Ish-shoferi i Princeshës Diana, ka thyer heshtjen rreth 30-vjeçare për shërbimin e tij mbretëror, për të treguar se si iu shkatërrua jeta nga reporteri i BBC-së, Martin Bashir, duke pretenduar në mënyrë të rreme se ai po nxirrte informacione konfidenciale
Në një intervistë ekskluzive me “The Mail”, Steve Davies zbuloi se si sipas tij, gënjeshtrat e Bashirit e helmuan Princeshën kundër tij dhe shkatërruan karrierën e tij si një nga shoferët më të besuar të familjes mbretërore.
Në intervistën e tij, ai tha se nuk iu dha asnjë shpjegim kur u shkarkua papritur në mars 1996, pas tetë vitesh shërbimi si shofer mbretëror, katër prej të cilave u shpenzuan si shofer personal i Princeshës Diana.
Sipas tij, në një takim të fshehtë me princeshën dhe vëllain e saj Charles Spencer në shtator të atij viti, Bashir pretendoi se miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Dianës ishin të gjithë pjesë e një komploti të thellë shtetëror kundër saj. Gazetari e quajti në mënyrë specifike Steve si spiun të një gazete dhe e paralajmëroi Dianën se makina e saj po ndiqej dhe përgjohej, kjo për ta bërë atë të ndihej e pasigurt dhe t’i besonte atij një intervistë, shkruan Mail.
Tani, në një intervistë që rindez skandalin dhe ofron një pasqyrë të jashtëzakonshme në një periudhë të rëndësishme në historinë e familjes mbretërore, Davies flet për keqardhjen e tij dhe gënjeshtrat e Bashirit.
“Unë u detyrova të largohesha nga puna që doja të ishte puna e jetës sime. Shërbimi mbretëror ka të bëjë me të qenit i besueshëm dhe besnik, të tregosh maturi, të kesh ndjenjën e detyrës. Reputacioni juaj, emri juaj i mirë është gjithçka. Martin Bashir më grabiti mua duke i bërë ato akuza Dianës. Unë nuk jam lloji i njeriut që humb kohën dhe energjinë duke qenë i hidhëruar apo i zemëruar, por ajo vdiq duke besuar se e kisha tradhtuar dhe kjo është diçka që nuk mund ta harroj apo ta fal kurrë”, ka thënë ai.
Sipas Mail, Davies, një ish-ushtar, iu bashkua shoferëve mbretërorë në vitin 1988 dhe iu kushtua Princeshës pasi ajo u nda nga Charles, dhe u bë një figurë kryesore në rrethin e brendshëm të Dianës.
Ai ishte shoferi i saj natën e qershorit 1994 kur ajo veshi një fustan të zi mahnitës të quajtur ‘fustani i hakmarrjes’ në një darkë dhe ishte pranë saj kur ajo dhe princat e rinj vizituan Alton Towers.
“Unë do të kisha marrë plumba për Dianën,” tha Davies, i cili kurrë më parë nuk ka folur për kohën e tij me Royals. “Puna ime, ishte jeta ime. Unë kam qenë gjithmonë aty për të”, ka rrëfyer ai.
Ai tha se mashtrimi i Bashirit “pati një ndikim të madh në jetën time”, duke shtuar: ‘Kam kaluar nga puna e ëndrrave në nevojën për të filluar përsëri nga e para. Dhe për gati 30 vjet nuk e kisha idenë pse. Ajo që bëri Bashir për të siguruar intervistën e tij ishte e tmerrshme”.
Princesha Diana vdiq tragjikisht në një aksident automobilistik në Paris më 31 gusht 1997. Davies beson se Diana do të ishte ende gjallë sot nëse ai do të kishte drejtuar makinën e saj atë natë fatale.
“Unë besoj se Diana do të ishte gjallë sot nëse do ta kisha vozitur në Paris. Nuk do të kisha lejuar kurrë që gjërat të ndodhnin ashtu siç bënë atë natë. Gjithmonë kam marrë masa paraprake shtesë kur është fjala për sigurinë e saj. E kam çuar në situata të ndryshme dhe gjithmonë i kam kushtuar vëmendje çdo gjëje të vogël, gjithmonë kam insistuar të vendos rripin e sigurimit dhe kam kontrolluar me kujdes të gjitha kushtet para se të shkoj diku me makinë”, përfundoi ai.
Në maj, BBC i pagoi Davies kompensim pasi Gjykata e Lartë dëgjoi se si ai ishte “torturuar” nga spekulimet se pse ai humbi punën.
“Kur Davies na u afrua, ne e zgjidhëm ankesën e tij menjëherë duke i kërkuar falje nëpërmjet një deklarate në gjykatë dhe i paguam dëmshpërblimet”, tha BBC.
Por Davies i tërbuar tha: “Ata duhet të kishin thënë diçka më parë. A jam i zemëruar? Po! I zhgënjyer? Po! I befasuar? Jo, sepse ata e mbuluan Bashirin që në fillim.”