Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump do të emërojë ish-guvernatorin e Arkansas, Mike Huckabee si ambasador në Izrael, njoftoi Trump këtë të martë.
Huckabee është një mbrojtës i vendosur i Izraelit dhe emërimi i tij vjen pasi Trump ka premtuar të përafojë politikën e jashtme të SHBA më afër me interesat e Izraelit, ndërsa ai zhvillon luftëra kundër Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban.
“Mike ka qenë një shërbëtor i madh publik, guvernator dhe udhëheqës i besuar për shumë vite”, tha Trump në një deklaratë. “Ai e do Izraelin dhe popullin e Izraelit, po ashtu edhe populli i Izraelit e do atë. Majk do të punojë pa u lodhur për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme!”, tha më tej Trump.
Sipas AP, Huckabee ka udhëhequr grupe vizitorësh të paguar në Izrael për vite me radhë, duke i reklamuar shpesh udhëtimet në media që kanë një tendencë konservatore.
David Friedman, i cili shërbeu si ambasador i Trump në Izrael gjatë mandatit të tij të parë, tha se ishte “i entuziazmuar” nga zgjedhja e Huckabees nga Trump.
Vajza e Huckabee, Sarah Huckabee Sanders, shërbeu si sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së parë të Trump