Policia ka vendosur në pranga dy tutorë që dyshohet se sollën në Shqipëri 5 shtetase kineze me premtimin se do t’i punësonin në qendra masazhesh, por i shfrytëzuan për pr*stitucion.
Gjatë operacionit të koduar “Red Light 3” u ndaluan 45 vjeçarja me iniciale A. W., dhe 30 vjeçari me iniciale Zh. Y., , për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, kryer në bashkëpunim.
Dyshohet se ata kanë sjellë në Shqipëri, 5 shtetase të huaja, të cilave iu kanë premtuar se do t’i punësonin në qendra masazhesh në Shqipëri.
Pasi këto shtetase kanë arritur në vendin tonë, dy të arrestuarit i kanë shfrytëzuar për prostitucion, në apartamente të marra me qira.
Nga veprimet ka rezultuar se autorët e dyshuar i reklamonin në faqe online, shtetaset kineze, gjenin klientët dhe i prisnin ata në hyrjen e pallatit ku ushtrohej prostitucion, dhe pas kryerjes së pagesave që varionin nga 200-300 euro, i dërgonin klientët në apartament.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, 5 shtetaset kineze, si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, 62 vjeçari me iniciale G. L., banues në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të muajit gusht të këtij viti, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Red Light 3”.
Gjatë operacionit u ndaluan shtetasit A. W., 45 vjeçe, Zh. Y., 30 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 110/a, 114 dhe 115 e 25 të Kodit Penal.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal, 5 shtetase kineze, si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi G. L., 62 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të procedimit, ka rezultuar se shtetasit A. W. dhe Zh. Y., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sjellë në Shqipëri, 5 shtetase të huaja, të cilave iu kanë premtuar se do t’i punësonin në qendra masazhesh në Shqipëri. Pasi këto shtetase kanë arritur në vendin tonë, dy të arrestuarit i kanë shfrytëzuar për prostitucion, në ambiente (apartamente) të marra me qira.
Nga veprimet hetimore është dokumentuar ligjërisht fakti se autorët e dyshuar i reklamonin në faqe online, shtetaset që i shfrytëzonin për prostitucion, gjenin klientët, i prisnin ata në hyrjen e pallatit ku ushtrohej prostitucioni dhe pas kryerjes së pagesave që varionin nga 200-300 euro, i dërgonin klientët në apartament.
Policia e Tiranës falënderon emisionin investigativ “STOP”, për bashkëpunimin në këtë rast, si dhe fton mediat dhe publikun që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie.
Materialet i kaluan Prokurorisë.