BallinaTe tjera“Petrit Dume, ishte i poshtër dhe i zgjuar për intriga...”- Diskutimi i...

“Petrit Dume, ishte i poshtër dhe i zgjuar për intriga…”- Diskutimi i Haxhi Lleshit në Presidiumin e Kuvendit Popullor: Kurse Rrahman Parllaku…

spot_img
spot_img

Nga Dashnor Kaloçi

Më datën 5 nëntor të vitit 1975, plot 49 vjet më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Aranit Çela, me anë të një letre me siglën “Tepër Sekret”, drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, bashkangjitur u dërgonte një kopje të vendimit të asaj gjykate, me një përmbledhje të akt-akuzës së dënimit me vdekje, me pushkatim, të tre ish-gjeneralëve e, drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrit Beqir Ali Balluku, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Taulla Dume dhe Drejtorit të Drejtorisë Politike, Hito Shaqo Çako, si dhe dënimin me 25 vjet burg, të Rrahman Parllakut, ish-zëvendës/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.

Gjyqi ndaj tyre, i zhvilluar nga data 25 tetor deri në 5 nëntor të atij viti, në një sallë improvizuar në ambientet e Repartit 313 të Tiranës, (i njohur ndryshe si “Burgu i Vjetër” apo “Kaushi”), ku ata zhvilluan edhe procesin hetimor e, qëndronin të izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie, që nga periudha e arrestimit, më datën 6 dhjetor e vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut, erdhi pas një periudhe afro gjashtë mujore, mbledhjesh e aktivesh e plenumesh, të zhvilluara me kuadrot më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, ku në pjesën më të madhe të tyre, kishte asistuar dhe drejtuar personalisht, vetë Enver Hoxha.

Goditja ndaj Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, si dhe anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974, me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, që u mbajt në ish – “Vilën e Zogut” të qytetit të Durrësit. Ajo mbledhje drejtohej nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, ku Balluku, për herë të parë, që nga viti 1945, nuk ishte në një presidium mbledhje, por në sallë, ku ai u detyrua t’ju përgjigjej me dhjetëra pyetjeve, të bëra nga vartësit e tij. Gjithçka po ndodhte aty në atë sallë dhe që do të vazhdonte më pas deri në ditën e arrestimit, ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, si Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, të ideuar dhe dirigjuar personalisht nga Enver Hoxha.

Pas asaj atij aktivi me kuadrot më të lartë të Ushtrisë, Balluku u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si; “kreun e grupit puçist në Ushtri” dhe “tradhtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë”. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, Balluku u analizua edhe në Plenumin e Pestë të Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga pjesa më e madhe e anëtarëve të plenumit.

Në fund të asaj mbledhje, Balluku u përjashtua dhe u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, por, ndryshe nga shumë nga ish-funksionarë dhe personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste, (që ishin goditur dhe dënuar vite më parë, që arrestoheshin dhe iu vinin prangat sapo dilnin nga salla e mbledhjes), ai u la i lirë që të shkonte në shtëpi! Ku pas dhjetë ditësh, së bashku me një pjesë të familjes së tij, ai do të internohej në qytezën e Roskovecit, në rrethin e Fierit, ku dhe u arrestua më 6 dhjetor të vitit 1974.

Tashmë të gjitha këto dhe të tjera për Beqir Ballukun, ish-ministrin e Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrin e parë të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili deri në vitin 1974, konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe njerëzve më besnik të Enver Hoxhës, janë shumë të njohura, pasi pas viteve ’90-të, janë botuar me dhjetëra e dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore gjithashtu, ku hidhet dritë mbi jetën e karrierën e tij, që nga periudha kur ishte drejtuesi kryesor i Njësiteve Guerile të Tiranës dhe komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe e gjithë periudha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, deri në korrikun e vitit 1974.

Ajo që ka mbetur një mister pothuajse i pazbardhur dhe i panjohur, që vazhdon të diskutohet ende edhe sot pas gati pesë dekadash, janë arsyet dhe shkaqet kryesore që e detyruan Enver Hoxhën, që të godiste Ballukun dhe dy drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, duke i dënuar ata me vdekje, si; “Krerët e grupit puçist në Ushtri”! Bashkë me këtë mister, që ndoshta nuk do të zbardhet kurrë, pothuajse janë të panjohura, edhe dokumentet arkivore me proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku u diskutuan kërkesat e lutjet për faljen e jetës, nga ana e tre ish-drejtuesve kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, Balluku, Dume dhe Çako.

