Përgatitjet vazhdojnë në kampin kuqezi. Skuadra kombëtare nën urdhrat e trajnerit Silvinjo zhvilloi seancën e radhës stërvitore.Dje, ndryshe nga dita e parë, trajneri nuk preferoi më “Air Albania”-n për shkak se fusha duhet të ruhet, por stërvitja u zhvillua si normalisht në “Shtëpinë e Futbollit”. Edhe ditën e djeshme, grupi nuk ka qenë i plotë për shkak se Jon Mersinaj dhe Adrian Bajrami u bashkuan më vonë në grumbullim dhe nuk arritën në kohë stërvitjen.
Kjo për shkak edhe të orareve të fluturimit. Kështu për të zhvilluar stërvitjen me numra të plotë, Silvinjo ka ftuar 5 futbollistë nga kampionati shqiptar. Dy prej tyre janë emra të njohur të Superiores: Marçelino Preka i Partizanit dhe Artan Jazxhi i Teutës të cilët iu bashkuan kuqezinjve. Përkrah tyre ishin edhe Segersio Geci i Vorës, Andri Xhafa i Kastriotit dhe Keslin Shani i Erzenit të cilët ishin ftuar për t’u stërvitur me kuqezinjtë para sfidave të Ligës së Kombeve.
MUNGESAT Përveç Jon Mersinajt dhe Adrian Bajramit që u bashkuan me skuadrën në mbrëmje, Mirlind Daku u stërvit vetëm në palestër për shkak të lodhjes gjatë udhëtimit për në Tiranë. Po ashtu një mungesë tjetër në këtë seancë ishte ajo e Elseid Hysajt. Nuk dihet pse mbrojtësi i djathtë nuk u stërvit me skuadrën, por nga zyra e shtypit të FSHF-së nuk pati asnjë njoftim. Nuk dihet nëse kapiteni do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë. Pas disa situatave loje, sulmi kundër mbrojtjes, braziliani mbylli edhe seancën stërvitore. Në fund Jasir Asani qëndroi me Alen Sherrin duke “karikuar” të majtën. Anësori mund të ketë provuar mbi 50 goditje, ku një pjesë e madhe ishin brenda në rrjetë. Kujtojmë që një vit më parë, ishte Asani i cili “shkundi” nga larg portën e Çekisë në “Air Albania” dhe më pas shënoi dy herë Seferi.
FORMACIONI Formacioni fitues vështirë se ndërrohet. Me këtë postulat mendohet të shkojë edhe Silvinjo në ndeshjen e parë me Çekinë në Tiranë. Trajneri na ka treguar se rotacionet e mëdha nuk i ka qejf fort, pavarësisht se në stol ka lojtarë si Muçi, Uzuni, Hoxha që kanë bërë mjaft mirë. Megjithatë, duke mbetur te titullarët, në portë pritet ta nisë Strakosha. Në mbrojtje Ivan Balliu dhe qendra me Ardian Ismajlin dhe Arlind Ajetin. Dyshime nuk ka aspak në krahun e majtë ku do të vendoset Mario Mitaj. Mesfusha tashmë ka krijuar stabilitet me treshen: Ramadani, Asllani dhe Laçi, ndërkohë si gjithmonë në krahun e djathtë të sulmit do të jetë Jasir Asani dhe në anën tjetër, Nedim Bajrami. Me pezullimin e Dakut në takimin e parë, Indrit Tuci pritet që ta nisë nga minuta e parë.