Ekzekutimi i 28-vjeçarit në Tiranë/ I riu u mbajt nën vëzhgim nga autorët, u qëllua me silenciator sapo…

0
116

Detaje të reja nga ekzekutimi i të riu Klajdi Prendi në Tiranë. Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se 28-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur 28-vjeçari është futur në automjetin e tij G-Class.

Sapo viktima është futur në makinë e kanë qëlluar me armë zjarri me silenciator. Drejt viktimës është qëlluar me 5 plumba.

Prendi u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën. Por disa minuta pas ngjarjes i riu humbi jetën në duart e mjekëve si pasojë e plagëve të marra. Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Rreth 1 orë pas ngjarjes, një automjet me targa të huaja u gjet i djegur në zonën e Farkës. Dyshohet se makina i përket autorëve të atentatit ndaj 28-vjeçarit.

Ky është atentati i dytë që trondit Tiranën në 4 ditët e fundit. Në 14 nëntor u ekzekutua me një plumb në kokë biznesmeni Eduart Reçi, në sheshpushimin e pallatit pronë të tij. 52-vjeçari u qëllua nga distanca me pushkë me dylbi. Ngjarje kjo ende mister dhe po ashtu grupi hetimor nuk ka një pistë konkrete për motivet.