Zëvendëspresidentja Kamala Harris mori mbështetjen të mërkurën nga ish-guvernatori republikan i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger. Në një postim të gjatë në X , Schwarzenegger shprehu disa qëndrime mbi politikën amerikane dhe Donald Trump.
“Me Donald Trump do të jenë edhe katër vite të tjera pa rezultate që do të na bëjnë gjithnjë e më të zemëruar, më të ndarë dhe më të urryer”, shkroi ylli i Terminator dhe ish-guvernatori i Kalifornisë.
“Ne duhet ta mbyllim këtë kapitull në historinë amerikane dhe e di që ish-presidenti Trump nuk do ta bëjë këtë. Ai do të përçajë, do të ofendojë, do të gjejë mënyra të reja për të qenë më antiamerikan se sa ka qenë tashmë”, vijoi ai, duke deklaruar se e vetmja mënyrë për të ecur përpara është të votosh për Harris dhe Walz.
“Dhe unë do të jem gjithmonë një amerikan përpara se të jem republikan. Kjo është arsyeja pse, këtë javë, po votoj për Kamala Harris dhe Tim Walz”, theksoi ai.
Pasi u zgjodh fillimisht në zgjedhjen e vitit 2003, Schwarzenegger u rizgjodh si guvernator i Kalifornisë në 2006 dhe shërbeu për një mandat të dytë të plotë deri në 2011.
Përpara zgjedhjeve të vitit 2016, Schwarzenegger deklaroi se nuk do të votonte për kandidatin republikan.