Më 13 nëntor 2024, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, çeli punimet e konferencës vjetore me temë “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”.
E organizuar nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Presidentit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në konferencë marrin pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore; përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë; përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; të rretheve akademike në vend; përfaqësues të sistemit bankar e financiar; përfaqësues të medias; si dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë.
E konceptuar në tre sesione, punimet e konferencës u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Presidenti i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella; Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, z. Eduard Shalsi; Ministri i Shtetit dhe Kryenegociatori, zj. Majlinda Dhuka; dhe Ministri i Financave, z. Petrit Malaj. Kjo konferencë u organizua në kuadër të 25-vjetorit të krijimit të Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se kryefjala afatgjatë e vitit 2024 do të mbetet “dhënia e dritës jeshile” dhe fillimi në muajin tetor i procesit zyrtar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky kapitull i ri shtron përpara një agjendë të ngjeshur reformash rregullatore, legjislative dhe institucionale, realizimi i të cilave është jo vetëm parakusht për anëtarësim, por edhe një hap madhor e i domosdoshëm në rrugën e progresit të vendit. “Për këtë arsye, punimet e kësaj konference kemi vendosur t’ia dedikojmë rolit që kanë në procesin e integrimit, bankat qendrore dhe sektori bankar.” – theksoi Guvernatori.
Guvernatori gjatë fjalës së tij u shpreh se Shqipëria e vitit 2024 ofron një realitet krejtësisht të ndryshëm ekonomik krahasuar me një dekadë më parë, kur vendi mori statusin e kandidatit për anëtarësim. Pavarësisht sfidave jo të pakta të kësaj periudhe, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend është rritur nga 10 në 24 miliardë euro, niveli i papunësisë është reduktuar nga 17.5% në 10.7%, dhe të ardhurat mesatare vjetore për frymë janë rritur nga 3500 në 9200 euro. Inflacioni ka shënuar një nivel mesatar prej 2.5% gjatë kësaj periudhe, deficiti i llogarisë korrente është ulur nga thuajse 11% në 2% të PBB-së ose mbi 5 herë, borxhi i huaj është reduktuar nga 70% në 44% të PBB-së, ndërsa borxhi publik ka zbritur nga 72% në 56% të PBB-së.
Paralelisht me to, sektori bankar ka shfaqur qëndrueshmëri dhe tregues financiarë në përmirësim. Kështu, raporti i kredive me probleme ka zbritur nga thuajse 23% në 4.6%, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka shënuar një nivel mesatar prej 18%, ndërkohë që sektori bankar ka vijuar të kreditojë ekonominë dhe të shfaqë nivele të larta likuiditeti dhe rentabiliteti.
Guvernatori theksoi se ky progres i qenësishëm nuk ka qenë produkt i rastësisë, por ai ka pasqyruar maturimin dhe sofistikimin në rritje të biznesit shqiptar, një kuadër politikash makroekonomike konsistent, të koordinuar dhe të orientuar drejt stabilitetit, frytet e reformave strukturore të ndërmarra gjatë kësaj periudhe nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, si dhe kontributin pozitiv të sektorit bankar.
Banka e Shqipërisë është fokusuar në dy drejtime të rëndësishme në aspektin e reformave strukturore: në rritjen e qëndrueshmërisë dhe eficiencës së sistemit tonë bankar, si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, të instrumenteve të pagesave dhe të edukimit financiar. Në këtë drejtim, është bashkëpunuar ngushtë me partnerët tanë institucionalë: Kuvendin e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Po ashtu, Banka e Shqipërisë ka punuar për modernizimin e vazhdueshëm të platformave kombëtare të pagesave dhe përditësimin e bazës rregullatore të tyre, me fokus reduktimin e përdorimit të cash-it. Së fundi po vëmë në zbatim Strategjinë e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, çka përbën një investim madhor dhe afatgjatë për zhvillimin e vendit.
Në mbyllje, Guvernatori Sejko theksoi se procesi i integrimit ofron sfida dhe oportunitete po aq serioze për sektorin tonë bankar. Lëvizja e lirë e kapitalit nënkupton dhe një ekspozim të plotë ndaj konkurrencës midis këtij sektori dhe atij evropian. Industria jonë bankare duhet të ndërgjegjësohet për pasojat që kjo konkurrencë do të ketë në modelin e biznesit dhe marzhet e fitimit, duke marrë në kohë masat për përballimin e saj. Në këtë kontekst, mbetem i bindur se Shoqata Shqiptare e Bankave do të vijojë të japë kontributin e saj pozitiv në procesin e zhvillimit e të konvergjencës.