Nisur nga kjo, Memorie.al po publikon në disa numra këto dokumente arkivore, ku janë diskutimet e të gjithë anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke filluar nga kreu i saj, Haxhi Lleshi, (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), si dhe anëtarëve; Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu dhe Zinja Franja.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, KU U DISKUTUAN VENDIMET E GJYKATËS SPECIALE USHTARAKE, PËR DËNIMET ME VDEKJE TË BEQIR BALLUKUT, PETRIT DUMES DHE HITO ÇAKOS

                                                                         PROCES-VERBAL

Mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor, datë 5.11.1975 ditë e mërkurë:

Në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu, Zinja Franja, (Antarë).

PILO PERISTERI: Dhe është fshehur kaq vjet!

ARANIT ÇELA: Përsa i përket Petrit Dumes, Hito Çakos, dhe Rrahman Përllakut, veprimtaria e tyre është e lidhur me opozicionin që nga dalja e Letrës së Hapur, deri tek shpallja e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Beqir Balluku thoshte se unë e prisja një proçkë nga Petrit Dumja, se Petriti është tip aventurieri, dhe ai e pranoi që aventurizmi, e ka karakterizuar vazhdimisht, që ka qenë i pakënaqur, që ka pasur mendjen e tij, iluzione, me të bëjmë këtë, të bëjmë atë. D.m.th., Petrit Dumja, ishte një tip tamam siç e karakterizoi shoku Enver, puçist shumë i rrezikshëm. Njeri që mund të bëjë çdo proçkë.

Hito Çako si tip, siç na doli në gjyq, doli tamam ashtu siç e kishte përcaktuar Partia dhe shoku Enver, tip intrigant. Ai ishte akti i fundit i tragjedisë, d.m.th., shkonte sa tek Beqiri, sa tek Petriti, e rregullonte sa me njërin, e sa me tjetrin, ai hynte kudo si “xholi”, në të gjitha këto punë. Ysht njërin e, ysht tjetrin. Petrit Dume, megjithëse i poshtër ishte dhe vetë, i bëri një përcaktim Hito Çakos, duke i thënë se ishte më i poshtri, më i djallëzuari, më vagabondi. Të gjithë ne jemi të poshtër, tha Petrit Dume, por ky është njeriu, që të vriste natën, kur të doje, njeri i pabesë, që përdorte të gjitha intrigat. I zgjuar sa të duash.

KRYETARI: I zgjuar për intriga. Dhe këto cilësi të këqija, ai i kishte. I poshtër, i zgjuar, dhe njeri me vullnet, për të studiuar të këqijat. Nga gjithë ky grup, ai bënte më shumë marifete. Të studiuara dhe të shkruara. Këto ishin përsa i përket grupit. Përsa i përket Rrahman Përllakut, ai dilte me rezerva të ndryshme, karshi partisë, por më të vogla se grupi, natyrisht për pozitën që mbante, për aktivitetin që kishte treguar.

RITA MARKO: Gjithnjë ama, në opozicion, me rezerva.

ARANIT ÇELA: Me rezerva po i paraqiste, se këto nuk i kam pasur me qëllim. I kam bërë, kështu është, se nuk kishte ç’të mohonte, por unë qëllim nuk kam pasur. Në fjalën e fundit tha, bashkohem plotësisht me këto akuza, ndoshta një çikë vonë, po kështu është. Ky ishte personaliteti i tyre.

Në lidhje me akuzat…!

TELO MEZINI: Për Rrahmanin dhe Hiton, nuk dolën gjë lidhjet e tyre me Koci Xoxen, e të tjerë?!

ARANIT ÇELA: Jo, Hito del. Por Rrahmanit, ndonjë gjë e theksuar nuk i doli, mund të ketë ato që dihen.

KRYETARI: Se edhe Rrahmani ka qenë me Kocin.

RITA MARKO: Rrahmani, ishte njeriu më i preferuar i Kocit.

KRYETARI: Rrahmani, Hito, Koci, kanë qenë bashkëpunëtorë të jugosllavëve.

