1 Nëntori- Dita e Rilindasve bullgarë/Nga Ded Kola

0
97

Nga Ded Kola, gazetar

1 Nëntori, Dita e Rilindasve Bullgarë, është një ditë shënuar në historinë e bullgarisë dhe në mënyrë të veçantë për kulturën bullgare, për të gjithë bullgarët brenda kufirit shtetëror dhe atyre bullgarëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Në këtë ditë bullgarët nderojnë të gjithë edukatorët bullgare, shkrimtarët, revolucionarët dhe udhëheqësit e nderuar që ringjallën frymën kombëtare, përhapjen e arsimit dhe letërsisë. 1 Nëntori është Dita që i kushtohet veprimtarëve të mëdhenj të Rilindjes bullgare, luftëtarëve për çlirimin kombëtar, të cilët ruajtën gjatë shekujve vlerat shpirtërore dhe morale të kombit. Kjo është festa, që bashkon të gjithë bullgarët dhe i ndihmon ata të ruajnë identitetin, gjuhën dhe kulturën e vet.

Për herë të parë kjo festë është kremtuar në qytetin jugor bullgar, Pllovdiv, në vitin 1909, kurse në vitin 1922 ministri i atëhershëm i arsimit popullor, Stojan Omarcevski bëri propozim në Këshillin e Ministrave për caktimin e 1 Nentorit si Dita e Rilindasve të Shquar të popullit. Nga 1 Nëntori i vitit 1923, me dekret të mbretit Boris i lll kjo ditë u përfshi në kalendarin mbarëkombëtar të festave. Nuk dihen arsyet, por me vendosjen e sistemit komunist në vitin 1945 u ndalua festimi i kësaj dite historike. Pas ndryshimeve demokratike në vitin 1990, më 28 tetor 1992, pas miratimit nga Asambleja e 36-të Kombëtare, me vendim të Parlamentit Bullgar, kjo traditë u rikthye përsëri dhe vazhdon sot e kësaj dite.

Qëllimi i kremtimit të saj është për të mbajtur gjallë veprën vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, veprën e Shën Ivan Rilski, Gjon Ekzarku, Patriarku Euthymius, heronjtë e Rilindjes Bullgare-Paisii Hilendarski, Sofroniy Vrachanski, Georgi Rakovski, Petar Beron, Lyuben Karavelov, Vasil Levski, Hristo Botev, Grigor Perlichev, etj. mendimtarëve të cilët frymëzuan popullin bullgar për arritjen e pavarësisë dhe zhvillimin e tij.

Në këtë 1 Nëntor 2024, një homazh i madh shkon për përfaqësuesin e spikatur të aspiratave të popullit ndaj lëvizjes nacionalçlirimtare bullgare, murgun Athos Paisii Hilendarski. Ai përshkruan historinë e popullit Bullgar, historikisht vërteton të drejtën e tyre për liri dhe ngjall impulse patriotike dhe luftarake në bashkatdhetarët e tij. Në 1762 ai shkroi veprën e tij të famshme “Histori Sllavo-Bullgare”. Libri është një lloj thirrje drejtuar bullgarëve për ndërgjegjësim kombëtar dhe luftë kundër skllavëruesve Otoman. Ndjekësi i zellshëm i Paisi Hilendarski ishte Sofroniy Vrachanski, autori i librit të parë të shtypur në Bullgari, botuar në 1806 me titull “Javore”. Ai bën thirrje që arsimi, adhurimi dhe letërsia të jenë në gjuhën e folur Bullgare në mënyrë që ato të jenë të arritshme për të gjithë duke synuar të ndërtojë një vetëdije të qëndrueshme të kombësisë bullgare midis njerëzve.

Në këtë piedestal qëndron edhe akademiku Aleksandër Teodorov-Ballan, ku para një jave, më 27 tetor u mbushën 165 vjet nga lindja e tij, konkretisht në vitin 1859. Ballan është teoricieni i parë i gjuhës letrare bullgare, fonetikës dhe gramatikës ku shquhet vepra e tij “Për tingullin “b” në gjuhën moderne bullgare”. Ai studio në Bollgrad, Pragë, Lajpcig. Në vitin 1889 u zgjodh u zgjodh rektori i parë i Shkollës së Lartë-sot Universiteti i Sofjes. Ai është autor i mbi 900 artikujve, raporteve, studimeve dhe librave.

Një homazh i madh shkon për Ivan Vazov, “patriarku i letërsisë bullgare”, një akademik i Akademisë Bullgare të Shkencave dhe Ministër i Arsimit Publik nga 7 shtator 1897 deri më 30 janar 1899. Një homazh shkon edhe për Vasil Levskin, ideologun gjenial dhe strategun politik të lëvizjes çlirimtare bullgare; për Hristo Botevin, poetin, publicistin, revolucionarin dhe mbështetësin e flaktë të idesë së bashkimit të të gjithë popujve ballkanas në një bashkim vëllazëror; për Dr.Peter Beron-autorin e abetares së parë bullgare; për ikonografin e shquar Zaharij Zograf dhe shumë botues të librave, njerëz të penës, mendimtarë dhe frymëzues të Rilindjes Kombëtare Bullgare dhe të ndërgjegjes qytetare.

