Nga arbitri tek bastet dhe transmetimi, ja çfarë duhet të dini për duelin Shqipëri-Çeki

0
155

Shqipëria do të përballet me Çekinë sot në orën 20:45 në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Ndërkohë është caktuar dhe arbitri që do të vendosë drejtësi në këtë sfidë.
Bëhet fjalë për Sandro Scharer. Ai ka arbitruar finalen e Superkupës mes Real Madridit dhe Atalantës. Zvicerani ka gjykuar ndeshje të Çekisë me Moldavinë (3-0) të vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe një miqësore në 5 qershor 2017, të zhvilluar me Belgjikë, ku Çekia mposhtej me shifrat 2-1. Ndërkohë, në një ndeshje të Shqipërisë ai do të vendosë drejtësi për herë të parë. Ndihmësit e tij do të jenë Xhonas Erni dhe Stefan de Almeida, po zviceranë.

Kompanitë e basteve shohin më favoritë miqtë nga Çekia duke e kuotuar fitoren e tyre me një mesatare 2.25. Në anën tjetër fitorja e Shqipërisë ka një koeficient 3.20. Me të njëjtën kuotë si fitorja e kuqezinjve është edhe barazimi.

Por nëse Shqipëria ka një armë të fortë, ata janë tifozët. Stadiumi “Arena Kombëtare” është komplet i shitur. 22.000 tifozë do të jenë të pranishëm mbrëmjen e sotme në mbështetje të Kombëtares shqiptare në shkallët e stadiumit. Një pjesë e vogël do të jetë për tifozët çekë që mendohet të jenë rreth 500 vetë. Ndërkohë, për të gjithë ata tifozë që nuk kanë siguruar një biletë, do të kenë mundësi që këtë takim ta ndjekin në TV KLAN dhe SuperSport.