ARANIT ÇELA: Ndonjë gjë e veçantë në këtë drejtim, nuk doli. Këto njihen dhe ua vumë në dukje. Unë po mundohem të them ndonjë gjë që nuk dihej.

RITA MARKO: Këta, kanë qenë agjentë kështu…?!

ARANIT ÇELA: Në konkluzion në vendimin e gjykatës, del se të katër këta, për mënyrën sesi kanë zhvilluar veprimtarinë, për kontaktet që kanë pasur dhe punën që kanë bërë, këta janë agjentë të jugosllavëve dhe sovjetikëve, pavarësisht nëse kanë letra apo jo, po tërë veprimtaria e tyre, atje të çon.

KRYETARI: Metodat, mënyrat që kanë përdorur ata, ashtu është.

ARANIT ÇELA: Ata u akuzuan në pesë drejtime:

Në lidhje me sabotimin e rolit udhëheqës të Partisë sonë. Atje doli një tablo e qartë. Materialet e plenumit të Komitetit Qendror dhe ato të Partisë, janë brenda të gjitha, nuk bisedohet për ato. Por mbas kësaj kohe, duke bërë hetime të hollësishme, duke marrë dokumente këto materiale të partisë, u ritheksuan akoma më shumë, dhe doli një tablo krejt e kapshme, por konkluzioneve që dha partia, nuk mund t’ju heqësh asnjë presje.

Ne duke gjykuar e duke ballafaquar, na binin menjëherë në mënd thëniet e Partisë, dhe i thoshnim njëri tjetrit, se Tahirin e kisha afër, doli kjo, doli ajo që partia ka thënë. Të gjitha, një pas një, e çuditshme. Për atë situatë që u krijua në plenum, ne që e jetuam, të vije dhe në gjyq tek isha unë, të shikoje, që ne kishim dhe dokumentet përpara, dhe mendoja, ne kemi kaq dokumente, që shikojmë dhe nxjerrim konkluzione, po atje në plenum, të gjitha këto dokumente, nuk ishin. Ishin vetëm ca dhe konkluzioni ishte aq i saktë e, i përpiktë, sa ç’tju them më tepër.

PILO PERISTERI: Syri i mprehtë i shikon.

ARANIT ÇELA: Po, syri i mprehtë i shikon, po flisnim për vete ne, që nuk e kishim shumë të mprehtë.

TELO MEZINI: Është Enver Hoxhë ai.

ARANIT ÇELA: Në lidhje me rolin udhëheqës të Partisë, ata e pranuan plotësisht dhe doli nga dokumentet, se gjendja e organizatave bazë të komiteteve të partisë, dhe roli i komandës mbi partinë, ishte bërë një gjë e mërzitshme dhe e neveritshme. Në gjyq numëronin fajet konkrete dhe thoshin se roli udhëheqës i partisë, nuk ka ekzistuar. Na tha Petrit Dumja, zotërinj gjyqtarë, ju mos u mundoni të bëni krahasime, se nuk mund të bëhet asnjë krahasim. Unë kam qenë dhe në organizatat e terrenit, po as nata me ditën nuk është e mjaftueshme, për të bërë krahasim midis organizatës bazë të ushtrisë, dhe asaj në terren. Këtu Partia, nuk kishte gjë në dorë, të hante komandanti. Dolën fajet konkrete. Hito Çako, në një fjalim, thoshte se zëri i komandantit, është zëri më i fuqishëm, në organizatën bazë.

KRYETARI: Komandanti, bënte ligjin.

ARANIT ÇELA: Po, po, e thoshte shqip, ishte orientim i shkruar. Në kundërshtim flagrant me vijën e partisë.

KRYETARI: Ç’thoshte, kur i thoshnit ju këto?!

ARANIT ÇELA: E kam bërë.

KRYETARI: “Pa qëllim”.

ARANIT ÇELA: Jo, këta nuk thoshin pa qëllim. Por; “kjo ishte si rezultat i pikëpamjeve tona revizioniste”. Kështu e shpjegonin. Këto janë konceptet tona, që kemi qenë në opozicion me partinë. Unë, thoshte Petrit Dume, as që mund ta mendoja që Komiteti i Partisë, të dilte mbi komandën. Ja, tha, si është e mundur, mori shembull se ishte dhe Nazar Berberi aty, që komiteti i partisë, të vendosë për situatën luftarake.

