“Prezencë e shtuar e DEA dhe FBI”/Dervishi jep detaje nga laboratori i drogës: Dumani vajti në Brazil…

0
197

Gazetari Ferdinand Dervishi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për zbulimin e grupit kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, ku lënda narkotike përpunohej për tregun evropian. 

Dervishi tha se ky ka qenë një operacion i SPAK “pa humbje”, pra nuk është dekonspiruar. Ai shtoi se operacioni e ka bazën në vizitën e Dumanit në Brazil, të cilës i bënë jehonë edhe amerikanët. 

“Nuk është rasti i parë është edhe Xibraka, Fieri, Hasi. Për rastin e Hasit u shpallën në kërkim edhe shtetas turq. Kjo e kokainës është rasti i tretë që nga viti 2015. Filloi me Xibrakën, që ishte me mbikqyrjen e autoriteteve gjermane, ishte e njëjta skemë sillej kokaina e tretur në disa kimikate dhe u kap sasi shumë e madhe e tretësve dhe e nxirrnin të huaj nga Kolumbia. Është deja vu e rastit aktual dhe e rastit të Fierit. 

Do ta filloja me faktin që është hera e parë që SPAK ka dalë me zero humbje. Pra na ka dhënë listë të të arrestuarve, dhjetë vetë dhe nuk ka nxjerrë emër tjetër për të thënë kishim urdhër arresti po ka ikur. Me sa duket është operacioni më i mirë nga SPAK, por ka histori parakaluese me probleme. Disa nga të fundit, që nga Metamorfoza, janë përfolur për rrjedhje të informacionit.  

SPAK ka hapur hetime për disa raste, ka bllokuar numrat e telefonave të disa drejtorëve. Pamë operacion me zero humbje, me zero rrjedhje të informacionit. Por, ka patur prezencë të shtuar të autoriteteve të FBI dhe DEA. Me sa di unë, Policia është përdorur vetëm në orët e fundit, në momentet e fundit. 

Mos harrojmë që ky operacion e ka bazën në një udhëtim që ka bërë Dumani dhe prokurorë në Brazil. Për këtë udhëtim që bëri Dumani në Brazil, njoftimin e bëri ambasada e SHBA. Mes të tjerave shkruante, po bëhen takime me autoritete me qëllim çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar”, tha Dervishi.