Shqipëria sot u zgjua e tronditur pas vrasjes tragjike në Tiranë, pranë derës së shkollës së një fëmije 14-vjeçar.
Pasi e qëlloi me thikë bashkëmoshatarin, autori postoi video në rrjetet sociale, me dorë të plagosur dhe pamjen krenare.
Për të folur më tepër rreth kësaj ngjarjeje, i ftuar në emisionin “Ora e Betit”, në “Ora News”, ishte deputeti Dashamir Shehi.
“Këto shefat tonë që kanë qenë dhe që janë dhe sot, gojë të keqe kanë pasur gjithmonë dhe ai qytetari shikon, i duket normale. Kur flet ai, shan, pështyn kundërshtarët vetëm për një grusht votash sigurisht që krijohet një atmosferë që nuk ka të bëj shumë me edukatën. Nuk po them që politika duhet të jetë e mbushur me lajka, por duhet të jetë një gjuhë normale sepse e shikojnë me mijëra njerëz. Ajo pastaj reflektohet, imagjinohet dhe tani imagjinoni hallexhinjtë e fshatit se çfarë do të mendojnë dhe çfarë gjuhe do të përdorin. Pastaj reflektohet tek familja, fëmijët dëgjojnë që zihen, grinden dhe sherri është një gjë normale. Psikologjia që i forti fiton, jo i drejti. Dhe në politikë i forti fiton, jo i drejti dhe i arsyeshmi. Edhe shkolla është bërë një ambient i dhunshëm. Është e zorshme të japësh në mësim”, u shpreh Shehi.