Tirana dhe jo vetëm është tronditur ditën e djeshme nga vrasja e një 14-vjeçari në Tiranë, gjatë një konflikti me bashkëmoshatarë të tij.
Autori është arrestuar sot, ndërsa sipas policisë ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Pas vrasjes autori i mitur, Mario Prelleshaj ka postuar një foto në aplikacionin “Snapchat”, ku shihet i pashqetësuar për krimin që ka kryer.
Madje në foto si për të demonstruar forcën ai mban grushtin lart, ndërsa duket edhe plaga që ai ka marrë në dorë.
Autori dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën Martin Cani, në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”. E ndërsa konflikti mes të miturve ka agravuar, ai ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin.
Pak pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe ka nisur të humbë gjak, më pas është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital, ndërsa shoku i tij po ashtu i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën.