Elon Musk është i pari që mund të përfitojmë në mënyrë të majme nga fitorja e Donald Trump, me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Miliarderi Elon Musk e kaloi natën e zgjedhjeve me Trumpin në rezidencën e këtij të fundit në resortin Mar-a-Lago të Floridës.
“Populli amerikan i dha Donald Trumpit një mandat të qartë kristal për ndryshimin”, shkroi njeriu më i pasur i botës në platformën e mediave sociale X, të cilën e zotëron vetë.
Trumpi nga ana e tij tregoi se dashamirësia mes tyre është reciproke, kur veçoi Musk në fjalimin e tij të fitores dhe kaloi disa minuta duke lavdëruar firmën e tij të raketave, Space X.
Mediat e huaja bëjnë me dije se shoqërimi i Musk me presidentin e zgjedhur të SHBA-së nxiti po ashtu rritjen e çmimit të aksioneve të kompanisë së tij të automjeteve, Tesla, e bashkë me to, edhe shtimin sërish të pasurisë neto, e cila tani vlerësohet në 290 miliardë dollarë.
Manjati i teknologjisë dhuroi më shumë se 119 milionë dollarë për ta ndihmuar republikanin të fitonte presidencën dhe e mbështeti fuqishëm atë përmes platformës X.
Trumpi është shprehur se në një mandat të dytë presidencial ai do të ftojë manjatin e teknologjisë në administratën e tij.
Biznesmeni mund të përfitojë gjithashtu nga presidenca e Trump përmes SpaceX, e cila dominon që tani biznesin e dërgimit të satelitëve qeveritarë në hapësirë.
Me një aleat të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë, Musk mund të kërkojë të përfitojë akoma edhe më shumë nga këto lloj lidhjesh me qeverinë.
Tesla gjithashtu mund të korrë përfitime nga një administratë, e cila, sipas Trump, do ta ngarkojë kompaninë me “barrën më të ulët rregullore të mundshme”.