Të fiksuar pas sulmuesit që nuk grumbullon Silvinjo, klubi i Serisë A bën ofertë 10 milionë euro

0
251

Kristian Shpendi po i mahnit të gjithë në Itali me golat e tij me fanellën e Çezenës, duke qenë dominues para porte fillimisht në Serinë C e tashmë në Serinë B me këtë klub. 

Dhe ndonëse forma e tij e jashtëzakonshme nuk i ka siguruar ende një ftesë nga trajneri i Kombëtares, Silvinjo, djaloshi i ri shumë shpejt pritet që të nisë rrugëtimin në një nga klubet e njohura italiane.

Klubi më i interesuar për të mbetet Fiorentina, që e sheh si një përforcim ideal në repartin e sulmit, në një projekt me Rafaele Paladinon në stol ku i është dhënë përparësi futbollistëve të rinj që mund të nisin një cikël fitues.

Një ish-futbollist i njohur i Fiorentinës, Roberto Ripa, i cili ka qenë edhe menaxher skuadre te ky klub, ka zbuluar se ka dëgjuar nga ambientet pranë “vjollcëve” për një ofertë të parë që i është bërë Ccezenës.

“Çfarë duhet bërë në janar? Është një dritare shumë e veçantë, por shumë gjëra varen nga si do të mbërrijë Fiorentina atje. Nëse do të mbërrijë në situatën që gjendet aktualisht në Serinë A, diskutimet do të bëhen ndryshe. Shpendi për shembull është një profil i nivelit të lartë. Kam dëgjuar për ofertën për 10 milionë euro për kartonin e lojtarit edhe nga dikush te Çezena”, zbuloi Ripa.

Drejtuesit e Çezenës kanë qëllim të mbajnë lojtarin deri në verë, por përballë shifrash të tilla, një klub me një buxhet të ulët e ka shumë të vështirë të thotë “jo”.