VIDEO-INTERVISTA/Shqipja daton 6 mijë vite më parë, flet autori i studimit për gjuhët Indoeuropiane

0
270

Gjuha shqipe mendohet se daton rreth 6 mijë vjet më parë. Autori i një studimi të publikuar 1 vit më parë në revistën “Science”, thotë në një intervistë ekskluzive për Ora News se kemi të bëjmë me shqipen si degë më vete të gjuhëve indoeuropiane.

Thënë kjo, është e pamundur për të përcaktuar saktësisht lashtësinë e një gjuhe.

Ekskluzive/ Shqipja daton 6 mijë vite më parë, flet autori i

“Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia” ishte aktiviteti që bëri bashkë gjuhëtarë dhe autori e studimit për lashtësinë e gjuhëve europiane.

Paul Heggarty, në një intervistë ekskluzive për Ora News ndau detajet e këtij studimi që përfshin edhe gjuhën shqipe.

Ai u shpreh se është e vështirë për të përcaktuar një datë të saktë për lashtësinë e një gjuhe.

Megjithatë ka të dhëna që mendohet se ndarja e shqipes nga familja e gjuhëve indoeuropiane të jetë 6 mijë vite më parë.

Në mes të shqiptarëve është hapur një debat dhe janë bërë mjaft qëndrime mbi lashtësinë e shqipes, ku qëndron ajo dhe si renditet?

Ka një keqkuptim të vogël në lidhje me këtë debat. Mendoj se është e vështirë të flitet se sa e vjetër është një gjuhë. Të gjitha gjuhët në thelb janë të vjetra.

Ato i përkasin një familjeje të madhe që është familja indoeuropiane dhe le të themi që greqishtja është e vjetër, italishtja është e vjetër, por të gjitha gjuhët që ne flasim sot kanë një gjuhë të vjetër pas.

Ajo që mund të themi, ajo që mund të ngremë si çështje, është se sa e vjetër është familja, vetë familja indoeuropiane e gjuhëve, dhe koha e saj mund të përcaktohet duke e lidhur me momentin kur kjo familje fillon të shpërndahet në gjuhë.

Mbi këtë moment mund të pyesim se sa e vjetër është gjuha indoeuropiane, por jo një gjuhë specifike që ne flasim sot.

Por ajo që mund të themi në lidhje me shqipen është që, shqipja që flitet sot, dega e saj, që u shkëput nga familja indoeuropiane, në atë moment mund të flasim se sa e vjetër është shqipja.

Ajo gjuhë që flitej në momentin që u nda si degë nga familja e madhe indoeuropiane nuk është gjuha që ne flasim sot.

Kështu që nuk mund të jemi të sigurt se sa e vjetër është. Mendohet se moment indarjes së kësaj gjuhe të jetë 6 mijë vjet më përpara, dhe ajo gjuhë pastaj, ajo degë e familjes, shërbeu si bazë e shqipes së sotme.

Shqipja është e pazakontë sepse në ndryshim nga shumë gjuhë të tjera nuk ka një gjuhë të afërme me të, një gjuhë simotër, në ndryshim nga gjuhët latine, apo gjuhët skandinave e kështu me radhë.

Në këtë kuptim është shumë e pazakontë. Por nuk jemi të sigurt nëse nuk ka pasur në të shkuarën një gjuhë të afërme me të, një gjuhë simotër.

Megjithatë, në mungesë të të dhënave, nuk mund të themi që ka qenë ilirishtja, masapishtja, apo trakishtja, kanë qenë gjuhë simotra të kësaj dege të vjetër të familjes indoeuropiane që u shkëput dhe që formoi më pas shqipen e sotme.

Gjetjet akeologjike kanë shërbyer për të përcaktuar hershmërinë e gjuhës, por jo territorin në të cilin ajo është folur.

A mund të mbështeten këto studime në gërmime arkeologjike, kur ka pak të dhëna mbi gjuhë të shkruar?

Po. Ekziston në fakt një disiplinë më vete që njihet si historia gjuhësore, dhe nëpërmjet studimit të gjuhës ne përpiqemi të kuptojmë aspekte të njerëzimit që nuk hulumtohen nëpërmjet studimit arkeologjik apo studimit të fushave të tjera. Kështu që sigurisht që ka një kontribut direkt dhe njohja e gjuhësisë në historinë e njerëzimit.

Sigurisht që gjuhësia ka fokusin e vet, por më e mira në studimet tona është sigurisht ndërthurja e të dhënave nga gjuhësia me kërkimet arkeologjike, me studimet e AND-së, të gjenetikës, për të njohur njerëzsimin që nga prehistoria.

Pra, kur përpiqemi të ndërtojmë kronologjinë për gjuhën, kur përpiqemi të kuptojmë datimin e një peme gjuhësore apo e degëve të saj, sigurisht që përpiqemi të shohim të dhënat që na vijnë nga arkeologjia, nga datat që na japin studimet gjenetike, dhe t’i koordinojmë ato për të ndërtuar të gjithë panoramën.

Por sigurisht ne mund të shohim se kur flitet një gjuhë, por nuk e dimë se ku, në cilin territor është folur ajo.

Në studimin për gjuhën shqipe janë marrë për bazë dy dialekte, dhe jo më shumë. Arsyet i shpjegon studiuesi Heggarty.

Sa mbështetje, ose sa zhvillim ka pasur në shqipen e sotme dhe qëndrojnë më shumë në dialekte apo në atë standarde?

Në studimin tonë kemi përfshirë gjuhën standard, dialektin e territorit të Kosovës, dhe një dialekt nga shqiptarët e Italisë së Jugut, Arbëresh.

Do të donim të kishim edhe dialekte të tjera, ndoshta më në jug të Shqipërisë, por ajo që shohim është se në këto dialekte aspekti që ndryshojnë janë të ndryshme.

Në dialektin e njërit territor mund të ndryshojë një drejtim, në dialektin e arbëreshëve mund të ndryshojë një drejtim tjetër.

Gjuha e arbëreshëve është e ndikuar më shumë nga termat e italishtes, pra huazon shumë terma nga italishtja, kështu që edhe në rastin e dialekteve është e vështirë të thuash cili është më i hershmi dhe më i voni.

Ashtu siç edhe për vetë gjuhët është e vështirë të përcaktosh cila është më e hershmja dhe cila më e vona.