Shqipëria përballet këtë të martë me Ukrainën në ndeshjen e fundit në grupin B1 të Ligës së Kombeve. Një ndeshje e cila do të përcaktojë fatin e dy skuadrave në këtë turne, me kuqezinjtë që kanë çdo opsion të hapur për çdo vend të mundshëm në grup në varësi të rezultatit të kësaj sfide, por edhe të tjetrës mes Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Një parashikim për duelin në fjalë e ka bërë si zakonisht edhe kompania e njohur e të dhënave statistikore sportive, OPTA, e cila me algoritmet e saj, sheh kuqezinjtë lehtësisht favoritë për të siguruar tre pikët.
Në 10 mijë simulimet që janë bërë nga superkompjuteri, në 37,5% të rasteve është Shqipëria që e mbyll ndeshjen me një fitore, që do të garantonte minimalisht vendin e dytë në grup.
Opsioni i dytë më i mundshëm sipas OPTA është një fitore e Ukrainës, e cila rezulton në 36,2% të rasteve. Ndërsa barazimi, që në fakt u intereson pak të dy skuadrave, është përfundimi i 26,4% të simulimeve kompjuterike.