BallinaTe tjera“Para ekzekutimit nga ana ime, Beqir Balluku….”- Dokumenti rrallë i hetuesit që...

“Para ekzekutimit nga ana ime, Beqir Balluku….”- Dokumenti rrallë i hetuesit që pushkatoi 3 ish-gjeneralët e lartë në ’75-ën: Secili nga këta armiq u njoftua se kërkesat e tyre për faljen e jetës u refuzuan

spot_img
spot_img

Nga Dashnor Kaloçi/ Më datën 5 nëntor të vitit 1975, plot 49 vjet më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Aranit Çela, me anë të një letre me siglën “Tepër Sekret”, drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, bashkangjitur u dërgonte një kopje të vendimit të asaj gjykate, me një përmbledhje të akt-akuzës së dënimit me vdekje, me pushkatim, të tre ish-gjeneralëve e, drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrit Beqir Ali Balluku, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Taulla Dume dhe Drejtorit të Drejtorisë Politike, Hito Shaqo Çako, si dhe dënimin me 25 vjet burg, të Rrahman Parllakut, ish-zëvendës/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.

Gjyqi ndaj tyre, i zhvilluar nga data 25 tetor deri në 5 nëntor të atij viti, në një sallë improvizuar në ambientet e Repartit 313 të Tiranës, (i njohur ndryshe si “Burgu i Vjetër” apo “Kaushi”), ku ata zhvilluan edhe procesin hetimor e, qëndronin të izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie, që nga periudha e arrestimit, më datën 6 dhjetor e vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut, erdhi pas një periudhe afro gjashtë mujore, mbledhjesh e aktivesh e plenumesh, të zhvilluara me kuadrot më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, ku në pjesën më të madhe të tyre, kishte asistuar dhe drejtuar personalisht, vetë Enver Hoxha.

Goditja ndaj Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, si dhe anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974, me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, që u mbajt në ish – “Vilën e Zogut” të qytetit të Durrësit. Ajo mbledhje drejtohej nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, ku Balluku, për herë të parë, që nga viti 1945, nuk ishte në një presidium mbledhje, por në sallë, ku ai u detyrua t’ju përgjigjej me dhjetëra pyetjeve, të bëra nga vartësit e tij. Gjithçka po ndodhte aty në atë sallë dhe që do të vazhdonte më pas deri në ditën e arrestimit, ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, si Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, të ideuar dhe dirigjuar personalisht nga Enver Hoxha.

Pas asaj atij aktivi me kuadrot më të lartë të Ushtrisë, Balluku u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si; “kreun e grupit puçist në Ushtri” dhe “tradhtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë”. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, Balluku u analizua edhe në Plenumin e Pestë të Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga pjesa më e madhe e anëtarëve të plenumit.

Në fund të asaj mbledhje, Balluku u përjashtua dhe u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, por, ndryshe nga shumë nga ish-funksionarë dhe personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste, (që ishin goditur dhe dënuar vite më parë, që arrestoheshin dhe iu vinin prangat sapo dilnin nga salla e mbledhjes), ai u la i lirë që të shkonte në shtëpi! Ku pas dhjetë ditësh, së bashku me një pjesë të familjes së tij, ai do të internohej në qytezën e Roskovecit, në rrethin e Fierit, ku dhe u arrestua më 6 dhjetor të vitit 1974.

Tashmë të gjitha këto dhe të tjera për Beqir Ballukun, ish-ministrin e Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrin e parë të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili deri në vitin 1974, konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe njerëzve më besnik të Enver Hoxhës, janë shumë të njohura, pasi pas viteve ’90-të, janë botuar me dhjetëra e dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore gjithashtu, ku hidhet dritë mbi jetën e karrierën e tij, që nga periudha kur ishte drejtuesi kryesor i Njësiteve Guerile të Tiranës dhe komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe e gjithë periudha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, deri në korrikun e vitit 1974.

Ajo që ka mbetur një mister pothuajse i pazbardhur dhe i panjohur, që vazhdon të diskutohet ende edhe sot pas gati pesë dekadash, janë arsyet dhe shkaqet kryesore që e detyruan Enver Hoxhën, që të godiste Ballukun dhe dy drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, duke i dënuar ata me vdekje, si; “Krerët e grupit puçist në Ushtri”! Bashkë me këtë mister, që ndoshta nuk do të zbardhet kurrë, pothuajse janë të panjohura, edhe dokumentet arkivore me proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku u diskutuan kërkesat e lutjet për faljen e jetës, nga ana e tre ish-drejtuesve kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, Balluku, Dume dhe Çako.

Nisur nga kjo, Memorie.al po publikon në disa numra këto dokumente arkivore, ku janë diskutimet e të gjithë anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke filluar nga kreu i saj, Haxhi Lleshi, (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), si dhe anëtarëve; Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu dhe Zinja Franja.

DOKUMENTI ARKIVOR ME URDHRIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, KADRI HAZBIU, PËR ZBATIMIN E VENDIMIT TË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, MBI DËNIMIN ME VDEKJE ME PUSHKATIM, BEQIR BALLUKUN, PETRIT DUMEN DHE HITO ÇAKON

                                                      – 1 – Vendimi i Presidiumit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË                                                                                   “Sekret”

PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR                                                     Tiranë, më 5.11.1975 

r 850/1 Prot.

                                                  Ministrisë së Punëve të Brendshme

Drejtorisë së Hetuesisë

Prokurorit të Përgjithshëm

Për njoftim: Gjykatës së Lartë, Tiranë.

Ju njoftojmë se në mbledhjen e datës së sotme, Presidiumi i Kuvendit Popullor, shqyrtoi dhe vendosi të refuzohen kërkesat për faljen e jetës të dënuarve me vdekje (pushkatim), sipas vendimit nr.10 datë 5.11.1975, të Gjykatës së Posaçme Ushtarake, si vijon:

1-Beqir Ali Ballukut

2-Petrit Taulla Dumes

3-Hito Shaqo Çakos.

Vendimi i gjykatës të zbatohet.

                               Sekretari i Presidiumit

                                   Telo Mezini

                                  (Vula dhe firma)

                                                                 2 – Urdhri i Ekzekutimit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Nr/52, Tiranë, më 5 nëntor 1975

Lënda: – Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim), të tre të dënuarve.

                                                                   Ministrisë së Punëve të Brendshme

                                  (Drejtorisë së Hetuesisë)

                                             Tiranë

Për njoftim: – Prokurorit të Përgjithshëm

     Tiranë

Në bazë të vendimit nr.10, datë 5 nëntor 1975, të Gjykatës së Posaçme Ushtarake, janë dënuar me vdekje (pushkatim), personat e poshtëshënuar:

  • Beqir Ali Balluku. 2-Petrit Taulla Dume, e 3 – Hito Shaqo Çako.

Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën nr. 850/1, datë 5 nëntor 1975, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre,

                      URDHËROJ:

Që të dënuarit Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako, të ekzekutohen me vdekje (pushkatim), në vendin e caktuar, në datën 5 nëntor 1975, ora 16:00.

Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë.

Para se të ekzekutohen, të njoftohen të dënuarit e sipërm, se kërkesa për faljen e jetës së tyre, iu është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Pas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë, duhet të bëjë proces-verbalin e ekzekutimit të vendimit, që mban edhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve.

                     Ministri i Punëve të Brendshme  

                         Kadri Hazbiu (Firma)

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E EKZEKUTIMIT TË BEQIR BALLUKUT, HITO ÇAKOS DHE PETRIT DUMES, I NËNSHKRUAR NGA NEVZAT HAZNEDARI, QË U CAKTUA PËR EKZEKUTIMIN E TYRE DHE MJEKU E PROKURORI QË ASISTUAN GJATË EKZEKUTIMIT TË TYRE

                                                             3- Proces-verbal i Ekzekutimit

Në Tiranë, më 5.11.1975

Në bazë të urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme, datë 5.11.1975, ora 16:00, në vendin e caktuar, në prani të prokurorit, Murat Kamani dhe të mjekut, Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje, për armiqtë komplotistë; Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume, dhe Hito Shaqo Çako.

Para ekzekutimit, secili nga këta armiq, u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit popullor refuzoi kërkesat e tyre për faljen e jetës. Pas kësaj, ata thanë:

1-Beqir Ali Balluku: -Nuk foli fare.

2-Petrit Taulla Dume: ‘Të rrojë populli, të rrojë Partia!’

3-Hito Shaqo Çako: ‘Mirë’.

Në përfundim, u krye ekzekutimi i tyre, nga unë Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan, mjeku Nevzat Vigani, kontrolloi vdekjen e tyre.

I ngarkuari për ekzekutim, Nevzat Haznedari, (Firma)

Prokurori, Murat Kamani, (Firma)

Mjeku, Nevzat Vigani, (Firma)

Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular