Marco Ostoni: Një muaj mjalti i ngrirë. Shkrim i Corriere Della Sera për botimin në italisht të “Vera pa kthim” të Besnik Mustafajt

0
261

Përkthimi në Itali në fillim të shtatorit nga shtëpia botuese “Bibliotheca” i romanit “Vera pa kthim” të Besnik Mustafajt po gjen një jehonë të gjerë në mediat italiane. Janë botuar afro 15 shkrime në portale të specializuara për kulturën në përgjithësi, posaçërisht për letërsinë, si dhe në gazeta. Radio me dëgjueshmëri të madhe, si Radio Vacanze dhe Radio Radicale, si dhe podcast-i “Il posto delle parole” kanë transmetuar intervista të plota me autorin. Midis tyre, për lexuesit e “ExLibris” zgjodhëm recensionin e gazetës më të rëndësishme, “Corriere della Sera”, në suplementin për letërsinë të datës 22 shtator 2024.

Hyhet me kujdes dhe me pak mundim në romanin e mrekullueshëm të Besnik Mustafajt, “Vera pa kthim”, por shpejt magjepsesh, përpihesh nga një shkrim imagjinativ, përfshirës dhe plot lirikë. Në fund, del i zbrazur dhe paksa i trullosur, i drobitur nga përpjekja e ndjekjeve të rrëfimeve të panumërta dhe fantaziste të protagonistes Sana, e cila papritur ribashkohet me të dashurin e saj Gori, i rishfaqur befas një mëngjes pas viteve të largimit misterioz. Të dy, pasi kishin ikur nga Tirana, do të kalojnë një muaj mjalti sfilitës, por intensiv dhe të pazakontë, buzë detit në Durrës, me Gorin gozhduar në shtrat për pjesën më të madhe të kohës, i palëvizshëm, i rraskapitur dhe madje i paaftë për të buzëqeshur për shkak të, siç thotë ai, një problemi me kockat.
Ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, Mustafaj – profesor, gazetar dhe politikan (ai ka qenë ambasador në Francë nga viti 1992 deri më 1997 dhe ministër i Jashtëm nga viti 2005 deri më 2007) – risjell dhe fiksionalizon këtu historinë e vërtetë të një dashurie të ndërprerë nga ngjarjet e mëdha historike në Shqipërinë e shekullit XX, duke përzier realitetin dhe ëndrrën, të tashmen dhe të kaluarën, shpresën dhe zhgënjimin. Romani mbërrin në Itali 35 vjet pas botimit të tij të parë në Shqipëri, pa prerjet e censurës komuniste tashmë, i përkthyer dhe i kuruar nga Julian Zhara. Nuk është një lexim i lehtë, por është një lexim që mbetet, me kusht që të shijohet ngadalë dhe me hurba të vogla.