurë, tulla, me hunj dhe leva, të mësyjmë karakollët që të armatosemi, për të nisur kryengritjen”, – ish shprehur Murati, që kish dështuar në një arrati nga kampi i Laçit, para do vitesh. Edhe Fetiu qe pajtuar me këtë mendim, por kish shtuar:

“Dakord, por lipset ruajtur aventurave, që kanë pasoja të tmerrshme. Gjatë tentativës për të çarë rrethimin, ushtarët do qëllojnë dhe mund të vrasin të pafajshëm. Cili do të marrë mbi supe përgjegjësinë për humbjen e jetëve”? – ish shprehur dyshimtar. – “S’ma mban ndërgjegjja, këtë peshë! Ndaj të organizojmë shtatëqind burrat që janë këtu, t’i drejtohemi komandës dhe t’i detyrojmë të na lirojnë, se jemi të pafajshëm.

Së pari lipset bashkimi, më pas t’iu kërkojmë ushtarëve dhe policëve bashkëpunim, nëse do t’ia mbërrijmë. Ama simboli i unitetit, është Flamuri Kombëtar! Ai na mbledh pa dallime krahinore, fetare dhe politike” – kish konkluduar Neimi, duke shtuar: – “Na lipset Flamuri dhe më pas, thirrja për bashkim”!

Ky sugjerim, u pranua si më i arsyeshëm. Dhe u vunë në kërkim të një bezeje të kuqe. Fillimisht Fetiu propozoi syprinën e jorganit tij, po kur nisi ta shqepte, rezultoi se vërtet ishte e kuqe por e përshkonin cërka të bardha, tej e tej. Hoqën dorë nga mësalla e Fetiut dhe mësynë dritaren e Rexhep Lazrit, ku varej një perde ngjyrë e kuqe, që përdorej për errësim.

Si u sigurua coha, lipsej piktori për të vizatuar shqiponjën dykrenore. Në burgje kish boll të tillë, siç kishte edhe shumë zanatçinj të tjerë, por kërkohej një person i besuar dhe i sigurt, që do ta kryente me devotshmëri. I vunë gishtin Mersin Vlashit, që iu përgjigj thirrjes me kënaqësi.

Ndrec Çoku se nga psonisi një kuti boje gjysmë të tharë, në bibliotekën e Robert Moravës, e vuri mes këmbeve dhe nisi ta treste me zbutës.

“Ç’ka po nakatos njashtu, or Ndrec”? – e cytën shokët.

“Jam tuj përzi hallvën Enverit”! – ua ktheu duke qeshur antikomunisti Ndrec dhe qysh nga ai çast, e mbiquajtën “Ndrec Flamuri”, cilësor që u rrek ta ruante me nder dhe me sakrifica sublime.

Teksa Mersini pikturoi shqiponjën mbi cohën e shtrirë, Gjet Kadeli, përgatiti shtizën dhe e ngulën në këndin e djathtë të tarracës, që shihte mbi sheshin qendror.

Aparenca e simbolit të kombit, çliruar nga hieralkika komuniste pas tridhjetë vjetësh, u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm.

Do mbeten të pashlyer në kujtesën e secilit, çastet kur tromba e Aliut dhe kitara e Vaçe Zelës, në duart e Gëzim Çelës, shoqëruan zhelanët që kënduan Himnin Kombëtar, në qëndrim gatitu! Shtatëqind shpirtra, u bënë dëshmitarë të valëvitjes së Flamurit në grykën e Gurth Spaçit, që u bë njëherësh shënjestra e plumbave të xhahilëve, që njihnin simbol, yllin e kuq të Moskës dhe të Beogradit.

Ndërsa të dënuarit iu bënë mburojë, të betuarit mbi Flamur, e përdhosën betimin, derdhën breshëri pas breshërie dhe e shndërruan në zhele, bira-bira!

Kësisoj Flamuri u bë dëshmori i parë!

Kur e pamë Flamurin të leckosur, na pikoi zemra, por rrethuesit s’kishin as zemra, as tru, sepse trutë ua kishin shpërlarë dhe ua kishin mbushur deng me dokrra marksiste, kurse në vend të zemrave, u kishin qepur yllin e partisë, për të cilin ishin kail të vrisnin babanë, po të gjendej brenda telave gjembaçë! As sot e kësaj dite, s’e di në do jenë penduar përdhunuesit e Flamurit?

Kam njohur tre të tillë në rrethana të ndryshme. I pari nuk reflektonte shenjë pendese, madje ndihej fajtor që s’na kishte vrarë të gjithëve. I dyti ishte tepër djallëzor, për ta deshifruar. Kurse i treti, ishte një fetar babaxhan, që jepej si plastelinë. Po i referohem takimit me ta dhe mendimeve pa censurë.

I pari, Mersin Bardhyli nga Uznova e Beratit, një injorant total me shtatë klasë, ishte aq tru shpërlarë, sa mburrej ashiqare me bëmat e veta, madje mëtonte shpërblimin e munguar, për ato hynere!