Ju zoti gjyqtar, keni qenë komandant artilerie në Pogradec, në minus 18 gradë, si do të mblidhet Komiteti i Partisë?! Ti mos u bëj merak, i tha ai, se si do të mblidhet Komiteti i Partisë, e mblodhëm ne atëherë, ku ishe ti?! “Po ajo, ishte e jashtëzakonshme”. More e mblodhëm, e mblodhëm, por jo ashtu siç thua ti. Me komitet partie, u bë ajo, pastaj minus 18 gradë, nuk ka këtu, e dyta, partia ka dhënë udhëzime të qarta, se si do të bëhet kjo punë.

KRYETARI: Partia është kudo, dhe në komandë.

ARANIT ÇELA: Ai tha, unë kam qenë në opozicion me Partinë, që të vendosë Partia. Pa komandë, nuk ka ushtri. Hito Çako e tha. E kam thënë shqip unë, kudo dhe nuk e mohoj, që pa komitete partie lufta bëhet, ndërsa pa shtabe, jo. Kjo është një vijë e tërë e shkruar dhe e pashkruar, as që vihej në diskutim kjo çështje, që kishin thënë ata. Në lidhje me komitetet e partisë, ata ishin katandisur keq. Kjo dilte dhe nga dokumentet, se morëm dhe rendet e ditës dhe nga ç’thonë vetë ata, dëshmitarët. Komitetet e Partisë, ishin si seksione politike, nëse e mbani mënd në ushtri.

Asnjë ndryshim nuk kishin dhe thanë se asgjë nuk kishte ndryshuar në ushtri, po ajo gjendje mbeti. Komiteti i Ministrisë, ishte më i keqi. Ai Nane Kutra tha, foli mirë ai, nëse doni të shikoni karikaturën e komitetit të partisë, merrni Komitetin e Partisë, ku isha unë sekretar. Asnjë raport nuk mund të bënim, as Komitetit Qendror, pa shkuar tek treshja. Çdo gjë ishte e kontrolluar. Ai ishte Komiteti i Partisë, i Klubit Sportiv “Partizani”. Ne kishim kompetenca për çështjet e Klubit. Aty haheshim, do ta heqim këtë trajner, apo jo. Por edhe këtu, ndërhynte Petriti. Por sidoqoftë, këtu mund të bënim ndonjë gjë.

RITA MARKO: Ky është kulmi more, kulmi.

ARANIT ÇELA: Rrahmani si anëtar i Komitetit të Partisë, u mundua të thoshte, se ka patur gabime të rënda, por nuk është se s’ka punuar Komiteti i Partisë. Kemi marrë në analizë gatishmërinë luftarake. Në raport, vetëm emri ishte gatishmëria luftarake, por brenda, çfarë ka?! Nuk ka asgjë për gatishmërinë. Ne kishim dokumenta. “Ashtu është, po është marrë”. Për çështjen e pagave, as që e pyeste njeri Komitetin e Partisë.

Madje në dhjetëra raste, kishin arritur në imponime të tilla, si p.sh., Komiteti i Partisë, kishte vendosur për një person që do të vinte këtu, kur e merrnin vesh këta, u thoshin në telefon, nuk është e drejtë, anulojeni, prisheni këtë. Kërkohej një karakteristikë, e bënte Komiteti i Partisë së Ministrisë, ose i Korpusit, nuk i pëlqente Petritit karakteristika, p.sh., për një Gjergj Titani, një vagabond dhe i thoshte Hitos, shko atje dhe ndrysho karakteristikën. Mblidh Komitetin dhe ndryshoje. Poshtërsira të tilla sa të duash.

RITA MARKO: Djali i Petraq Titanit, shef shtabi, se çka qenë.

ARANIT ÇELA: Ishte i lidhur me të huajt. E mbrojtën haptazi këta, megjithëse dolën këto, prapë e futën oficer. Gjithashtu edhe Drejtoria Politike, ishte vënë plotësisht në dispozicion të Ballukut dhe Dumes, por edhe të Çakos, që ishte shërbëtor besnik. Këtë e deklaroi edhe në gjyq, se gjithmonë e kam konsideruar se Drejtoria Politike, ishte si të gjithë drejtoritë tjera, e unë jam zëvendës i Beqirit e i Petritit. Kishte dhe të shkruar një dokument, nja dy tre vjet përpara, që u thoshte gjithë kuadrove të tjerë, se unë jam zëvendës i Beqirit e i Petritit dhe Drejtorinë Politike, e konsideronte si gjithë të tjerat. Por drejtoria më e rëndësishme, dilte mbi të gjitha.

TELO MEZINI: Jo si Drejtori e Komitetit Qendror, ashtu siç thuhet në statusin e Partisë.

ARANIT ÇELA: Jo, jo. Përveç kësaj, të gjitha raportet që ishin gjatë kësaj periudhe në Komitetin Qendror, ishin shumë të pakta. Ato, ishin shumë të rralla dhe kishin kaluar të gjitha nga Beqiri tek Petriti. Asnjë raport që i ishte dërguar Komitetit Qendror, nuk kishte ngelur pa u parë nga këta, pa i bërë retushim, dhe retushimin e tregojnë vetë, se ç’kishin lënë e, ç’kishin hequr. Gjithë puna ishte këtu, që e pranojnë dhe vetë ata, që ushtria të mbetej e mbyllur. Komiteti Qendror dhe të jashtmit, të mos hynin dhe të gjitha masat, në këtë drejtim ishin marrë. Raportet i kontrollonin si të donin. Ministria e Mbrojtjes, ishte parulla e tyre, nuk ishte ministri, si të gjithë të tjerat, ajo nuk varet nga qeveria.

Qeveria, nuk duhet ta dijë gjendjen e ushtrisë, Byroja Politike, nuk duhet ta dijë gjendjen e ushtrisë, me gjendjen e ushtrisë, duhet të merren vetëm dy-tre udhëheqësa, që janë Këshilli i Mbrojtjes. Ata gënjenin se Këshillit të Mbrojtjes, nuk i kishin dhënë asgjë, por deri këtu pranonin Këshillin e Mbrojtjes, ndërsa Byronë Politike, nuk e pyesnin fare. Këshillin e Mbrojtjes, e kishin si argument, për të mos thënë se kishin kaluar më tej, e se nuk i kishin dhënë gjë, vetëm dy informacione, me kërkesën e shokut Mehmet. E gjithë kjo punë ishte që ushtria, të mbetej e mbyllur e, të përgatiteshin për qëllimet e tyre. Arriti Beqiri, që ta pranojë atje me zor, e ne debate e të thotë: “Këtu zotërinj gjyqtarë, ishin dy vezë, të cilat do të piqeshin një ditë. Veza që do të ishte më e fortë, do të fitonte. U ndodh që veza jonë më e dobët, u thye”. E tha haptazi.

Zëra: Ashtu…?! Edhe tha që puna këtu do të përfundonte, dyfeku do ta zgjidhte.

KRYETARI: Janë incizuar këto besoj?!

ARANIT ÇELA: Çdo gjë. Deri këtu thoni si të doni, në puçin do ta bënim. Përdornin informacione të gënjeshtërta, dhe mashtrime. Bëheshin dy raporte, njëri për Komitetin Qendror, dhe tjetri për Beqirin e Petritin. Të merrje të dy, të tyre janë të dy, po thoshte Hitoja. Në raportin që i dërgohej Beqirit, jepej gjendja reale. Po them një fakt të vogël. I raportohej Komitetit Qendror, lidhur me dëmtimet, i raportohej edhe Beqirit. Komitetit Qendror, i thuhej se kanë ndodhur ca dëmtime, ndërsa Beqirit, i thuheshin të gjitha shkeljet, midis dëmeve të tjera, ishte një shifër, e pyes se sa patate u dëmtuan në Qafë të Kazanit?! Tre mijë. Kujt ja thatë të vërtetën?! Beqirit. Në raportin që i ishte dërguar shokut Hysni, 300 kv. Po pse kështu?! Po ja, përpjekjet tona, për të fshehur gjendjen e ushtrisë.

RITA MARKO: Që nga gjërat më të vogla e deri tek gjërat më të mëdha, duket puna e tyre armiqësore.

ARANIT ÇELA: Këtë vijën e masave as nuk e njihnin fare këta. Akuza e dytë, është sabotim në mbrojtjen e vendit. Gjë serioze. Kanë qenë kundër tezave, në tre drejtime.

