Imami: Kushtetuta e Shqipërisë problematike, ka nevojë për rishikim të plotë 

0
159

Ish-aktori dhe politikani Arben Imami duke folur në emisionin “Zonë e Lirë” për librin e tij “Kushtetuta”, theksoi që Kushtetuta aktuale e Shqipërisë është problematike.

Ai shtoi se Kushtetuta ka nevojë për rishikim të plotë, pasi është e disbalancuar dhe e fragmentarizuar. 

Që në hyrje sqaroj çështjen e terminologjisë. Kam zgjedhur të mos përdor as “reformë”, as “amendament”, por “ndryshim” që mos paragjykoj mbi lëndën. S’do isha as për reformë as për deformë. Le të përpiqemi ta shohim këtë gjendje kushtetuese në mënyrë analitike dhe të nxjerrim konkluzione. Në fund të librit kam shkruar ‘Po tani?”, c’mund të bëjmë tani, kemi nevojë për të mbledhur mendjen. Kushtetuta aktuale e vendit është problematike në vlerësimin tim. Është një seri ngjarjesh të njëpasnjëshme, duke filluar me vendimet e GJK që i kam goditur në një artikull të gjatë në 2008-ën, keqinterpretimet që i ka bërë Parlamentit, dhe ato që u konsideruan përmirësime, që ishin ndryshimet e 2007-ës. Një ndryshim kapital ishte heqja e koalicioneve zgjedhore. Kjo gjendje kushtetuese e sotme s’ka lidhje me atë që ishte menduar më parë. Është e disbalancuar dhe e fragmentarizuar, prandaj ka nevojë për një rishikim të plotë. Propozimi është që me urtësi dhe pak dashuri për këtë vend, ky vend ka nevojë të rishikojë themelet e tij kushtetuese”.

Imami vuri në dukje se një Republikë e disbalancuar si ajo e Shqipërisë është në rrezik të madh. “Republika e Shqipërisë është krejtësisht e çbalancuar. Legjislativi s’ka kompetencë mbi gjyqësorin. Presidenti nuk ka, qeveria nuk ka, pavarësisht si manipulohet. Në momentin kur fusha është e zbrazët mund të ndryshojnë aktorë politikë dhe jo politikë. Duhet të ketë ndarje të pushteteve, kontroll dhe balancë”, tha ai.