Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish deputetin Jurgis Çyrbja, i arrestuar për lidhje me grupet kriminale.
Po me të njëjtën masë sigurie është lënë edhe Ahmet Masha, i cili edhe ky u vu në pranga në operacionin ku u arrestua ish deputeti socialist. Masha është kunati i vëllait të ish deputetit Çyrbja.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 18.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 59 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim J.Ç. dhe A.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 126, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 129, datë 22.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 126 akti, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim J.Ç. dhe A.M.”, thote gjykata.
ÇYRBJA U MOR NE PYETJE
Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme më 15 nëntori mori në pyetje për afro 3 orë ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, i arrestuar disa javë më parë. Ai u shoqërua nga paraburgimi dhe u pyet mbi detajet e hetimit të dala nga komunikimet në aplikacionin “Sky”.
SPAK kërkoi shpjegime nga ish-deputeti mbi njohjet me personazhe të botës së krimit që sipas saj ka komunikuar duke dekonspiruar operacione të policisë dhe përfitimet që lidhën me mbështetjen me vota në zgjedhjet e 2021-shit.
Çyrbja mohoi akuzat e SPAK, duke pretenduar para hetuesve se ai nuk ka pasur në përdorim “Sky Ecc”. Ish-deputeti është në hetim për akuzat e shpërdorimit të detyrës, nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion zgjedhor.
ZBËRTHIMI I APLIKACIONIT SKY ECC
Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për tu zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin. Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.