BallinaSociale“Për Shqiptarët”/ Vdes 2 javë pas lindjes, historia e trishtë e një...

“Për Shqiptarët”/ Vdes 2 javë pas lindjes, historia e trishtë e një nëne që la 4 fëmijë jetim

spot_img
spot_img

Në vitin 1985 në një fshat pranë Peshkopisë do të lindte Zyberi.

Nëna dhe babi i tij do ta prisnin si dhuratën më të bukur dhe do ta rrisnin në varfëri, por me shumë dashuri. Përpjekjet bëheshin për ushqim dhe veshmbathje.

Pas Zyberit, lindën edhe fëmijë të tjerë, dy djem dhe një vajzë. Me katër fëmijë jetesa u bë edhe më e vështirë. Feridja dhe Emini punonin me mish e me shpirt të ndërtonin një familje të lumtur.

Në vitet 1990 nisën trazirat dhe ndryshimi i sistemeve solli edhe më shumë probleme për familjen Hoxha.

Zyberi përfundon shkollën e mesme, ishte nxënës i mirë por duhet të punonte, s’mund as t’ja lejonte vetes as të mendonte për studimet.

Kështu merr guximin mbledh forcat dhe ikën nga mali, niset në Greqi në mënyrë ilegale, me shpresë së do të gjejë punë e do të “fitojë” bukën e gojës për vete dhe familjen.

Në një moshë fare të re Zyberi do të punonte, do të fitonte para sa për të paguar rrugën e kthimit në Shqipëri dhe për t’i lënë diçka prindërve. Mendonte për t’i siguruar të pakën shpenzimet minimale të tryezës çdo ditë ndërsa ai punonte në emigrim.

Zyberi vinte dhe ikte në Greqi ndërkohë që në vitin 2009 mbushi 24 vjeç.

Ishte i ri, plot ëndrra dhe me dëshirën e madhe për të ndërtuar familjen. Nusja e dajës, njihte një vajzë të bukur në Peshkopi, e quanin Manushaqe. Sipas saj që i njihte të dy të rinjtë, e do të ishte lajmësi i kësaj lidhje, do të lindte një dashuri e madhe dhe një familje e bukur.

Zyberi takohet me Manushaqen dhe thotë se ishte një dashuri me shikim të parë. Manushaqje, njësoj si lulja e rrallë, do të lajmëronte pranverën në jetën e Zyberit.

Ishte një vajzë e mirë, e rritur në një familje të varfër dhe me halle.

Do Ia prekte zemrën edhe më shumë të fejuarit të saj, kur do ta merrte në shtëpi për të takuar prindërit. Manushaqja nuk ishte ankuar dhe nuk kishte treguar për hallet e saj. Por Zyberi pa se çatia e shtëpisë ishte prishur dhe shiu që binte jashtë, futej edhe brenda.

I erdhi edhe më tepër keq kur dëgjoi fjalinë e Manushaqes: “Unë jam vajzë malësie, por jam një motër pa vëlla”. Kështu Zyberi do të bëhej burri i saj, shoku i saj dhe vëllai që i kishte munguar. Zyberi i rregullon shtëpinë, i blen një frigorifer dhe e ndihmonte që Manushaqja të ishte sadopak e lumtur, me gjëra sado të vogla.

I veshi fustanin e bardhë dhe bënë një dasmë të madhe në fshat me urime e trashëgime. Zyberi e dëgjonte fjalën e Manushaqes, ia bënte qefin, i thoshte edhe fjalë të ëmbla. Ishte i lumtur dhe i dashuruar me vajzën që do të bëhej nëna e fëmijëve të tij.

Në vitin 2012 do të lindë fëmija i parë i familjes Hoxha, do ta quanin Renato. Ai ishte gëzimi i parë, trashëgimtari. Do ia zbukuronte edhe më shumë jetën e Manushaqes, duke ia mbushur ditët dhe netët me lumturi, kur Zyberi largohej për punë në Greqi. Ajo do të kujdesej për fëmijën dhe familjen ndërsa Zyberi do të punonte dhe do të sillte të ardhura nga emigracioni.

Manushaqja jetonte me vjehrrin dhe vjehrrën. Ata e ndihmonin shumë dhe vitet që pasuan do të bëheshin edhe me dy fëmijë të tjerë, Rexhina dhe Ronaldo.