Ndër veprimtarët e shquar të Rilindjes Bullgare, janë dhe luftëtarët për liri, mijëra luftëtarë të njohur dhe të panjohur, aktivistë dhe vojvodë të lëvizjes së organizuar revolucionare, siç janë: Haxhi Dimitër dhe Stefan Karaxha, Panajot Volovi dhe shumë të tjerë. Ndër iluministët më të mëdhenj shpirtërorë të popullit bullgar janë dhe shkrimtarët e poetët bullgarë Petko Sllavejkov, Penço Sllavejkov, Pejo Javorov, Dimko Debeljanov, Hristo Smirnenski, Simeon Radevi, Nikolla Vapçarov, Dimitër Talev etj. Janë gjithashtu dhe mijëra murgj, mësues, historianë, të cilët jetën dhe veprimtarinë e tyre ia kushtuan zgjimit dhe përparimit të popullit.

Pjesë e krijimtarisë të Rilindjes Bullgare, siç shkruan historiani shqiptar Dorian Koçi është edhe heroi ynë kombëtar Skënderbeu. “Në Bullgari, ndryshe nga vendet e tjera të Europës, jehona e veprës dhe aksionit proevropian të Skënderbeut ishte e panjohur deri në ardhjen e Rilindjes Bullgare. E dhëna e parë e dokumentuar për njohjen e figurës së Skënderbeut, është portreti i realizuar nga piktori i njohur bullgar Dimitar Dobroviç Pehlivanoglu, i cili u njoh me heroin tonë kombëtar gjatë kohës që studionte në Romë në vitet 1850”, shkruan historiani Koçi.

Ne këtë mënyrë, 1 Nëntori është kthyer në një nga ditët më të festuara të shpirtit dhe vetëdijes bullgare, është bërë simbol i zgjimit shpirtëror, që fillon me lëvizjet e fuqishme për pavarësi kishtare dhe arsim të ri bullgar gjatë epokës së Rilindjes Bullgare. Këto lëvizje kontribuuan në luftërat e popullit bullgar për pavarësi politike. Të gjithë klerikët, mësuesit, veprimtarët shoqërore dhe revolucionarët punuan për pavarësinë fetare, arsimuese, kulturore dhe politike të bashkatdhetarëve të vet. Më 1 Nëntor çdo bullgar, pavarësisht nga fakti se ku ndodhet – në atdhe ose diku nëpër botë – bën bilancin se cili është kontributi i tij për ruajtjen e shpirtit bullgar. Iluministët dhanë shembullin e tyre, kurse brezat e sotëm kanë detyrën ta ruajnë atë që është arritur dhe ta çojnë më tej, sepse vetëm lartësimi shpirtëror mund ta ruajë identitetin e popujve.

Prej 21 vitesh jepet çmimi “Ithtari i iluministëve bullgarë” për studiues, autorë, të kulturës dhe traditës bullgare. Akademiku Georgi Markov, studiuesi i historisë bullgare është mbajtës i çmimit “Ithtari i iluministëve bullgarë”-2019, thotë se “Unë gëzohem shumë se tani përsëri u bë traditë festimi i Ditës së Rilindasve bullgarë. Pa ta ne nuk do të mund të mbijetonim si popull, sepse ne, bullgarët, jemi të prirë për t’u asimiluar. Në sajë të iluministëve tanë ne ndihemi si një popull i tërë me një histori shumëshekullore dhe prandaj e kemi të drejtën e një të ardhmeje më të mirë si komb. Unë gëzohem se ne, pasuesit e të ashtuquajturave “iluministë”, jemi trashëgimtarë të stërgjyshërve tanë, të cilët në kohërat e vështira kanë pasur optimizëm historik”.

Kur përkujtojmë veprimtarët e shquar të Rilindjes Kombëtare Bullgare, mendja na shkon edhe tek veprimtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, tek ideologët dhe veprimtarët e shquar të cilët u ndikuan nga Rilindja Bullgare si: Naum Veqilharxhi, Zef Jubani; aktivistet e Komitetit të Stambollit dhe të Lidhjes së Prizrenit, si vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, veprimtarët e shoqatave kulturoro-arsimore të kolonisë shqiptare në Bullgari (“Dëshirës“ në Sofje), Rumani dhe Egjipt, patriotët dhe demokratët e shquar nga fillimi i shekullit të 20-të, si Ismail Qemali, Fan Noli, Bajo Topulli, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, etj. 

Bullgaria ka qenë nder vendet e para që ka njohur pavarësinë e Shqipërisë. Ja si shkruan organi i qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit “Përlindja e Shqipërisë” më 6 nëntor 1913: “Me kënaqësi të jashtëzakonshme po shënojmë se shteti i parë i cili tregoi një miqësi të vërtetë ndaj Shqipërisë është Bullgaria. Në fakt, që në Konferencën e Londrës ajo u shpreh në dobi të Shqipërisë edhe para Fuqive të Mëdha. Populli shqiptar nuk do të harrojë kurrë se si Shqipëria ishte dhe vazhdon të përkrahet nga Bullgaria në një moment kur populli shqiptar ka nevojë për përkrahje…”