ATENTATI me 3 viktima në Shkodër/Ngjarja ende pa asnjë autor! Familja Lici nuk hap dyert e mortit

0
305

Ende asnjë i dyshuar nuk është mbajtur në pranga nga Policia e Shkodrës dhe as e Shtetit në lidhje me aktin makabër të sulmit me armë që ndodhi në Dobraç të Shkodrës pasditen e 30 tetorit.

Po ashtu nuk ka akoma asnjë pistë konkrete ku ka fokusuar hetimet, ndërsa dje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, i cili ka premtuar publikisht se krimi barbar do të zbardhet. Dje, grupi hetimor është rikthyer edhe njëherë në vendin e ngjarjes, ka rimarrë pamje të tjera, ka kërkuar dëshmitarë të tjerë, ndërkohë që përgjatë natës së pasngjarjes janë shoqëruar shumë persona, mes të cilëve burra nga fisi i Bajrajve.

Por gjatë marrjes në pyetje kanë deklaruar se: “Nuk kemi lidhje me ngjarjen”! Policia dhe as prokuroria nuk kanë mundur të shkojnë tek asnjë person i dyshuar, duke theksuar se atentatorët kanë qenë të maskuar e për pasojë nuk mund të identifikohen me tipare fizike.

Ndërsa pretendohet se armët e gjetura në mjetin e viktimave do të sjellin ndonjë detaj në lidhje me zbulimin të paktën të shkaqeve të ngjarjes, pasi pretendohet se në mjetin e tyre ka qenë një person i tretë. Policia ka shpërndarë për mediat foton e një të riu, që ende nuk dihet nëse ka qenë kalimtar rasti apo në makinën e Hamza Licit e të Arlind Bushatit.

I rëndë ishte fakti që familja e Mustafa Licit nuk ka pranuar të hapë dyert e mortit për të birin e vet, por kanë vendosur ta përcjellin vetëm me dhimbjen e tyre. Më i vogli i familjes së tij, vetëm 23 vjeç, u vra me breshëri kallashnikovësh që dolën nga një automjet luksoz, i cili më pas u gjet i djegur në lagjen Golem të Grudës.