Kur Renato mbushi 4 vjeç nisi të kishte probleme shëndetësore. Në Peshkopi nuk mund të jepnin diagnoza të sakta, dhe prindërit nuk kuptonin shumë por mjekët i sqaruan se ka probleme me albuminën. Askujt nuk i shkonte nëpër mend se albumina në nivele të larta ka pasoja të mëdha. Sëmundja që vuante Renato mund të shkaktonte humbjen e funksionit të veshkave. Nga albumina e lartë, rrezikonte që djali të kryente dializë e madje mund të lindte nevoja edhe për kryerjen e një transplanti…

Pas vizitës në Peshkopi, Renaton do ta sillnin me urgjencë në spital në Tiranë ku qëndroi i shtruar për më shumë se tre javë me mamin e tij, Manushaqen. Del nga spitali dhe i thonë se duhet ta mbajë sëmundjen në kontroll, por nuk mund të rrinin të qetë.

Familja nuk e kuptonte sa e rëndë mund të ishte situata, pasi përveç ënjtjes që kishte Renato, dukej mirë me shëndet, aktiv, i paqtë.

Me një merak për djalin, por edhe për një jetë më të mirë, çifti merr vendimin për t’u larguar nga Peshkopia dhe të jetojë në Tiranë, ndërsa prindërit qëndruan në Peshkopi.

Zyberi për shkak të problemeve me dokumentet, por dhe për të qëndruar pranë familjes vendos mos të shkojë më në Greqi.

Toka e premtuar do të ishte Tirana. Kështu do të kishin më pranë spitalin, shkollën dhe shumë mundësi që kryeqyteti do të premtonte.

Ishte viti 2023. Manushaqja do të mbetej shtatzënë me fëmijën e katërt, e fundit për familjen Hoxha. Do ta quanin Ronda. Çifti do të gëzohej me dy djem e dy vajza. Dashuria dhe shpresa për ditë më të mira do të ishte motorri i lëvizjes në këtë familje me shumë anëtarë, shumë gojë për t’u ushqyer e shumë ëndrra në sirtar.

Nuk kishin shumë mundësi ekonomike, vetëm rrogën e Zyberit, që punonte pa u lodhur edhe pse në punë të rënda fizike. Manushaqja ishte ajo që mblidhte familjen, do përkujdesej, do gatuante gjellë të mira për Zyberin. Për festa do të bënte sheqerparet e Dibrës. Manushaqja çonte fëmijët në shkollë, në kopsht, bënte detyrat me ta dhe do të bisedonte me Zyberin sa herë ai do të mërzitej apo do të vinte i lodhur nga puna.

Gjithçka dukej se shkonte mirë, deri në datën 25 janar të këtij viti.

Ronda e sapo lindur, ishte një foshnje 2 javëshe. Manushaqja kishte bërë darkën, familja po shikonte televizor. Nëna e re po ushqente me gji të sapolindurën, Rondën e vogël.

Manushaqja i thotë Zyberit se po i dhimbte jashtëzakonisht mesi, njëkohësisht i dilnin djersë të ftohta nga balli. Menjëherë marrin taksinë dhe nisen për në spital bashkë me vajzën e vogël që babai shtrëngonte në krah.

Gjatë rrugës gruaja lehonë vetëm rënkonte, dhimbjet ishin të mëdha, të padurueshme. Sapo arrijnë në urgjencë, mjekët i thonë Zyberit se Manushaqja ka pësuar trompozë në mushkëri dhe shanset për të qëndruar në jetë janë të pakta.

Zyberi njofton familjarët dhe pëson shok. Pas dy orësh mjekët e njoftojnë se Manushaqja ka ndërruar jetë, zemra e saj ka pushuar së rrahuri. Zyberi qante me të madhe në derën e reanimacionit, ndërsa foshnjen 2 muajshe e mbanin infermieret…

Bota iu shemb, gruaja e tij që e donte aq shumë vdiq papritur duke e lënë me 4 jetimë. Zyberi shikonte trupin e pajetë dhe vetëm thoshte:

“Manushaqe të lutem më fol, më fol se të dua shumë…”

Në gjendje tepër të rëndë Zyberit nuk i pushonin lotët duke pyetur veten se kush do të ushqente vajzën e vogël, çfarëdo t’i thoshte fëmijëve që nuk do të përqafonin më nënën…

Varrimi u bë në Peshkopi dhe më pas familja u kthye ne Tiranë.

Nëna dhe babai i Zyberit lanë shtëpinë në fshat dhe erdhën në Tiranë të ndihmojnë djalin të rriste jetimët. Janë shumë të trishtuar, dhimbja është ende e freskët. Fëmijët janë të tronditur, ndërsa Zyberi në depresion.

Manushaqen ai e shihte si dielli, si qielli, si pranverën. Tani ishte një engjëll lart në qiell. Bashkë me Manushaqen u venitën edhe ëndrrat, edhe shpresat dhe dëshira për të jetuar jetën bukur.

Tani nuk ka kush ia heq peshën që ndjen në shpatulla, ka një brengë në zemër, mundohet shumë të gjej forcën për fëmijët, lodhet shumë që të buzëqesh për Rondën, Rexhinën, Ronaldon dhe Renaton.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular