Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Log” në News24, ka folur për çështjen McGonigal dhe implikimet e kryeministrit Edi Rama. Basha theksoi se hetimet dhe raportimet e medias amerikane kanë hedhur dritë mbi rolin e Ramës në korrupsionin e ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së për zyrën e New York-ut, Charles McGonigal.
Sipas Bashës, të dhënat dhe dëshmitë e publikuara deri më tani, si nga procesi gjyqësor ashtu edhe nga gazetaria investigative, e tregojnë qartë se Edi Rama ka pasur si objektiv të korruptonte McGonigal për të sulmuar rivalin e tij politikë, Lulzim Bashën, i cili në atë kohë ishte dhe kandidat për kryeministër.
Ai gjithashtu tha se nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha e përdor historinë sa herë që i nevojitet sipas tekave të tij.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Si çështja gjyqsore ashtu dhe raportimi profesional i medias amerikane, e ka bërë të qartë për të gjithë ata që nuk dinë apo nuk duan të lexojnë anglisht, e kanë bërë dhe me fotografi që targeti i zotit Rama në korruptimin e ish-drejtorit të kundërzbulimit për zyrën e New York, Charles McGonigal, ishte në fjalët e dëshmive të publikuara qoftë dhe nga procesi gjyqësor, qoftë dhe nga gazetaria investigative, rivali i tij për kryeministër Lulzim Basha. Ndërsa Sali Berisha e përshtat historinë sa herë që i nevojitet sipas tekave të tij, por fakti është që zoti Rama është kapur në flagrancë, jo për herë të parë por kësaj radhe duke përdorur diçka që askush tjetër se ka menduar duke korruptuar një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hesap të luftës së brendshme politike, në raport me mua atëherë si kryetar i Partisë Demokratike dhe kandidati për kryeministër.