Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, gjatë një interviste sot për Report TV tha se Komisioni ka gati një draft prej 700 faqesh, i cili pret të marrë vlerësimin e ekspertëve ndërkombëtarë.
Xhafaj u shpreh se, “kemi një klasë profesionistësh, nëse i përthithim pjesë të kësaj iniciative mund të marrim rezultat të mirë. Iu drejtuam tri kategorive të pavarura: Institucionet e pavarura, jo vetëm drejtësia. Janë Avokati i Popullit, Komisionerët. Institucione që dalin nga Kuvendi. Iu thamë sillni propozimet që ju keni. Iu drejtuam fakulteteve publike dhe jo publike. Kanë sjellë propozime. Së treti, shoqëria civile. Së katërti, iu drejtuam edhe komunitetit të biznesit, se kanë lidhje të drejtpërdrejtë me qeverinë. Ne bëmë ftesën, ata sollën emrat. Nuk jemi përfshirë në procesin e hartimit. U kemi thënë merrni raportet ndërkombëtare, të BE dhe DASH. Çfarë thonë raportet për këto 3 fusha? Ata kanë bërë një skanim. Ka një draft paraprak 700 faqe, i ndarë në 15 komponentë. Këtë draftin e ekspertëve, po e nënshtrojmë një procesi konsultimi. Parashikon 12 tryeza tematike. Kemi filluar 2 kemi dhe 10 në javët në vijim. Ftojmë gjithë shoqërinë civile. Ne deputetë jemi në rolin e menaxhuesit, të papërfshirë. Aty kushdo mund të shprehë, komente, sugjerime dhe propozime. Do bëjmë disa forume të dialogut qytetar. Do shkojmë në qendrat e qarqeve, në qendrat universitare”, u shpreh Xhafaj.
Ai shtoi se këtë draft komisioni ia ka dhënë ekspertëve ndërkombëtarë, e pas zgjedhjeve do të pritet edhe një vlerësim i tyre. “Draftin ua kemi dhënë ekspertëve ndërkombëtarë. Kemi të atashuar 40 ekspertë ndërkombëtarë, 20 të huaj dhe 20 shqiptarë. Do t’u kërkojmë të japin koment, vlerësim për analizën. Pasi kemi dëgjuar këto tryeza, mendimin e ekspertëve ky element do merret në draft dhe do bëhet një dokument final, serioz, shqiptar”.