Duke falënderuar pjesëmarrësit, Guvernatori Sejko i ftoi të japin kontributin e tyre nëpërmjet një diskutimi sa më të hapur.
Z. Bledar Shella, President i Shoqatës Shqiptare të Bankave përshëndeti të pranishmit, duke theksuar se ky është një moment historik pasi Shqipëria, për herë të parë, ka sjellë në tavolinë ëndrrën e saj për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe asnjëherë më parë nuk kemi qenë kaq afër sa tani me atë pjesë të civilizimit, ekonomisë avangardë dhe shoqërisë së lirë, ku pozicioni ynë gjeografik na ka vendosur.
“Veprimtaria bankare, e cila prej disa vitesh, në fakt, është duke iu përshtatur ndryshimeve rregullative në përputhje me standardet e BE-së, nuk vjen në këtë territor e zbrazët. Tashmë edhe qëndrimet dhe oponenca jonë ndaj ndryshimeve udhëhiqen plotësisht nga fakti nëse këto ndryshime janë në përputhje me standardet e BE-së apo jo. Kjo na ka bërë të provojmë më shpejt barrën e ngarkesës dhe të përgjegjësisë për t’i shkuar këtij procesi pa rezistencë, por me dëshirë, me energji dhe besim.” – u shpreh z. Shella.
Sesioni i parë i konferencës do të trajtojë sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet Shqipëria në procesin e përafrimit të politikës monetare dhe politikave të tjera me standardet e BE-së. Ekspertët do të eksplorojnë përshtatjet e nevojshme që duhen ndërmarrë në politikat e bankës qendrore të Shqipërisë, duke u fokusuar në përputhshmërinë rregullative, koordinimin e politikës monetare dhe stabilitetin financiar me konvergjencën makroekonomike. Diskutimi do të mbulojë përafrimin e mbikëqyrjes së bankës qendrore me kërkesat e BE-së, ndërsa objektiv është ruajtja e stabilitetit financiar dhe nxitja e përfshirjes financiare. Duke nxjerrë mësime nga anëtarësimet e suksesshme në BE, ky sesion do të ofrojë njohuri të vlefshme për vendimet strategjike që do t’i japin formë integrimit ekonomik të Shqipërisë në BE.
Gjatë sesionit të dytë, fokusi vendoset tek transformimi digjital i sektorit bankar dhe sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur në rolin e bankingut digjital në nxitjen e rritjes ekonomike. Pjesëmarrësit do të diskutojnë reformat e nevojshme ligjore dhe ndryshimet rregullative që duhen ndërmarrë për të harmonizuar sistemet bankare dhe të pagesave të rajonit, sigurimin e depozitave dhe mekanizmat e tjerë të mbrojtjes financiare me standardet e BE-së. Diskutimet do të trajtojnë rolin e sistemeve të pagesave në balancimin ndërmjet efikasitetit, sigurisë dhe lehtësimit të lëvizjes dhe pagesave ndërkufitare të kapitalit. Ato do të nxjerrin në pah rëndësinë e rrjetave të forta të sigurisë në ruajtjen e stabilitetit financiar gjatë procesit të integrimit në BE. Gjithashtu, do të diskutohet nevoja për të balancuar inovacionin në shërbimet financiare me mbrojtjen e të dhënave, duke u fokusuar në zbatimin e sigurt të GDPR (Rregullorja e BE-së për mbrojtjen e të dhënave të përgjithshme) në vendet kandidate.
Sesioni i tretë, Paneli i Guvernatorëve do të mbledhë në një tryezë të veçantë diskutimi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Guvernatoren e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska; Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili; Zëvendësguvernatorin e Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Nikola Fabris.
Ky panel do t’i përqendrojë diskutimet në shkëmbimin e pikëpamjeve dhe përvojave të bankave qendrore në ndërtimin e rrjeteve efektive institucionale për një integrim të suksesshëm në BE, ashtu si dhe përpjekjet bashkëpunuese ndërmjet bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor nën udhëheqjen e BQE-së.