  1. Në drejtim të artit ushtarak.
  2. Në drejtim të fortifikimeve.
  3. Dhe përgatitjes luftarake.

Përsa i përket artit ushtarak, teoria e tyre ishte ajo e antitezave. Doli qartë ajo që Petriti, na gënjente në plenum; “unë nuk kam marrë, e nuk kam bërë”, në fakt i kishte marrë të gjitha, iu gjetën me shënime, kishte bërë dhe diçka të ulët që do t’jua them. Beqiri, i tha gënjeve atje, por këtu është gjyq. Ke marrë materialin e parë, të dytin, të tretin, dhe fjalimin 18 faqesh, që është bërë para materialit dhe është pikënisja e të gjithë kësaj pune, që kam bërë unë. Jo, nuk e kam marrë. Urdhëro e shiko shkresat. I ka arkiva.  Më datën kaq, ke marrë këtë apo atë. Janë shënimet e tua këto?! Po. Më në fund i pranoi që i ka marrë të gjitha, nga ato që na gënjeu atje në plenum. Ne, nuk ja përmendëm ato të plenumit, se ishte gjyq ai, ç’punë kishim ne. Ata në përgjithësi, ishin dakord me vijën e tyre, që ishte në kundërshtim dhe me artin tonë ushtarak, dhe me interesat e vendit, se ku konkludimet ajo.

Ajo që tha shoku Enver në Plenumi. Ata, ishin për luftë partizane, që sipas tyre, nuk do të bëhej kurrë luftë partizane, nuk ishin për luftë në front të rregullt, ishin për lëshimin e territorit dhe në fund e pranuan këtë. Tani për këtë çështjen e antitezave të tjera, këta i kishin bërë bashkërisht, ishte tjetër punë që kishin punuar nja tre kalemxhinj që dirigjoheshin njëherë nga Rrahmani, e njëherë nga Beqiri. Ata kishin dhënë mendimet e tyre, të bëhet kjo, të bëhet ajo, gjetëm dhe shënimet e tyre. Po ç’kishin bërë kur erdhi puna për diskutim. Plani qe ky siç thonë ata, Beqiri, se Petriti kishte rezerva, dhe thotë vetëm kuadrot kryesorë të ministrisë, Beqiri thotë dhe komandantët e korpuseve, caktuan datën për të diskutuar në Golem, me 300 veta. Një ditë përpara për çudi, Petriti i dërgon një letër, u gjet letra, se kishte mbajtur dhe një kopje, pse e mbajte kopjen, e mbajta, që në rast rreziku, të isha i larë. Në dy kopje, kurrë nuk shkruante Petriti, ai rrallë shkruante, shkrimin të gjithëve ua njoha, atij mezi ja njoha.

Letra i drejtohej Beqirit, dhe çi thoshte vagabondi: “Shoku Ministër, kuadrot kanë reaguar keq, lidhur me materialin e shpërndarë, kuadrot janë kundër, me qëllim që të mos krijojmë ndonjë situatë të vështirë, këtë material ta tërheqim urgjentisht, që është shpërndarë pa dijeninë tënde dhe timen, dhe njerëzit që e kanë përpunuar këtë material, të kritikohen në mbledhje”. Në këtë mbledhje do të ishte prezent shoku Mehmet dhe shoku Hysni, dhe ja rrasnin Rrahman Përllakut, Ernest Jakovës, dhe atij tjetrit, dhe Beqirin e shfajësonte, ti dhe unë, nuk kemi dijeni as për shpërndarjen, as për materialin. Të shpëtojmë ne, dhe ta hanë këta. Rrahmani se dinte këtë manovër, që do të digjej, dhe insistonte që të bëhej diskutimi. Të nesërmen, vajti me urgjencë Beqiri dhe mblodhi materialin e vërejtjet që kishin bërë. Atë që i tha Petriti, të kritikosh, nuk e hëngri Beqiri, të kritikonte pikëpamjet antimarksiste, që shfaqen në teorinë e artit ushtarak. I them; po ti Petrit, pse nuk e ngrite, po ti Rrahman?! Po nuk e hanin ata, se do t’i dilte gjithë kjo punë. Edhe Beqiri tha; “Unë nuk e thashë se isha vetë i pleksur vetë në këto gjëra, si do t’i kritikoja unë ata, kur unë isha iniciatori”. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular