Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, prezantoi projekt-buxhetin 2025 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Gjatë prezantimit të tij, Mazniku tha se, “në buxhetin e vitit 2025, qeveria shqiptare po ndërmerr një hap të rëndësishëm për të fuqizuar pushtetin vendor dhe për të garantuar më shumë investime në nivel lokal. Shpenzimet e parashikuara për qeverisjen vendore arrijnë në 89.8 miliardë lekë, ose rreth 892 milionë euro, një rritje prej 13.2% në krahasim me vitin 2024. Kjo rritje e ndjeshme tregon përkushtimin e qeverisë ndaj zhvillimit dhe shërbimeve në bashki, duke përparuar përtej rritjes totale të buxhetit kombëtar, që është në nivelin e 6.2%”.
Ai vuri në dukje se, për të kuptuar ndikimin e kësaj rritjeje, duhet të kujtojmë se përpara reformës administrative të vitit 2015, shpenzimet totale të pushtetit vendor përbënin vetëm 2.3% të PBB-së.
“Sot, me mbështetjen e qeverisë, ky nivel ka arritur në 3.43% të PBB-së, një rritje prej 35%. Kjo do të thotë që, në çdo 100 lekë që prodhon ekonomia shqiptare, 3.43 lekë shkojnë për investime dhe shërbime të pushtetit vendor”.
Sipas ministrit Mazniku, “pushteti vendor do të ketë një buxhet 9.3% më të madh në vitin 2025, se ai i këtij viti për vitin 2025, totali i transfertës për bashkitë është parashikuar të jetë 17% më i lartë se në vitin e kaluar, duke arritur në 6.2 miliardë lekë ose rreth 62 milionë euro”.
“Ky buxhet i shtuar do të mbulojë jo vetëm grantet e pakushtëzuara për bashkitë, por edhe mbështetjen për rritjen e pagave për punonjësit e pushtetit vendor. Përveç kësaj, kemi rritje në grantet sektoriale dhe në fondet e dedikuara për projekte specifike të sektorëve të ndryshëm, duke bërë që në vitin 2025 buxheti total i pushtetit vendor të kapë vlerën e 105.4 miliardë lekëve, ose mbi 1 miliard euro, një rritje prej 20% krahasuar me vitin e kaluar”.
Gjithashtu ai vuri theksin se për vitin e ardhshëm do të aplikojmë për herë të parë skemën e grantit bazuar në performacë, ndërsa do të vijojmë zbatimin e projektit “Bashki të forta (BTF), faza 2” me një financim 11.9 milion franga zvicerane”, u shpreh Mazniku.
“6 milionë franga zvicerante nga të cilat 2.8 milionë janë financim i qeverisë shqiptare dhe pjesa tjetër e asaj zvicerane, është fondi për skemën e granteve që do të pilotojë Ministria për Pushtetin Vendor, vitin që vjen në mbështetej të bashkive mbi bazën e performancës së tyre”.
Sipas tij, skema synon ngritjen e një mekanizmi grantesh që bazohet në disa tregues të performacës së bashkive.
Në komisionin e ligjeve, Mazniku iu përgjigj edhe pyetjeve të opozitës sa i përket stafit të bashkive, duke thënë se tashmë është krijuar Akademia e Pushtetit Vendor e cila do të trajnojë stafin e bashkive për të qenë në lartësinë e duhur në kohën kur rregullat e Bashkimit Europian do të zbatohen në masën 70% në njësitë vendore.
Gjithashtu pyetjeve të opozitës për lëvizjen stafeve nëpër njësite vendore, Mazniku iu përgjigj se “Me ngritjen e niveleve të pagave, tashmë puna në bashki është bërë konkurruese me punën në sektorin privat. Po ashtu ndarja e stafeve të bashkive në shtylla kryesore, ka bërë që punonjësit të jenë më të mbrojtur me ligjin e shërbimit civil” – theksoi Mazniku.