Mbas lirimit nga ushtria, më “emëruan” në ullishte në brigadën më të largët, ku bëja punët më të rëndomta. Të punësuarit atje ulnin kokën, sepse ishin; o me “cena” politike, o fshatarë që i gëzoheshin punës në shtet, o të rinj që i sillnin për stazh mbas shkollës tetëvjeçare, apo ushtarë të kthyer nga shërbimi, që i përgatitnin si specialistë (spiunë), për në ndërmarrjet e tjera. I tillë ishte Mersini, por kish ngecur prej dy vjetësh, ngaqë i mungonte zelli, për të vazhduar të mesmen natën.

I mërzitur me drejtuesit e ndërmarrjes, që s’po donin t’ia njihnin kontributet në lëmin e mbrojtjes së socializmit, nga armiqtë e jashtëm dhe sidomos të brendshmit, u ankua gjatë një takimi:

“Ore shokë, (përgjegjësit të sektorit, sekretarit të byrosë, brigadierit), si më latë me kazmë dhe me bel mua, njeriun e Partisë, kur gjithë kulakët i bëtë krasitës. Partia pati besim, më dha automatikun dhe më çoi të ruaja armiqtë në burgun e Spaçit, ku u përlesha fyt-a-fyt gjatë revoltës,, iu theva eshtrat dhe i sakatova, ndaj më dekoruan e më shpërblyen me leje pesëmbëdhjetë ditore, kurse juve, më latë punëtor të thjeshtë…”!

Ankesën e morën parasysh. Pas ca ditësh e prunë të mësonte zanat, ndonëse s’u bë dot krasitës, sepse e përdorte sëpatën, si druvar. Aq i trashë ish qyqi Mersin, sa talleshin të gjithë, po me terezi, sepse të spiunonte për sport. Ndër të rrallët që s’e ngucja, isha unë. Për këtë ai më respektonte, pa e ditur cili isha. Në pushimin e drekës, zinte vend pranë meje, shtronte trastën e bukës dhe hapte biseda të kota.

Një ditë ra llafi për shërbimin ushtarak, aq deshi ai për t’iu dhënë udhë mburrjeve: “Kam qenë ushtar shembullor dhe tepër i vlerësuar nga eprorët” – ia nisi.

“Ku e ke kryer shërbimin ushtarak”? – e cyta.

“Në Ministrinë e brendshme, në Repartin 303…”!

“Ku bie ky repart”?

“Në Spaç të Mirditës”.

“Afër Rrëshenit”? – u hoqa i paditur.

“Jo, nja dy orë me makinë”.

“Ë-hë, pranë Rubikut”?

“O-oh, gati në Orosh, mes maleve të Munellës dhe Kalimashit”!

“Ç’bënit në zona aq të thella”? – gjoja u interesova unë.

“Ruanim të dënuarit politikë”.

“Kaq pranë kufirit, i paskan çuar ata”?!

“Ore, vërtetë s’e ke dëgjuar Spaçin e Mirditës dhe minierat e bakrit dhe piritit”?

“Natyrisht, e di që ka miniera në Mirditë, por s’e dija që paska edhe burg politik”.

“O-hu-aa, atje kanë mbledhur armiqtë më të rrezikshëm, të Shqipërisë”!

“Dhe i ruanit ju”?!

“Po. Na trajnuan tre muaj, në repartin e Diko Zeqos, kush kaloi provën e çuan atje, të tjerët i lanë roje qensh, te Rrapi i Treshit”.

“Ti duhet ta kesh kaluar testin me të parët, apo jo”? – e nxita unë.

“Babuç, pa shih ç’muskuj kam”! – përvoli llërën, kur shtrëngoi krahun, muskujt u frynë si gunga. – E, e sheh sa i fuqishëm jam”? – u mburr dhe vijoi: – “Na bënë mundës e boksierë dhe na ndanë nëpër burgjet politikë, kurse të tjerët, i çuan të mbillnin dhe shkulnin patate”.

“Po më pas”?

“Ç’farë më pas”?

“Doja të thosha, si e kalove shërbimin ushtarak”?

“A-ah, si mbret, ha, pi dhe qejf! Kishim normë të lartë ne, or babaxhan, ishim më të privilegjuarit e Ministrisë së Brendshme”!

“Domethënë, trajtoheshit veçan të tjerëve”?

“Ore, s’të shpinin atje pa qenë sportist i shquar”!

E lashë të shfrente, pastaj e provokova për detyrën në repart, për marrëdhëniet me kolegët dhe nëse kish pasur kontakte me të dënuarit, sepse doja t’i vëzhgoja burgjet, me syrin e një ushtari, të mësoja si e konsideronte revoltën e Spaçit dhe të nxirrja konkluzion, për mënyrën si ishin instrumentalizuar dhe i kishin kafshëruar. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular